MAP

2020.05.23 ASCENSIONE DEL SIGNORE

Çelësi i fjalëve të Kishës: të Shëlbuemit

Ngjitja e Jezu Krishtit në qiell kremtohet dyzet ditë pas Pashkëve dhe i jep fund pranisë së dukshme të Zotit ndërmjet njerëzve. Është prelud i Rrëshajëve dhe shënon fillimin e historisë së Kishës. Episodi përshkruhet në Ungjijtë sipas Markut dhe Lukës dhe në Veprat e Apostujve

R.SH. – Vatikan

Solemniteti i Ngjitjes së Jezusit në Qiell shënon fundin e jetës tokësore të Birit të Hyjit. Në prani të apostujve, ai bashkohet fizikisht me Atin, për të mos u dukur më kurrë në Tokë deri në Ardhjen e tij të Dytë (Parousia) për Gjykimin e Mbramë. Kjo festë është shumë e lashtë dhe dëshmohet që nga shekulli IV. Për Kishën Katolike dhe Kishat Protestante, Ngjitja apo të Shëlbuemit, siç njihet ndër shqiptarë, kremtohet të enjten e javës së gjashtë të Pashkëve, ose ditën pas të dielës së 6-të të Pashkëve. Në Besojmën e Apostujve, përmendet me këto fjalë: "Jezusi u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm; andej do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim".

Në Kishën Ortodokse, të Shëlbuemit është një nga 12 festat e mëdha. Data e kremtimit përcaktohet nga data e Pashkëve në kalendarin ortodoks. Njihet si me termin grek Analepsis (të ngjitesh) ashtu edhe me Episozomene (shpëtim). Termi i fundit thekson se Jezusi, duke u ngjitur në qiell, përfundoi veprën e shëlbimit. Edhe më të qarta janë Veprat e Apostujve, të cilat përmendin Malin e Ullinjve, pasi pas Ngjitjes në Qiell dishepujt "nga mali i Ullinjve u kthyen në Jerusalem. Ky mal është afër Jerusalemit aq sa guxohet të ecet të shtunën" (Vap 1,12) Tradita e ka konsideruar gjithnjë këtë vend si Mali i Ngjitjes së Jezu Krishtit në Qiell.

Cili është kuptimi biblik i fjalës “ngjitje”?

Sipas një koncepti universal, të njohur nga Bibla, Zoti jeton në një vend më të lartë dhe njeriu duhet të lartohet, të ngjitet, për ta takuar atë. Ideja e afrimit te Zoti jepet natyrshëm nga mali. Për shembull, në Librin e Daljes (19,12), Moisiut i thuhet se është e ndaluar të ngjitet në Sinai, gjë që nënkuptonte kryesisht këtë afrim te Zoti: "Vëre për popull gjithkund përreth një cak e urdhëro: Ruajuni se ngjiteni në mal, as rrëzën e malit mos e prekni! Kushdo ta prekë malin, do të vritet". Urdhri i Hyjit nuk i referohet aq ngjitjes, që ka të bëjë me vendin, sesa afrimit shpirtëror; së pari njerëzit duhet të pastrohen dhe të përqendrohen në praninë e Hyjit, për ta dëgjuar zërin e tij. Zoti jo vetëm që jeton lart, por ka zgjedhur vende të larta për banesën e tij; edhe për të shkuar në shenjtëroret e tij duhet të "ngjitemi".

Kështu, në të gjithë Biblën, flitet shpesh për "ngjitjen" dhe kur Jerusalemi zë vendin e shenjtëroreve të lashta, turmat e shtegtarëve "ngjiten", festive, në malin e shenjtë. “Ngjitja” në Jerusalem nënkuptonte të shkoje te Hyji e termi, i përcaktuar nga pozicioni i vërtetë gjeografik, përdorej si nga simbolika popullore për ata që hynin në tokën e premtuar, ashtu edhe për ata që “ngjiteshin” në qytetin e shenjtë. Në Besëlidhjen e Re, vetë Jezusi “ngjitet” në Jerusalem me prindërit e tij, kur takohet me dijetarët në Tempull e “ngjitet” edhe në qytetin e shenjtë, si prelud i “lartimit” në kryq dhe i Ngjitjes së lavdishme në Qiell.

Cilat janë tekstet që flasin për këtë ngjarje?

Në Besëlidhjen e Re, flasin për ngjitjen e Jezu Krishtit në qiell, Ungjijtë sipas Markut dhe Lukës dhe Veprat e Apostujve. Në ta thuhet se Jezusi rri në të djathtën e Atit e se do të kthehet, ashtu siç e panë të shkojë. Këtë e përmend edhe shën Pali apostull në Letrën e tij drejtuar Kolosianëve, ku i nxit të kërkojnë “gjërat që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Hyjit”.

Shën Luka, ungjilltari i tretë, në Veprat e Apostujve specifikon se Jezusi, pas mundimeve të tij, iu duk njëmbëdhjetë apostujve të mbetur për dyzet ditë dhe u foli për Mbretërinë e Hyjit. Duhet thënë se numri i “dyzet ditëve” është një simbolikë, që përsëritet shpesh në ngjarjet e popullit endacak hebraik, por edhe në ato të Jezusit, i cili, për shembull, agjëroi në shkretëtirë për 40 ditë. Po në Veprat e Apostujve (13, 31), Shën Pali pohon se Zoti iu duk dishepujve të vet për "shumë ditë", pa dhënë ndonjë numër, prandaj, hipoteza se 40-a është numër simbolik është e besueshme. Ngjitja në Qiell, sipas Lukës, ndodhi në Malin e Ullinjve, kur Jezusi me apostujt të cilëve u ishte dukur, po shkonin drejt Betanisë. Biri i Hyjit përsëriti premtimet e tij, kërkoi mbrojtje dhe ndihmë hyjnore për ta dhe u lartua drejt qiellit siç përshkruhet në Veprat.

Mali i Ullinjve, nga i cili Jezusi u ngjit në Qiell, u zbukurua nga Shën Helena, nëna e Perandorit Kostandin, me një bazilikë; nga fundi i shekullit IV, matrona e pasur Poemenia ndërtoi një bazilikë tjetër të madhe, të zbukuruar me mozaikë dhe mermere të çmuara, sipas modelit të Panteonit në Romë, në vendin e saktë të Ngjitjes në Qiell, të shënuar në qendër nga një kapelë e vogël, në formë rrethore. Pastaj, në ngjarje të ndryshme gjatë shekujve, kur pati konflikte ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, ndërmjet arabëve dhe kryqtarëve, bazilikat u shkatërruan; në vitet 1920-1927, për një ndjet të krejt botës katolike, mbi rrënojat e tyre u ngrit një tempull madhështor kushtuar Zemrës së Krishtit, ndërsa kapela e rrumbullakët e kishës së Poemenia-s, në shekullin XVI, u kthye në një xhami të vogël tetëkëndëshe.

Cili është kuptimi i ngjitjes në qiell?

Ungjilltarët i kanë dhënë pak rëndësi Ngjitjes së Krishtit në Qiell në krahasim me Ngjalljen pasi sipas tyre, ngjitja e vërtetë, domethënë shndërrimi dhe kalimi i Jezusit në lavdi, ndodhi në mëngjesin e Pashkëve, ngjarje jashtë çdo përvoje dhe kontrolli njerëzor. Tekstet ungjillore na ftojnë të vendosim ngjitjen dhe fronëzimin e Jezusit në të djathtë të Atit, në të njëjtën ditë të vdekjes së tij; ai më pas u kthye nga Qielli për t'iu dukur dishepujve dhe për të përfunduar predikimin e tij për një periudhë prej 'dyzet' ditësh.

Prandaj, Ngjitja e treguar nga Luka, Marku dhe Veprat e Apostujve nuk i referohet hyrjes së parë të Shëlbuesit në lavdi, por dukjes dhe largimit të fundit, që mbyll veprimtarinë e tij të dukshme në tokë. Qëllimi i historive të Ngjitjes në Qiell nuk është të përshkruajë kthimin real tek Ati Qiellor, por t’i bëjë të njohura disa tipare të dukjes së fundit të Jezusit, dukje lamtumire, e nevojshme, sepse Ai duhet të kthehet tek Ati Qiellor për të plotësuar shëlbimin e botës: “po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju” (Gjn 16,7).

Katekizmi i Kishës Katolike jep këtë përkufizim të Ngjitjes së Jezusit në Qiell: “Pas dyzet ditësh që kur iu duk Apostujve me tiparet e njerëzimit të zakonshëm, të cilat e fshihnin lavdinë e tij si i Ngjallur, Krishti ngjitet në qiell dhe rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, i cili tani mbretëron me natyrën e tij njerëzore në lavdinë e amshuar të Birit të Hyjit dhe ndërmjetëson pa pushim për ne tek Ati. Ai na dërgon Shpirtin e tij dhe na jep shpresën për t’u bashkuar me Të një ditë, pasi na e ka përgatitur vendin”.

Të Shëlbuemit është solemnitet liturgjik i përbashkët për të gjitha Kishat e Krishtera, që kremtohet në ditën e dyzetë pas Pashkëve. Patën folur për të Shën Gjon Gojarti dhe Shën Augustini, por një ndikim të rëndësishëm në përhapjen e festës e pati Shën Gregori i Nisës. Meqenëse kjo ditë bie të enjten, në shumë vende solemniteti zhvendoset në të dielën pasardhëse. Me Ngjitjen në qiell, merr fund prania e "Krishtit historik" dhe fillon koha e Kishës.

29 maj 2025, 09:23