MAP

2019.05.14 Robotica  e Intelligenza artificiale - Conferenza organizzata dall' Accademia Pontificia delle Scienze

Çelësi i fjalëve të Kishës: pse vallë Kisha merret me Inteligjencën Artificiale?

Këto ditë, janë përhapur disa “fake news” mbi Papën Leoni XIV e madje, edhe një vidoemesazh i tij i krijuar me Inteligjencë Artificiale, por krejtësisht i rremë. Zhvillimi i kësaj teknologjie nuk mund të ndalet, por çështja themelore është kjo: “Si mund të mbetemi plotësisht njerëzorë e ta orientojmë drejt së mirës ndryshimin kulturor, që po pëson bota?”

R.SH. – Vatikan

Duke ndjekur gjurmët e Papës së enciklikës “Rerum Novarum”, “për t’iu përgjigjur një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale, të cilat sjellin sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës”. Këto janë ndër fjalët e para të thëna nga Papa Leoni XVI, i cili shpjegoi kështu zgjedhjen e emrit dhe kujtoi trashëgiminë e doktrinës shoqërore të Kishës, në të cilën mund të vazhdojmë të mbështetemi për t'u bërë ballë sfidave të së ardhmes. Sidomos, zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, me “potencialin e saj të jashtëzakonshëm” dhe nevojën për “përgjegjësi dhe aftësi shoshitjeje që këto mjete të orientohen në të mirë të të gjithëve, në mënyrë që të sjellin përfitime për njerëzimin”, siç nënvizoi Ati i Shenjtë në takimin e tij të parë me gazetarët nga e gjithë bota.

Përhapja e Inteligjencës Artificiale gjeneruese në vitet e fundit, edhe për shkak të një përpjekjeje të përqendruar globale marketingu për të na bindur të gjithëve se ajo përfaqëson të ardhmen, e ka nxitur Kishën të vërë në dukje më fort impenjimin e saj etik si themel për punën kërkimore në fushën e teknologjisë. Fjalët e Papës së ri bëjnë pjesë në atë botëkuptim të përbashkët, që përfaqësohet mirë në Notën e fundit mbi marrëdhëniet ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe Inteligjencës Njerëzore “Antiqua et Nova”, nënshkruar nga dikasteret për Doktrinën e Fesë dhe për Kulturën dhe Edukimin.

Kisha mund të kontribuojë në përvijimin e së ardhmes së Inteligjencës Artificiale

Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale lidhet me primatin e unicitetit dhe të dinjitetit të njeriut. Që në vitin 2007, Papa Benedikti XVI i pati paralajmëruar shkencëtarët, në Universitetin Papnor të Lateranit, se "jeta bashkëkohore favorizon një Inteligjencë Artificiale, gjithnjë e më tepër skllave të teknikave eksperimentale, duke harruar kështu se çdo shkencë duhet të mbrojë njeriun dhe të promovojë prirjen e tij drejt së mirës së vërtetë". Ajo kujtesë për rëndësinë e teknologjisë në mbrojtjen e njerëzimit dhe të së mirës së përbashkët ishte si busull, që orientoi, për gati dy dekada, të gjitha takimet dhe studimet në Vatikan mbi teknologjinë, nga të ashtuquajturat “Big Data” e deri te Inteligjenca Artificiale.

Duke dëshmuar kështu, edhe një herë, intuitën e Kishës në udhën e saj të përbashkët me njerëzimin përmes kulturës dhe ndryshimeve historike: pikërisht siç pati ndodhur edhe 500 vjet më parë, kur u krijua tipografia e parë e Vatikanit, pak pas zbulimit të Gutenbergut, ose kur u ngrit Radio Vatikani nga shpikësi i radios, Guglielmo Marconi, në vitin 1931. E, në kohë më të afërta, kur u realizua portali “vatican.va”, në vitin 1994, në kohën e fillimeve të internetit. Edhe atëherë, Kisha kërkonte mënyra të reja për të ungjillëzuar dhe për të ecur me njerëzimin.

Duke u rikthyer te revolucioni i IA-së, i krahasuar tashmë me revolucionin industrial të fundshekullit XIX e duke marrë parasysh punën e jashtëzakonshme të Akademive Papnore, gjatë dekadave të fundit, mund të dallojmë tre fjalime të rëndësishme të mbajtura nga Papa Françesku, ku përfshihen të gjitha temat që lidhen me IA-në. Që nga mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2024, titulluar “Inteligjenca dhe Paqja” e deri te reflektimi për Ditën Botërore të Komunikimit të vitit të kaluar - “Inteligjenca Artificiale dhe Urtia e Zemrës: për një komunikim plotësisht njerëzor”, me pyetjen qendrore: “Si mund të mbetemi plotësisht njerëzorë dhe ta orientojmë ndryshimin kulturor epokal drejt së mirës”?

I treti, por jo më pak i rëndësishmi, ishte fjalimi i mbajtur në G7-ën e Borgo Egnazia, ku për herë të parë u ftua të merrte pjesë një Papë. Filli i përbashkët, që përshkon këto reflektime, është sigurisht përgjegjësia për ta drejtuar zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, e cila, nëse nuk mbruhet me etikë, sjell rreziqe të mëdha. Nga “kriza në rritje e së vërtetës në debatin publik” te amplifikimi i pabarazive globale dhe te theksimi i “kulturës së hedhurinave”: Inteligjenca Artificiale nuk është ndonjë kërcënim i largët si kërcënimi i armëve bërthamore, ajo tashmë po e transformon aktivisht shoqërinë. Vendet e G7-ës, të cilëve iu drejtua Fançesku në Borgo Egnazia, po përdorin algoritme të Inteligjencës Artificiale që censurojnë, gjurmojnë identitetet dhe kriminalizojnë. Madje, po prodhohen edhe armë, që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale.

Në mënyrë të ngjashme, sistemet e njohjes së fytyrës, që përdoren aktualisht nga policia në aeroporte dhe në kufij të tjerë, kanë si pasojë shndërrimin e njerëzve në identitete dixhitale, duke çuar në arrestime dhe identifikime të rreme. Pastaj, vijnë halucinacionet - gabimet dhe informacionet e rreme, që sistemet e IA-së i paraqesin si të vërteta - të cilat vazhdojnë të ekzistojnë në të gjitha zgjidhjet e IA-së gjeneruese. E, më tej, kemi sfidën e madhe të të ashtuquajturave “deepfakes”, imazhe dhe video të gjeneruara me IA, që tregojnë njerëz, të cilët bëjnë gjëra që nuk i kanë bërë vërtet dhe që mund të cënojnë dinjitetin njerëzor. Si mund t’i luftojnë këto probleme udhëheqësit botërorë? Përballë zëvendësimit të krijimtarisë njerëzore me Inteligjencën Artificiale, gjë që çon në plagjiaturë, censurë dhe çinformim, është e qartë se do të donim t’i shmangnim aspektet negative të përdorimit të saj e të promovojmë ato pozitive.

Ka gjithmonë e më tepër nevojë për këshilla konkrete që të arrihen këto qëllime. Edhe pse nuk mund t’u impononte norma kompanive të mëdha të teknologjisë, Papa Françesku dha shembuj të përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë dhe sinjalizoi rastet e dështimit të saj. Duke u treguar profetik në shpresat e tij konkrete për një të ardhme teknologjike, nxiti veprime të shpejta dhe vendimtare për ta vënë atë në binarët e duhur. Tani që këto themele teologjike janë hedhur, shumë studiues dhe shkencëtarë, që punojnë në fushën e Inteligjencës Artificiale, presin që Papa Leoni XIV t'u rikthehet këtyre problemeve, duke i ftuar qeveritë dhe kompanitë të ndërmarrin veprime konkrete. Për të konfirmuar kështu rolin profetik të Kishës në shpresën e saj për të ardhmen, por edhe për të tërhequr vëmendjen ndaj të këqijave të së tashmes.

22 maj 2025, 09:56