MAP

2025.05.14 Partecipanti al Giubileo delle Chiese Orientali

Çelësi i fjalëve të Kishës: Papa i ri Leoni XIV

Pjetri kthehet në shenjën e përvujtërisë: ja shpresa, që na befason. Në mes të Jubileut të Shpresës, Kisha fillon të ecë sërish përkrah Papës së saj, kjo ka rëndësi. Këtu jemi, o Papë Leoni XIV – bashkësi katolike, grigjë rreth Bariut të vet, Vikarit të Krishtit mbi tokë - e shpresojmë të jemi të denjë. Në ty, si gjithmonë, na është dhënë Pjetri. Në ty, si gjithmonë, na kërkohet të fillojmë nga e para, nga ajo “Falemi Mari”, lutje e thënë së bashku

R.SH. – Vatikan

Shën Pjetri u kthye, emri i tij është Leoni XIV e të dielën, më 18 maj, do të kremtojë meshën e fillimit të papnisë. Ipeshkvi i 267-të i Romës na bëri përshtypje, fillimisht, me heshtjen e tij të thellë, një lloj jehone e mbushur me dëshirë dhe hir, thuajse sikur e gjithë Kisha po mbante frymën bashkë me të. Pastaj, gjesti i përshëndetjes, me të dyja duart, i shoqëruar nga një buzëqeshje delikate. E më në fund, fjalët e para: "Paqja qoftë me ju të gjithë". Pikërisht atëherë u duk vërtet kush ishte Robert Francis Prevost, Papa i ri. Jo një njoftim e aq, por një prani: një fytyrë, një zë. E lutja: “Qoftë një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përvuajtur, që vjen nga Zoti, i cili na do të gjithë, pa kushte”. Të gjithë.

Çfarë surprize! Dhe çfarë dëshmie e jashtëzakonshme bashkimi nga ana e kardinajve në Konklav. Ashtu si lindja e çdo jete e ndryshon perceptimin e botës - duke e bërë gjithmonë diçka tjetër – ashtu edhe Pasardhësi i Shën Pjetrit sjell një Kishë të re. Sigurisht, Papa është rezultat i një përzgjedhjeje, por ai është më shumë se një person i zgjedhur.

Është një epokë që hapet, një frymëmarrje që përtërihet. Me votën e tyre të fshehtë, kardinajtë zgjodhën një augustinian të lindur në Çikago, misionar në Peru dhe, bashkë me të, kur e zgjodhën, patën parasysh edhe botën me zhgënjimet e saj e me pyetjet e shumta pa përgjigje. Në zërin e ngrohtë të Papës së ri duket sikur ndihet kjo barrë e madhe, së bashku me vetëdijen e shërbimit për të zgjuar ndërgjegjet - sepse kemi shumë nevojë për këtë.

Sigurisht, bën përshtypje, edhe një herë, shpejtësia e vendimmarrjes: më pak se njëzet e katër orë. Në këto kohë gjithnjë e më të fragmentuara, që nuk ofrojnë zgjidhje për gjërat më të rëndësishme, Kisha e ndjeu se nuk mund të mbetej gjatë pa Atin e vet të Shenjtë. Në funeralin e Papës Bergoglio, kujtoi një kardinal, mbi gjithçka tjetër, njerëzit kërkonin pikërisht këtë: na jepni një Atë.

Tani, o Atë i Shenjtë, na është dhënë përsëri një kohë për të ecur së bashku. E nëse kjo kohë e re fillon e mbushur me pritshmëri, ndodh kështu edhe falë rrugës së ndjekur, në vazhdimësi absolute, nga më të fundit “ndërtues të urave”, secili me stilin e tij të rrënjosur në Ungjill: Shën Gjon Pali II, Benedikti XVI. Dhe Françesku, Papa më i afërt, i cili, i fundit, dëshmoi se mëshira është manifestim i së vërtetës, vëllazërimi është mënyrë mbarështimi, afërsia është gramatika e kumtimit të Ungjillit. Na kujtoi, edhe një herë, se në qendër të fesë, përpara çdo veprimi, është takimi me misterin e Zotit të bërë njeri: Ipeshkvi i Romës është, para së gjithash, ai që i përforcon vëllezërit e tij në fe dhe, e bën këtë, duke udhëhequr barkën e Shën Pjetrit.

Nuk dimë ende gjithçka rreth Papës Leoni XIV, por Shpirti Shenjt, siç na e konfirmoi mbrëmjen e 8 majit, mund të flasë edhe përmes befasisë. E surpriza, në Kishë, është shpesh mënyra me të cilën mishërohet shpresa: një shpresë, që befason.

Në një epokë ku duket sikur çdo gjë mund të parashikohet nga ndonjë algoritëm, që të jep rezultatin para se të hapësh gojën, Papa nuk është shprehje e parashikimeve: ai është shprehje e thirrjes. E një thirrjeje, që mund të mos jetë aspak e rehatshme, por është gjithmonë radikale. Është fillimi i diçkaje, që ende nuk e kuptojmë, por që – nëse dimë të dëgjojmë – do të na ndihmojë të shohim.

Këtë presin besimtarët, të cilët, përmes kardinajve, deshën sidomos unitet dhe një Bari për ta kërkuar atë. Reformat e Sinodi duhen përfunduar, Jubileu ende duhet kremtuar. E pret edhe bota, e cila vetëm dhjetë ditë më parë pa të ashtuquajturit "të pushtetshëm" të mbledhur të gjithë në Romë. Një botë kaq e përçarë, e sfilitur, e mbushur sa s’mban me dhunë. Një botë e frikësuar, që duket se ka shumë nevojë për një Papë. «Pa frikë», përsëriti dy herë Ati i Shenjtë Prevost.

Të gjithë presin diçka nga një prej autoriteteve të pakta morale të mbetura në këtë epokë pa autoritet. Por pyetjet varen nga vështrimet, që i shoqërojnë ato. E, nuk janë gjithmonë vështrime të qarta, madje, janë tepër shpesh të varura nga interesat, "vështrime kalimtare" që projektojnë etiketa, kategori, ose kërkesa të papërshtatshme. Ndoshta, është më mirë ta bëjmë tonin vështrimin e drejtpërdrejtë të të thjeshtëve, më tepër se atë të njerëzve, që dinë, ose e mbajnë veten për të ditur. E të kemi besim.

Në mes të Jubileut të Shpresës, Kisha fillon të ecë sërish përkrah Papës së saj, kjo ka rëndësi. Këtu jemi, o Papë Leoni XIV – bashkësi katolike, grigjë rreth Bariut të vet, Vikarit të Krishtit mbi tokë - e shpresojmë të jemi të denjë. Në ty, si gjithmonë, na është dhënë Pjetri. Në ty, si gjithmonë, na kërkohet të fillojmë nga e para, nga ajo “Falemi Mari”, lutje e thënë së bashku.

15 maj 2025, 09:39