MAP

2025.04.05 Pellegrinaggio  per il Giubileo degli Ammalati

Porta Shenjte e farmacistëve, mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë të Qytetit të Vatikanit

Dje ishte shtegtimi jubilar i punonjësve të Farmacisë dhe Drejtorisë së Shëndetësisë e Higjienës vatikanase. Drejtori i Dsi Arcangeli: “Përvojë e lutjes kolektive për më të ligshtët”. Farmacistët: "Shërimi nuk vjen vetëm nga ilaçi, por gjithashtu, e mbi të gjitha, nga dëgjimi dhe buzëqeshja jonë për të sëmurët"

R.SH. - Vatikan

Me rrezet e para të diellit që filtronin Piazza Pia-n dhe davarisnin mjegullën e pazakontë që mbuloi Romën, bashkësitë e punës të Farmacisë së Vatikanit dhe të Drejtorisë së Shëndetit e Higjienës (Dsi) të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, përuruan dje, më 5 prill, serinë e gjatë të procesioneve, që kaluan Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit me rastin e Jubileut të të sëmurëve dhe botës së shëndetësisë. Punonjësit e këtyre dy enteve të Vatikanit përfituan nga afërsia e vendeve të tyre të punës me Bazilikën e Shën Pjetrit për të mbërritur ndër të parët në pikën e nisjes, prej nga grupi i lutjes kaloi përgjatë Via della Conciliazione. Në krye të delegacioneve ishte drejtori i Farmacisë së Vatikanit, Fra Thomas Binish Mulackal, organizator i nismës, së bashku me profesor Andrea Arcangeli-n dhe doktor Luigi Carbone-n, përkatësisht drejtor dhe nëndrejtor i DSI.

Rregulltari indian i urdhrit spitalor të Shën Gjonit të Zotit (Fatebenefratelli) nënvizoi "bukurinë e fillimit të një dite si shumë të tjera, gjë që - komentoi - na bëri të ktheheshim në vendin e punës me zemra të qeta dhe plot shpresë". Duke kujtuar misionin e lartë “që Zoti ua ka besuar punonjësve të kujdesit shëndetësor, në lidhje me konceptin se shpresa nuk zhgënjen”, ai kujtoi: “Për ne kjo do të thotë se mjekimi nuk vjen vetëm nga mjekësia, por edhe, e mbi të gjitha, nga dëgjimi dhe buzëqeshja jonë për ata njerëz, që duhet të përballojnë çdo ditë sëmundjen”.

“Kalimi i Portës Shenjte së bashku ishte një përvojë prekëse, ndonëse e shkurtër, e lutjes kolektive për më të brishtët - kujtoi profesor Arcangeli. Ndërsa Alessandra Ottavianelli dhe Elena Fontana, përpara se të ktheheshin pas banakut të Farmacisë, të veshura me bluzën e bardhë, kujtuan: ​​“Në rrugën që na çoi me kolegët tanë te Porta Shenjte provuam një përvojë të fortë shpirtërore. Jemi të sigurt se do të na ndihmojë për një shërbim edhe më të mirë kushtuar atyre, që jetojnë në një situatë të brishtë”.

06 prill 2025, 10:02