Jubileu i Misionarëve të Mëshirës, mbi 500 meshtarë nga të gjitha kontinentet
R.SH. – Vatikan
Italia, SHBA-të, Polonia, Brazili, Spanja, Franca, Meksika, Gjermania, Sllovakia, Filipinet, Bangladeshi, Ukraina, Kolumbia, India: këto janë vendet nga vijnë rreth 500 misionarët e Mëshirës, të cilët, duke filluar nga e premtja, 28 mars, deri të dielën, do të jetojnë Jubileun e tyre në Romë, të gjashtën nga ngjarjet e mëdha të planifikuara për Vitin e Shenjtë. Papa Françesku, i cili është kthyer në Shtëpinë e Shën Martës, pas shtrimit në spital për më se një muaj në Poliklinikën Gemelli, nuk do të marrë pjesë, sepse vijon terapitë, por do të dërgojë një mesazh me shkrim.
Numri i Misionarëve të Mëshirës, shërbesa e veçantë e të cilëve u krijua nga Papa me rastin e Vitit të Shenjtë të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, me Bulën e shpalljes së tij në vitin 2015, është vazhdimisht në rritje. Sot, në të gjithë botën, ata janë 1258 meshtarë. Misionarëve, si "shenjë e përkujdesjes amtare të Kishës për Popullin e Zotit" (Misericordiae Vultus, n. 18), u është dhënë pushteti i veçantë për të falur edhe mëkatet e rezervuara për Selinë Apostolike.
Programi
Jubileu i Misionarëve të Mëshirës do të fillojë në orën 10.00 të së premtes, 28 mars, me lutjen në Sallën Pali VI, që do të hapë Takimin e katërt Botëror të Misionarëve. Konferenca ndërkombëtare, e organizuar nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin dhe që mbahet çdo dy vjet, do të ketë për temë “Faljen si burim shprese” dhe do të jetë e ndarë në dy sesione formimi. Sesioni i parë, me karakter teologjik, do të fillojë në orën 10.30 me një reflektim të Pro-prefektit të Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, ndërsa në seancën e dytë, duke u nisur nga ora 12.00, do t'u propozohen pjesëmarrësve disa udhëzime për misionin e tyre baritor.
Takimi do të vazhdojë në orën 16.00 me kremtimin e edicionit të 12-të të "24 Orëve për Zotin" në Bazilikën e Shën Andrea della Valle, rezervuar për misionarët. Nisma kreshmore e lutjes dhe e pajtimit, themeluar nga Françesku në vitin 2013, do të kremtohet edhe në të gjitha dioqezat e botës, në prag të së dielës së katërt të Kreshmëve, ndërmjet 28 dhe 29 marsit. Kësaj radhe, për Vitin Jubilar, Papa ka zgjedhur një moto veçanërisht domethënëse: "Ti je shpresa ime" (Ps 71,5). Qëllimi i ngjarjes është të rivendosë Sakramentin e Pajtimit në qendër të jetës baritore të Kishës. Në faqen e internetit të Dikasterit për Ungjillëzimin, famullitë dhe bashkësitë e krishtera mund të marrin falas doracakun për kremtimin e liturgjisë në bashkësi.
Rruzare, meshë dhe koncert
Të shtunën, më 29 mars, misionarët do të kenë mundësinë të përjetojnë, nga ora 9.00 deri në orën 11.00, shtegtimin e tyre me kalimin në Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Më pas, ata do të takohen për Rruzaren para Shpellës së Lourdes në Kopshtet e Vatikanit. Veprimtaria jubilare do të përfundojë të dielën, më 30 mars, me kremtimin e meshës, kryesuar nga imzot Fisichella, në Bazilikën e Shën Andrea della Valle, në orën 10.00. Së fundi, të dielën pasdite, për misionarët dhe për këdo që dëshiron, do të mbahet i pesti nga koncertet e Vitit Shenjt për Festivalin "Jubileu është kulturë": koncerti simfonik falas "Missa Papae Francisci" në kujtim të Ennio Morricone, interpretuar nga Orkestra Roma Sinfonietta, së bashku me Korin e Ri Lirik Simfonik Romak dhe me Korin “Claudio Casini” të Universitetit Tor Vergata. Koncerti, i dirigjuar nga Gabriele Bonolis, do të mbahet në orën 16.00, në kishën e shenjtorëve Ambrozi dhe Karli.