MAP

Asembleja e Comece në Nemi Asembleja e Comece në Nemi

COMECE, BE-ja mbetet një premtim paqeje. Mesazhi për Papën: të bashkuar në lutje

Mesazhi i ipeshkvijve drejtuar Papa Françeskut dhe lutjet për shëndetin e tij. Apeli i prelatëve të BE-së me rastin e Asamblesë Plenare mbajtur në Nemi: "Evropa premtim paqeje për vete dhe për mbarë botën"

R.SH. - Vatikan

"Ne kemi bërë shtegtimin jubilar dhe jemi bashkuar në lutje me Ju në çdo hap drejt Derës së Shenjtë”. Me këto fjalë ipeshkvijtë delegatë të Bashkimit Evropian iu drejtuan Papa Françeskut në një mesazh, në ditën e fundit të takimit të tyre mbajtur në Nemi, afër Romës, me rastin e Asamblesë Plenare Pranverë të Komisionit të Episkopatave të BE-së (COMECE), në të cilën Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro mori pjesë. “Lutemi për Ju, për shëndetin dhe për shërimin tuaj të plotë, – lexojmë në mesazh – që nën drejtimin tuaj Kisha në Evropë dhe në botë të mund ta jetojë Jubileun me shpresë, entuziazëm, gëzim dhe fe të gjallëruar”.

Bota po kalon në një spirale të rrezikshme

Në deklaratën përfundimtare të Asamblesë, ipeshkvijtë e Komisionit të Episkopatave të BE-së theksuan se "bota po kalon në një spirale të rrezikshme". Në veçanti, "rritja e tensioneve globale, e nxitur nga izolacionizmi në rritje dhe thyerjet e thelluara, po gërryen multilateralizmin dhe po dobëson parimet demokratike. Ky grup faktorësh po gjeneron konkurrencë të pamëshirshme dhe konfrontime të dhunshme, shpesh në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare”.

Çfarë roli për Evropën

Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE) e përqendron vëmendjen në luftën në Ukrainë dhe, në këtë drejtim, thekson se si “shumë shikojnë nga Evropa, dhe në veçanti nga Bashkimi Evropian, duke shpresuar se do të jetë në gjendje të tregojë rrugën e duhur drejt paqes. Me Papa Françeskun, ne e shohim Evropën si një 'premtim paqeje' e një 'burim zhvillimi' për veten dhe për mbarë botën'. Megjithatë, ndërsa ipeshkvijtë e Bashkimit Evropian pranojnë se sot nga një anë "kemi nevojë për një Bashkim Evropian të fortë, të aftë për të mbrojtur, në këto kohë të pasigurta, jo vetëm qytetarët e tij, por edhe vlerat e promovuara në Evropë dhe në botë", nga ana tjetër ata besojnë se "vokacioni origjinal i BE-së është të jetë një projekt paqeje. Prandaj, çdo investim i nevojshëm, proporcional dhe adekuat në sektorin e mbrojtjes evropiane nuk duhet të jetë në kurrizin e përpjekjeve për të promovuar dinjitetin njerëzor, drejtësinë, zhvillimin integral njerëzor dhe kujdesin për Krijimin.

Rreziqet e riarmatimit

Një referim i qartë ky ndaj ekuilibrit dhe moderimit përballë planeve ambicioze të riarmatimit promovuar nga institucionet evropiane. Në të vërtetë, shpresa e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE) është se përpjekje të tilla "nuk do të minojnë angazhimin historik të BE-së për solidaritet, veçanërisht me rajonet më të cenueshme të botës dhe me ata që vuajnë nga varfëria ose kërkojnë strehim". Mëtutje planeve ambicioze të riarmatimit nuk duhet të minojnë as "besueshmërinë e BE-së si lider global në promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtësisë sociale dhe të qëndrueshmërisë mjedisore". Sepse, përfundoi deklarata e Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (COMECE), " shpresa jonë e thellë është që BE-ja do t'u qëndrojë besnike parimeve të saj themeluese dhe do të vazhdojë të veprojë si një forcë e bashkuar, e besueshme dhe integruese për fqinjët e saj dhe për botën".

28 mars 2025, 16:42