MAP

Procesioni me Shën Anthonin në Padova Procesioni me Shën Anthonin në Padova

13-të të Martet e Shëna Ndout, udhë drejt Krishtit

Fillojnë sot, 18 mars, “Trembëdhjetë të martet e Shëna Ndout”, që, gjatë 13 javëve, na përgatisin shpirtërisht për Festën e Shenjtit, që bie më 13 qershor. O Zot i gjithëpushteshëm e i amshuar, që nëpër Shëna Ndoun e Padovës i dhe popullit tënd predikatarin zëmadh të Ungjllit e Pajtorin e të varfërve dhe të të munduarve, na e jep edhe ne, nëpër ndërmjetësimin e tij, hirin t’i ndjekim mësimet e jetës së krishterë e të mos na mungojë, në çaste të vështira, ndihma e shpejtë e mëshirës sate. Amen.

R.SH. / Vatikan

Fillon sot, ditën e martë, 18 mars, udhëtimi i “Trembëdhjetë të martëve të Shëna Ndout””, një itinerar që sipas traditës na përgatit shpirtërisht për festën e Shenjtit të Padovës më 13 qershor. Pra, “Trembëdhjetë të Martet e Shëna Ndout", janë devocion karakteristik antonian, me të cilin për 13 javë rresht besimtarët përgatiten për festën e shën Antonit të Padovës, françeskan, predikatar i shquar dhe pajtor qiellor i të varfërve e atyre që vuajnë.

Këtë e dëshmon edhe prania e shumënumërt e shtegtarëve në Shenjtërore e Kisha kushtuar Shenjtit. Edhe në trevat shqiptare Shna Ndou nderohet me përshpirtëri, posaçërisht në Laç në Shqipëri dhe në Gjakovë në Kosovë.

Kremtimi i 13-të të martëve të Shëna Ndout u krijua në shenjë të kujtimit të ditës së varrimit të shenjtit, kremtuar të martën pas vdekjes së tij, më 17 qershor të vitit 1231, në Padovë. Atë ditë, ndërsa trupi i Shën Antonit përshkoi rrugët e qytetit të Padovës, shumë mrekulli dhe hire prej Zotit iu dhanë atyre personave që në atë moment e thirrën, me lutje, ndërmjetësimin e Shëna Ndout pranë Jezu Krishtit, Zot e Shëlbues.

E dimë se për shën Antonin është themelor figura e Jezu Krishtit dhe kundrimi i Kryqit të tij. Kështu Shën Antoni, si pik referimi për shumë besimtarë, na mëson të ecim pas Krishtit Zot, të ecim me Krishtin Zot dhe t’i përkasim Krishtit Zot. Me Shna Ndout e kemi më lehtë të shkojmë drejt burimit të jetës që është Jezu Krishti, rruga, e vërteta dhe jeta. 

Lutje për t’u thënë çdo të Martë e edhe çdo ditë, deri më 13 qershor.

O i lumnueshmi Shenjti Shëna Ndue, ti që pate nga Zoti pushtetin të ngjallje të vdekurit, zgjoma shpirtin e dremitur e ma nxirr hirin, që të jetoj një jetë të kushtuar e të shenjtë.

Lavdi i qoftë Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

O i dituri Shenjti Shëna Ndue, ti që me doktrinën tënde ishe, e je, dritë për Kishën Shenjte e për mbarë botën, ma shndrit mendjen, që ta kuptoj të vërtetën hyjnore. Lavdi i qoftë Atit…

O Shenjt i mëshirshëm, që i ndihmon të gjithë ata, të cilët të luten plot me besim, më ndihmo edhe mua e të dashurit e mi në nevojën, që po ta paraqes në gjunjë para elterit tënd. Lavdi i qoftë Atit…

O Shenjt bujar, që duke e pranuar frymëzimin hyjnor, ia kushtove gjithë jetën shërbimit të Zotit e të vëllezërve, premto ta dëgjoj gjithnjë me bindje fjalën e  të Tejetlartit. Lavdi i qoftë Atit…

 O Shenjt i dashur, që me ndërmjetësimin tënd pranë Zotit, ua rikthen shëndetin shumë të sëmurëve, ndihmomë të shërohem nga sëmundja e prirjeve të këqija e nga çdo gërbulë mëkati. Lavdi i qoftë Atit,

O Shenjt, Pajtori im, që u përpoqe gjithnjë për shëlbimin e vëllezërve, më prij në detin pa fund të jetës, që të mund të arrij në limanin e lum të amshimit. Lavdi i qoftë Atit…

O i mëshirshmi Shëna Ndue, që gjatë jetës sate i nxore hirin e çlirimit shumë të dënuarve, ndërmjetëso që edhe unë të çlirohem nga  çdo e keqe e të mund të jetoj në hir të Zotit. Lavdi i qoftë Atit…

O Shenjt Mrekullibërës, Zoti të dha hirin t’i ngjitësh prap për trup gjymtyrët e këputura, mos premto të bëhem gjymtyrë e prerë nga dashuria e Zotit  dhe  e Kishës. Lavdi i qoftë Atit

O Shenjt i shumëdashur, ti që ndihmon për të gjetur sendet e humbura, bëj që të mos e humbas kurrë miqësinë me Zotin, por ta ruajë besnikërisht gjithë jetën. Lavdi i qoftë Atit…

O  ndihmës i të varfërve, që ua dëgjon lutjen, kur ngarendin tek ti, pranoje lutjen time e paraqite para fronit të Zotit, që Ai i Lumi të ma japë ndihmën e Tij. Lavdi i qoftë Atit…

O Shëna Ndue, ti që ishe apostull i palodhshëm i fjalës së Zotit, më ndihmo që të jap dëshminë e fesë sime me fjalë e me verpa. Lavdi i qoftë Atit…

O fort i dashuri Shenjti Shëna Ndue, që e ke në Padovë varrin e bekuar; shikoji me dashamirësi nevojat e mia; dëgjoji lutjet, foli Zotit për mua, me gjuhën tënde të mrekullueshme, që as vdekja nuk mundi ta kalbë e ta prishë. Foli me të Zotit, që lutjet e mia të pranohen e dëshirat e mia të plotësohen. Lavdi i qoftë Atit,

Lutu për ne, o i mrekullueshmi Shenjti Shëna Ndue i Padovës

E do të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit!

Të lutemi:

O Zot i gjithëpushteshëm e i amshuar, që nëpër Shëna Ndoun e Padovës i dhe popullit tënd predikatarin zëmadh të Ungjllit e Pajtorin e të varfërve  dhe të të munduarve, na e jep edhe ne,  nëpër ndërmjetësimin e tij, hirin t’i ndjekim mësimet e jetës së krishterë e të mos na mungojë, në çaste të vështira,  ndihma e shpejtë e mëshirës sate.

Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

18 mars 2025, 13:36