Të meditojmë Ungjillin e Dielës së 5të gjatë vitit 'C': “do të jesh peshkatar njerëzish”
R.SH. - Vatikan
Para se të bëhej guri-shkëmb, mbi të cilin Krishti do të ngrinte Kishën e tij, Simon Pjetri e përshkoi deri në fund udhën e pasionit impulsiv dhe të pasigurisë ndaj Zotit. Ai eci para nesh në atë rrugë, që na kërkohet të gjithëve ta përshkojmë. E, edhe për ne, ashtu siç vërehet qartë nga Ungjilli i së dielës V të vitit kishtar, marrë nga kreu 5 i shën Lukës (1-11), kur ndërhyn Krishti në jetën tonë, puna dhe gjithçka tjetër bëhen më prodhimtare, marrin një përmasë, që nuk e kishin më parë. Bëjmë të njëjtat gjëra, por për një qëllim tjetër, ashtu si Pjetri. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Luka:
Ishte një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën. Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.”
Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën. Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.
Të lutemi së bashku
Janë njerëz, prandaj, tejet të brishtë.
Janë peshkatarë: kjo është puna e tyre
për të fituar bukën e gojës.
E njohin zanatin,
kuptojnë nga barkat, rrjetat, rrymat e liqenit,
e dinë ku peshkohet më mirë,
ku stuhia mund të vijë papritur, e fuqishme.
E pikërisht aty, në ato brigje
Ti, o Jezus, u lë atyre takim,
pas një nate të lodhshme
nga e cila ishin kthyer me duar bosh.
Kështu, u kërkon atyre që,
pavarësisht nga përvoja e tyre e gjatë,
të kishin besim në Ty, një zdrukthëtar,
e të dilnin sërish në liqen.
Pastaj, i befason
me një sasi kaq të madhe peshqish
sa cënojnë e vënë në rrezik
edhe rezistencën e rrjetave.
Por s’e bërë këtë për t’i përulur:
ishte vetëm shenja, që shpalosi
një horizont të ri.
Pjetrit, që gjunjëzohet para Teje
dhe e pranon
se është mëkatar,
Ti i kërkon vetëm të ketë besim,
të mos ketë frikë nga stuhitë, që e presin,
sepse që nga ai çast e tutje
do të bëhet peshkatar njerëzish,
mjet shëlbimi për vëllezërit.