Përfundon asambleja e ipeshkvijve të Shqipërisë
R.SH. - Vatikan
Sinodaliteti, baritorja rinore, mënyrat e reja të ungjillëzimit, kujdesi për migrantët dhe për njerëzit e përjashtuar nga shoqëria, si edhe lutja për shëndetin e Papës Françesku, në qendër të diskutimeve të ipeshkvijve të Shqipërisë, që përfunduan punimet dy ditore të Asamblesë së 78-të të zakonshme, e cila u mbajt më 18 dhe 19 shkurt. Më hollësisht, na njofton dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë:
Mbyllja e punimeve…
Një Kishë sinodale në ecje drejt shpresës që nuk zhgënjen. Nën këtë moto dhe me këtë përmbajtje mbylli punimet asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Gjatë dy ditëve të një pune intensive mbarë episkopati shqiptarë trajtoi të gjitha çështjet e kishës lokale në një frymë sinodale dhe me një shikim të kujdesshëm nën dritën e Jubileut. Një vëmendje të veçantë gjatë këtyre ditëve ju kushtua fryteve të sinodit dhe si mundet të praktikohen këto fryte në realitetin kishtar të vendit tonë. Veprimtaria e komisionit të posaçëm, që është ngritur nga Konferenca Ipeshkvore, u analizua në mënyrë të kujdesshme, duke dhënë edhe direktiva për efektshmërinë e tij.
Më një kujdes shumë të veçantë u shqyrtua edhe veprimtaria dhe performanca e organizmave në varësi të kësaj Konference si Seminari Ndërdioqezan, Caritasi Shqiptarë dhe Komisioni Drejtësi e Paqe. Një hapësirë jo të vogël zunë edhe diskutimet dhe reflektimet e ipeshkvijve për mënyrat e reja të ungjillëzimit, duke evidentuar zonat me karakter specifik të cilat presin dhe duan një vëmendje të veçantë nga Kisha Katolike.
Nuk mungoi një analizim i hollësishëm i baritores rinore ku u fol edhe për retrospektivat e reja në të cilat duhet të përqendrohet kjo baritore. Kujdesi ndaj migrantëve dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit u trajtua me kujdes dhe vëmendje të hollësishme. Në një situatë shpopullimi alarmant të zonave rurale të vendit tonë, u fol për masa konkrete që Kisha në vendin tonë duhet të marrë qoftë për kujdesin e shtresave të margjinalizuara, qoftë në shoqërimin e familjeve të reja që tashmë zgjedhin vendet e Evropës apo Amerikës Veriore për të emigruar.
Punimet përfunduan me një moment të veçantë reflektimi dhe lutjeje për shëndetin e Papa Françeskut dhe për mbarë Kishën universale në këtë moment. Ato gjithashtu kujtuan edhe nevojën që kjo lutje të shtrihet në mbarë bashkësitë lokale të vendit, kudo ku Kisha vepron dhe zhvillon misionin e saj.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i Kish