MAP

2025.02.03 TALITHA KUM 2025

Kundër trafikimit të njerëzve: të rinj nga e gjithë bota në Romë

Në kuadrin e Ditës së 11-të Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, që kremtohet të shtunën, më 8 shkurt, një grup ambasadorësh të rinj nga e gjithë bota janë bërë promovues të shpresës, “të armatosur” me aplikacionin “Walking in Dignity” (Të ecim me dinjitet), për t'i thënë “jo” këtij fenomeni të turpshëm

R.SH. – Vatikan

Vijnë nga Shqipëria, Australia, Kameruni, Japonia, Rumania, Ukraina, Kenia, Meksika, Uruguai, Peruja. Është fjala për ambasadorë të të rinjve, që kanë bashkuar forcat me Talitha Kum, rrjetin ndërkombëtar të murgeshave, të cilat luftojnë kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Java e veprimtarive të tyre në Romë nisi të shtunën e kaluar e do të vazhdojë deri më 8 shkurt, në kuadrin e Ditës së 11-të Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, e cila kremtohet pikërisht në atë datë. Të dielën në mesditë, ata u bashkuan me Papën Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, për Engjëllin e Tënzot. Të hënën, këta ambasadorë të rinj u bënë shtegtarë të shpresës, duke u nisur drejt Bazilikës së Shën Pjetrit fizikisht, por edhe të “armatosur” me aplikacionin për telefon “Walking in Dignity” (Të ecim me dinjitet), i cili u numëron çdo hap. Hapa, që kaluan Portën Shenjte, duke kontribuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe duke mbështetur nismat e shumta të Talitha Kum në mbarë botën.

Dita e 8 shkurtit

Pas asaj të Bazilikës së Shën Pjetrit, të rinjtë kaluan edhe Portat Shenjte të Shën Gjonit në Lateran dhe të bazilikës së Zojës së Madhe. Nesër, më 6 shkurt, ata do të kalojnë Portën Shenjte të bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve. Motër Abby Avelino, koordinatore ndërkombëtare e Talitha Kum, nënvizon se ambasadorët e rinj përfitojnë nga viti jubilar dhe nga shtegtimi i shpresës "për të ftuar shumë njerëz të ecin me ne, me dinjitet". Kjo thirrje bëhet edhe më e fuqishme pikërisht në javën e veprimtarive, që i paraprijnë Ditës së 11-të Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

50 milionë skllevër modernë

Duke përdorur aplikacionin “Walking in Dignity”, që u paraqit më 30 janarin e vitit të kaluar, ambasadorët e rinj mund të dhurojnë hapat e grumbulluara në të për veprimtaritë e organizatës. Numri i hapave korrespondon me shumën në monedha, që donatorë të ndryshëm ua kalojnë murgeshave. Gjithashtu, sa më shumë shtohet numri i hapave, aq më shumë informacione të reja merren nga aplikacioni për punën e Talitha Kum, duke i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë si mund të impenjohen për viktimat e trafikimit. "Murgeshat tona - shpjegon motër Abby - po punojnë me 6.000 anëtarë të Talitha Kum. Ndërsa ecim me dinjitet me njerëzit, jemi të vetëdijshëm sa jetojnë në kushte skllavërie moderne: sipas llogarive tona, shifra arrin në 50 milionë vetë. Duke ecur së bashku, ëndërrojmë dhe shpresojmë t'i japim fund trafikimit të qenieve njerëzore". Ndërsa, sipas motrës Mary Barron, presidente e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme, e cila themeloi Talitha Kum pothuajse 16 vjet më parë, aplikacioni “Walking in Dignity” “e bën informacionin rreth këtij realiteti më të afërt për brezat e rinj, gjë që ka rëndësi, sepse i bën ata pjesëmarrës në parandalimin dhe në eliminimin e trafikimit në botë”.

200 milionë hapa

Që nga fillimi i tij, përdoruesit e aplikacionit në 95 vende kanë dhuruar afërsisht 200 milionë hapa, duke mbuluar një distancë prej 52 milionë e 120.000 kilometrash. Nëntë projekte të Talitha Kum kanë arritur objektivin e 150.000 hapave. Aplikacioni mund të shkarkohet nga Google Play e nga Apple Store, si të gjitha aplikacionet e tjera, pasi çdokush mund t’u dhurojë motrave hapat e veta për projektet e tyre, duke ecur me to për dinjitetin e viktimave të trafikimit.

05 shkurt 2025, 13:34