MAP

Jubileu i Diakonëve

Karakteristika kryesore e diakonit është shërbimi. Veprat e Apostujve rrëfejnë për shtatë diakojtë e parë, që 12 apostujt i caktuan për të shërbyer në mensat për të varfërit. Por, ky shërbim do të shtrihej edhe në detyra të tjera të rëndësishme për jetën e bashkësisë.

R.SH. / Vatikan

Sot, më 23 shkurt, kremtohet Jubileu i Diakonëve. Në orën 9.00, u kremtua mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me shugurime diakonale, pikërisht në përkim me Jubileun, kryesuar nga delegati i Papës Françesku, imzot Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, Seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillëzimit në Botë. Kujtojmë se Ati i Shenjtë nuk mundi ta kremtojë meshën personalisht, siç ishte programi, pasi ndodhet i shtruar në spitalin Gemelli të Romës, që nga 14 shkurti, për një pneumoni bilaterale.

 Një nga frytet më të rëndësishme, në rrugën e përtëritjes së jetës së Kishës, duke filluar nga Koncili II i Vatikanit, ishte rivlerësimi i shërbesës së diakonatit. Nëse më parë diakonati ishte thjesht një etapë në udhën drejt meshtarisë, Koncili deshi të vinte në dukje rëndësinë e kësaj shkalle të parë të sakramentit të Urdhrit. Kjo u bë përmes rivendosjes së diakonëve të përhershëm, përfshirë burra të martuar, të cilët, ndryshe nga të ashtuquajturit “diakonë kalimtarë”, nuk janë të destinuar për t’u bërë meshtarë.

Karakteristika kryesore e diakonit është shërbimi. Veprat e Apostujve rrëfejnë për shtatë diakojtë e parë, që 12 apostujt i caktuan për të shërbyer në mensat për të varfërit. Por, ky shërbim do të shtrihej edhe në detyra të tjera të rëndësishme për jetën e bashkësisë. Po në Veprat e Apostujve lexojmë se Shtjefni, i pari i të Shtatëve dhe martiri i parë për Krishtin pas Gjon Pagëzuesit, bënte mrekulli të mëdha, ndërsa Filipi, një tjetër nga të Shtatët, quhet "ungjilltar", pasi pati një rol kyç në shpalljen e Ungjillit.

Kështu në dekadat e fundit diakonët, sidomos ata të përhershëm, janë bërë pjesë e shumë bashkësive famullitare, megjithëse shërbesa e tyre varet gjithnjë nga ipeshkvi, lidhje që shihet qartë gjatë liturgjisë. Jemi mësuar t'i shohim duke kumtuar Ungjillin gjatë kremtimit eukaristik, në të cilin mund të mbajnë edhe homelinë; por, përveç shërbesës së Fjalës, mund të kremtojnë Pagëzimin, t’u çojnë Eukaristinë të sëmurëve, të varrosin të vdekurit e të japin bekime. Sidomos, i kushtohen bamirësisë në fusha të ndryshme.

23 shkurt 2025, 18:04