Ipeshkvijtë e Gjermanisë, imzot Bätzing: “tani, qeveri e qëndrueshme”
R.SH. – Vatikan
Pas rezultateve të votimit për Bundestagun, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, imzot Georg Bätzing, bën thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë së re: "Shpresoj se do të kemi shpejt një qeveri të qëndrueshme, që do të trajtojë problemet" e vendit, deklaroi ipeshkvi i Limburgut.
Më se 28% të votave për koalicionin e së djathtës së moderuar
Rezultatet e zgjedhjeve dëshmojnë se shumica e votuesve duan forcimin e qendrës demokratike, vijon kreu i ipeshkvijve gjermanë, në dritën e suksesit, që arriti koalicioni ndërmjet Bashkimit Kristiano-Demokrat të Gjermanisë dhe Bashkimit Kristiano-Social në Bavierë, parti, që i përkasin së djathtës së moderuar e që fituan 28,52% të votave.
“Kjo do të thotë të dëgjosh, ta kuptosh tjetrin, të angazhohesh në mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të drejta dhe të jesh i gatshëm për kompromis”, shpjegon imzot Bätzing. “Gjermania duhet të jetë pjesë e një Evrope demokratike, si vend i qeverisur nga ligji, liberal, kozmopolit dhe solidar”.
Pjesëmarrja arriti në mbi 84% të votuesve
Imzot Bätzing vlerësoi veçanërisht shtimin e madh të pjesëmarrjes në votime, duke e quajtur "shenjë të mirë për vendin, që tregon se demokracia merret seriozisht". Në këto zgjedhje, pjesëmarrja kapërceu 84%-shin. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Gjermanisë analizoi frenimin e përgjithshëm të forcave ekstremiste dhe të atyre, që simpatizojnë për Rusinë e presidentit Vladimir Putin, pa pyetur për agresionin kundër Ukrainës: "Shpresoj sinqerisht, sidomos në dritën e gjendjes ndërkombëtare, që Evropa të marrë forcë nga këto zgjedhje dhe nga qeveria e re".
Kryetarja e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Irme Stetter-Karp, e uroi kandidatin për kancelar të koalicionit të djathtë, Friedrich Merz, për fitoren e tij në zgjedhje: “Në kohë fragmentimi shqetësues të shoqërisë, në Gjermani, kemi nevojë për një kancelar që bashkon. Që mendon në mënyrë evropiane. Dhe që i jep shpresë një vendi heterogjen, me sfida të mëdha”.
Për Stetter-Karp, "nëse mendohet për të ardhmen, nuk mund të ketë kthim në të kaluarën, në këtë situatë. As në politikën klimatike. As në politikën ekonomike dhe as në politikën sociale”. Ajo vlerësoi pjesëmarrjen masive të votuesve, por, njëkohësisht, shprehu shqetësimin për përparimin e Alternativës për Gjermaninë (AfD), parti e së djathtës ekstreme, që ka fituar më se 20% të votave. “Kjo duhet të na sfidojë të vazhdojmë me të gjitha forcat luftën për demokracinë dhe kundër racizmit”, theksoi kryetarja e Komitetit katolik.