MAP

Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore

Imzot Martinelli: ndër Emirate, Oman e Jemen, Kisha migrante, të bashkuara në larmi

Në Abu Dhabi, më 4 shkurt 2025, për dorëzimin e Çmimit Zayed kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, Vikari Apostolik i Arabisë Jugore reflekton, në median e Vatikanit, për fenë e bashkësive vendase: jo vlerë e thjeshtë, e shtuar, por "forcë e vërtetë për jetën". E në përvjetorin e Dokumentit të nënshkruar nga Papa dhe Imami i Madh, kujton: të jetosh një udhë të përbashkët nuk është utopi, por diçka konkrete.

R.SH. / Vatikan

Kishat "të stërmbushura", feja si "forcë për jetën" dhe jo thjesht si vlerë e shtuar. Dëshmia që vjen nga Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore, i pranishëm në Abu Dhabi, më 4 shkurt, për paraqitjen e Çmimit Zayed kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, është ajo e një bashkësie kishtare të gjallë dhe shumë-etnike në Emiratet e Bashkuara Arabe: Omani dhe Jemeni, me besimtarë nga më se njëqind vende, të aftë për të jetuar në larmi".

Kontekste të vështira dhe të larmishme

I intervistuar nga mediat e Vatikanit, Imzot Martinelli nënvizon kontekstet jashtëzakonisht të ndryshme në të cilat është thirrur të veprojë. Jemeni "shumë, shumë i vështirë", i rraskapitur nga dhjetë vjet lufte civile, ku mbetën pak të krishterë, por bashkësia kishtare mbështetet nga prania e murgeshave të Nënë Terezës së Kalkutës, "të cilat bëjnë një punë të madhe bamirësie". Pastaj, komuniteti tërësisht "migrant" i Omanit, dhe ai më i madhi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjuhë, kultura, tradita shpirtërore dhe rite të ndryshme, megjithatë festat e krishtera ndjehen aq thellë, sa bëhet e vështirë t’i mirëpresësh të gjithë besimtarët në nëntë famullitë e shpërndara në të gjithë territorin.

Vikari i Apostolik i Arabisë Jugore vë në dukje pjesëmarrjen "intensive" në katekizëm dhe pjesëmarrjen, po aq të përzemërt, të prindërve, "të cilët dëshirojnë t'ua komunikojnë fenë fëmijëve të tyre". Bashkësi kishtare “emigrante”, pra, me fe që i mbështet njerëzit në udhëtimet e tyre të përditshme, duke mirëpritur ata, që e lanë “gjithçka” pas në vendin e tyre të origjinës. “Thjeshtësia”, por edhe “qëndrueshmëria”, janë vlerat e atyre që marrin pjesë në jetën e kishës vendase për të qenë “dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit në mes të kësaj shoqërie”.

Njohja me njëri-tjetrin në vështirësi

Duke rikujtuar ngjarjet aktuale, Imzot Martinelli kujton festimet për gjashtë vjet, që nga nënshkrimi, në shkurt 2019, i Dokumentit të Vëllazërisë Njerëzore për Paqe në Botë dhe për të jetuar së bashku, në të cilin morën pjesë Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Muḥammad Aḥmad al-Tayyeb. Dokument me "aktualitet në rritje", pritja e të cilit konkretizohet në Shtëpinë e Familjes Abrahamike, kompleksi ndërfetar që përfshin një Kishë katolike, dhuruar Françeskut nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, një Xhami dhe një Sinagogë. Është edhe selia e takimeve ekumenike, që “na ndihmojnë të ecim së bashku, të njohim, të respektojmë dhe t’i vlerësojmë traditat e ndryshme fetare”. Ta jetosh në mënyrë aktive Dokumentin, pra, nuk është "utopi", por diçka jashtëzakonisht konkrete dhe reale, "përballim i vështirësive së bashku" dhe "të jetuarit e bukurisë së një udhëtimi të përbashkët".

Vizioni kozmopolit i Zayed

Një kornizë, brenda së cilës, Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore, krijuar në vitin 2019 pas nënshkrimit të Dokumentit gjatë udhëtimit apostolik të Papës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sivjet e fituan OJQ World Central Kitchen, për punën ndihmëse ushqimore të komuniteteve të prekura nga krizat humanitare; Kryeministrja e Barbados, Mia Mottley për veprimin e saj vendimtar mbi ndryshimin e klimës dhe shpikësi etiopio-amerikan 15-vjeçar Heman Bekele. Çmimi u frymëzua nga Zayed bin Sulltan Al Nahyan, i konsideruar si "babai i kombit" e i aftë për të frymëzuar "krijimin" e Emirateve të Bashkuara Arabe. Një personalitet "jashtëzakonisht interesant", me vizion "kozmopolit", i aftë të bashkojë shtatë emiratet dhe të ketë "që nga fillimi, synimin e krijimit të një kombi të hapur, multikulturor, ku strehohen shumë emigrantë me kultura dhe fe të ndryshme".

05 shkurt 2025, 14:53