MAP

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Gjermanisë, imzot Georg Bätzing, ipeshkëv i Limburgut Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Gjermanisë, imzot Georg Bätzing, ipeshkëv i Limburgut

Gjermani, imzot Bätzing: ekstremizmi është i papajtueshëm me krishterimin

I intervistuar nga gazeta kishtare italiane Avvenire, para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, të planifikuara për të dielën, 23 shkurt, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore shprehu shqetësimin për konsensusin e madh, që ka partia së djathtës ekstreme AfD. Është e vështirë ta quash demokrat dikë, që mbështet regjimet autoritare dhe nxit racizmin, deklaron prelati, i cili i fton njerëzit të votojnë ata, që janë për sundimin e ligjit, lirinë dhe solidaritetin

R.SH. – Vatikan

“Demokracia është arti i kërkimit dhe i gjetjes së kompromiseve” dhe ajo “është e panegociueshme”: kështu pohon kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Gjermanisë, imzot Georg Bätzing, ipeshkëv i Limburgut, në një intervistë për gazetën kishtare italiane “Avvenire”, rreth zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen të dielën, më 23 shkurt.

Gjermanët do të votojnë për të zgjedhur anëtarët e Bundestagut, dhomës së ulët të parlamentit, përpara skadimit të mandatit në shtator 2025, pasi kancelari socialdemokrat Olaf Scholz humbi besimin e saj në fund të vitit të kaluar. Prelati gjerman mendon se debati aktual politik, që shoqëron periudhën parazgjedhore, vë në diskutim gurët kilomterikë mbi të cilët bazohet demokracia në Gjermani, sidomos “kërkimin e kompromiseve dhe mbrojtjen e pakicave”, që i japin forcë sistemit “edhe në kohë krize”.

I shqetësuar "për konsensusin e madh, deri në 20%, të AfD (Alternative für Deutschland)", parti e së djathtës ekstreme, ipeshkvi i Limburgut shpjegon se "shumë njerëz nuk kanë më besim në politikë", ndërsa jeta e tyre ushqehet me frikë nga shumë risi të botës së sotme, prandaj, për t’u dhënë përgjigje, duhet të impenjohen "të gjitha forcat shoqërore". Nëse shoqëria polarizohet gjithnjë e më shumë, deri në atë pikë sa njerëzit i kundërvihen njëri-tjetrit, pa mundësi pajtimi, “forcat ekstremiste do ta kenë jetën të lehtë”, reflekton prelati, i cili e konsideron “ekstremizmin dhe sidomos, nacionalizmin etnik” të papajtueshëm “me krishterimin”.

Protestë kundër AfD në Duseldorf
Protestë kundër AfD në Duseldorf

Ka nevojë për shpresë dhe besim në të ardhmen

Nga faqet e gazetës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Bätzing shpjegon se Kisha Katolike dëshiron të japë “kontributin e saj për një shoqëri civile”, prandaj, u bën thirrje qytetarëve të Gjermanisë “të shkojnë për të votuar, ta jetojnë demokracinë”. "Vendi ynë ka nevojë për shpresë dhe besim në të ardhmen", thekson ai, "sepse jemi para shumë sfidave dhe ndryshimeve në rendin global: lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila shkel ligjin ndërkombëtar, si edhe trazirat në Lindjen e Mesme e në zona të tjera krize në mbarë botën, e kanë cënuar sigurinë". Duke marrë parasysh “ikjet dhe zhvendosjet” e njerëzve, që po marrin përmasa të tilla, sa tek qytetarët gjermanë shtohet “frika se po pushtohen”, prelati kërkon që politika t’u japë “përgjigje këtyre çështjeve”.

  (AFP or licensors)

Votoni ata, që punojnë për lirinë dhe solidaritetin

Para shqetësimeve të njerëzve "për situatën ekonomike, për ndryshimet klimatike" e, edhe "për teknologjitë e reja si Inteligjenca Artificiale, për forcimin e sektorëve autoritarë të shoqërisë, për çinformimin e qëllimshëm dhe për përpjekjen e diskreditimit të bashkëjetesës demokratike në Gjermani", "politika dhe të gjitha forcat sociale, përfshirë Kishat" duhet "të qëndrojnë të bashkuara", nënvizon kreu i ipeshkvijvë gjermanë.

Gjermania "duhet të vazhdojë ta forcojë Evropën si hapësirë ​​e përbashkët lirie, drejtësie, sigurie dhe përparimi. Njëkohësisht, duhet t'i shërbejë paqes botërore dhe të drejtave të njeriut", nënvizon imzot Bätzing, prandaj, "kemi nevojë për një politikë humanitare në favor të refugjatëve dhe për integrimin më të mirë të emigrantëve".

Ata, që "mbështesin regjimet autoritare dhe miratojnë të ashtuquajturat zgjidhje të tyre për sfidat aktuale, duke nxitur racizmin dhe nacionalizmin, jo vetëm që veprojnë në mënyrë të diskutueshme nga këndvështrimi i imazhit të krishterë të Zotit dhe të njeriut", komenton ipeshkvi i Limburgut, por "vështirë se mund të quhen demokratikë". Së fundi, ftesa “për të votuar në zgjedhjet e Bundestagut për ato parti dhe politikanë, që impenjohen për një Gjermani të bazuar në sundimin e ligjit, në lirinë, hapjen ndaj botës, solidaritetin dhe në mbrojtjen e Krijimit”.

19 shkurt 2025, 11:37