MAP

Transcendenca Transcendenca

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç'është "transhendenca"?

Jubileu u siguron besimtarëve të gjitha lehtësitë për të marrë çka konsiderohet "thesari" i Kishës: ndjesën e plotë, e cila e rikthen shpirtin në gjendjen që ishte, në çastin e Pagëzimit. Kjo realizohet për ne nga Zoti, që është transhendet, pra, që shkon përtej përvojës së prekshme të eksperiencës njerëzore, që i kapërcen kufizimet e njeriut. Duke uruar, që ta përjetojmë këtë transhendencë gjatë Jubileut të sapofilluar të këtij viti, po mundohemi ta shpjegojmë më mirë këtë fjalë

R.SH. / Vatikan

Pse Jubileu është ngjarje kaq e rëndësishme për katolikët? Përgjigja është e thjeshtë: ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të arritur shëlbimin dhe për të eksperimentuar shenjtërinë e Hyjit, e cila na shndërron. Në fund të fundit, është dhuratë, që na ndihmon të arrijmë Qiellin. Pse? Sepse u siguron besimtarëve të gjitha lehtësitë për të marrë çka konsiderohet "thesari" i Kishës: ndjesën e plotë, e cila e rikthen shpirtin në gjendjen që ishte, në çastin e Pagëzimit. Kjo realizohet për ne nga Zoti, që është transhendet, pra, që shkon përtej përvojës së prekshme të eksperiencës njerëzore, që i kapërcen kufizimet e njeriut. Duke uruar, që ta përjetojmë këtë transhendencë gjatë Jubileut të sapofilluar të këtij viti, po mundohemi ta shpjegojmë më mirë këtë fjalë, duke u nisur nga Shkrimi Shenjt.

“Në mbarë botën, nuk është askush si unë” (Dalja 9,14). Mund ta përdorim këtë frazë si shprehjen biblike të një koncepti, i cili është quajtur nga filozofia e teologjia me fjalën “transhendencë”. Në vetvete, kjo fjalë tregon tejkalimin, shkuarjen përtej horizontit të krijuar e të kufizuar, prandaj, përcakton absolutin, të amshuarin, të përsosurin, të pasosurin. Për këtë arësye, fjala përdoret për Zotin dhe misterin e tij të pakrahasueshëm e të pashqyrtueshëm dhe arrin të sintetizojë paraqitjen e hyjnisë biblike, ndryshe nga koncepte të tjera, që e konsiderojnë Zotin vetë botën, apo energjinë e saj jetësore.

Bibla mohon reduktimin e hyjnisë në figure, siç dënon Dekalogu, ose siç ndodh në tregimin e viçit të artë (Dalja 34). Përsëritet vazhdimisht se Zoti është “i shenjtë”, pra “i ndarë” nga kuadri i realitetit të krijuar; ekzaltohet fuqia e tij e gjithpushtetshme, dituria e përgjithshme dhe amshimi (shih Psalmin 139/138); deklarohet se është “i tmerrshëm, i shkëlqyer, sublim”. Përvijohet më pas një mënyrë shprehjeje e veçantë për transhendencën, ajo që quhet “pakrahasueshmëria, apo pashqyrtueshmëria” hyjnore.

Ja një sërë frazash, të marra nga Bibla, që tregojnë këtë ndryshim absolut, i cili e bën Zotin krejtësisht “tjetër” në krahasim me realitetin e krijuar: “Nuk ka asnjë njëlloj me Zotin… Kush është si Ti, madhështor në shenjtëri?... Askush s’është njëlloj me Zotin e Izraelit… Nuk ka një Zot si ti… Hyji është përmbi veprat e tij… Unë jam Zoti e nuk ekziston askush tjetër”, e kështu me radhë.
Trashendenca shprehet edhe me simbolin e qiellit që është “përtej”, është “diçka tjetër” në krahasim me tokën: “Zoti e ka fronin në qiej” (Psalmi 11,4); “Zoti është në qiell e ti je në tokë” (Kishtari 5,1): “Ati ynë që je në qiell” (Mateu 6,9). Edhe qiejt kanë rrjedhur prej tij, por Zoti është tjetër në krahasim me to. “Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë!” thotë Salomoni në ditën e shugurimit të tempullit të Jeruzalemit (1Mbre 8,27).

Kjo frazë e mbretit të famshëm të Judesë vazhdon më pas, duke vënë në dukje se transhendenca hyjnore nuk do të thotë izolim e vetmi. Zoti dëshiron t’ia zbulojë veten njerëzve, duke iu përshtatur hapësirës njerëzore të tempullit, në rastin e Salomonit, por më në përgjithësi, Ai, që është i amshuar, vendos të ndërhyjë e të veprojë në historinë e shëlbimit. Shpesh, Zoti përdor engjëjt për të ruajtur pastërtinë e transhendencës së vet, por nuk heziton të bëhet edhe “Emanuel”, “Zoti-me-ne”, derisa mbërrin në kthesën radikale me Jezu Krishtin, që është Bir i Zotit, Fjalë e amshuar dhe e pasosur, por edhe “korp” (trup), i mishëruar në kohë e në hapësirë, që mund edhe të vdesë si njerëzit.

Pa dyshim, Zoti mbetet Zot, mendimet e tij nuk janë tonat, siç thotë Isaia (55,8), gjykimet e tij janë të pashqyrtueshme e rrugët e tij të pavëzhgueshme (Rom 11,33); ai është i pari, e megjithatë, është njëkohësisht me të fundmit, siç pohon Isaija (41,4), i cili e përcakton si një “Zot të fshehur”, pra të mistershëm, që nuk mund të kuptohet me skemat e planet njerëzore. “Unë jam ai që jam”, i deklaron Zoti i shenjtë dhe transhendent Moisiut. E megjithatë, pikërisht ai Zot hyn në histori për të shpëtuar Izraelin. Po ashtu, Ai, që askush nuk e ka parë, do të zbulohet nga biri i tij, dërguar në botë për hir të dashurisë.

13 shkurt 2025, 10:25