ÐÓMAPµ¼º½

Burkina Faso Burkina Faso

Burkina Faso - vriten dy katekistë, zi në Dioqezën e Dédougou

Dhimbje, lot e lutje. Dioqeza e Dédougou, në Burkina Faso, është në zi për vrasjen e dy katekistëve, ndërsa po ktheheshin nga një kurs formimi. Ngjarjet datojnë të shtunën, 25 janar.

R.SH. / Vatikan

Sipas lajmeve nga Dioqeza e Dédougou, lidhur në telefon me Fides, të dy katekistët, Mathias Zongo dhe Christian Tientga, po udhëtonin me një motoçikletë. Me ta, në një motor tjetër, ishin edhe dy katekistë të tjerë. Të gjithë i përkisnin famullisë së Ouakara-s. Katër punëtorët baritorë thuhet se u sulmuan nga një grup burrash të armatosur, fare pranë qytetit të Bondokuy.

Dy katekistët e mbijetuar me sa duket arritën të arratiseshin dhe të gjenin strehim në pyll. Famullitari u alarmua dhe gjeti trupat e pajetë të dy të vrarëve. Kur mbërriti prifti, oficerët e policisë tashmë ishin të pranishëm në vendin e krimit dhe hapën menjëherë hetimin.

Ditët e fundit trupat e dy katekistëve iu kthyen familjeve të tyre (njëri atë i tre fëmijëve e tjetri, i shtatë vocrrakëve). Kështu fundjava e kaluar u kremtua me vaj e varrime solemne. Policia, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, bëri të ditur se çka  ndodhi në fund të janarit, është prita e katërt vdekjeprurëse e ndodhur brenda një kohe të shkurtër, në të njëjtin vend.

Në të gjithë Burkina Fason prej kohësh ka pasur shkallëzim të dhunës, nxitur edhe nga prania e grupeve të ndryshme xhihadiste që luftojnë me njëri-tjetrin për kontrollin e territorit (shih Fides 17/2/2023 dhe Fides 3/9/2024), gjë që ka çuar në arratisjen e rreth dy milionë njerëzve. (F.B.) (Agenzia Fides 17/2/2025)

17 shkurt 2025, 16:56