Kisha pa paqe në Nikaragua: dy struktura kishtare të okupuara nga shteti
R.SH. / Vatikan
Goditje e re, e rëndë për Kishën Katolike në Nikaragua. Oficerët e policisë dhe zyrtarët e prokurorisë së përgjithshme bastisën dje pasdite dy ndërtesa në dioqezën e Matagalpa, që ndodhen në veri të vendit të Amerikës Qendrore, të cilat strehojnë një qendër formimi dhe një strukturë të dedikuar për ushtrime shpirtërore. Të paktën 30 seminaristë, studentë të seminarit kryesor të filozofisë, i vendosur në një pjesë të kompleksit të pushtuar, u larguan nga policia. Për momentin akoma nuk dihet nëse janë arrestuar.
Sulmi më i keq që ka ndodhur ndonjëherë
"Ky është sulmi më i keq që ka ndodhur në historinë e dioqezës së Matagalpa", ka denoncuar meshtari i mërguar i Nikaraguas Erick Díaz në një postim në X, duke iu referuar dioqezës së Matagalpa-s udhëhequr nga ipeshkvi imzot Rolando José Álvarez Lagos, i cili qe liruar nga regjimi pas arrestimit për 528 ditë dhe më pas qe detyruar të braktiste vendin.
Vuajtjet e tjera
Më pak se një javë më parë, qeveria e presidentit Daniel Ortega urdhëroi shpronësimin e qendrës baritore La Cartuja, gjithnjë në pronësi të dioqezës së Matagalpa. Edhe në këtë rast, siç njoftuan disa dëshmitarë okularë, paraushtarakët kishin hyrë në strukturë dhe kishin marrë me dhunë dhjetëra besimtarë të impenjuar në një tërheqje shpirtërore.
Dhjetëra priftërinj të internuar
Sipas një raporti të titulluar Nikaragua: një Kishë e persekutuar? shkruar nga avokatja dhe aktivistja sociale Martha Patricia Molina, që nga viti 2008, vit në të cilin filluan protestat kundër regjimit sandinist, "më shumë se 140 meshtarë Nikaraguanë janë internuar, shumica e tyre i përkasin dioqezës së Matagalpës. Tre ipeshkvij janë ndaluar deri më tani, duke përfshirë Imzot Carlos Enrique Herrera Gutierrez, ipeshkëv i dioqezës së Jinotega dhe president i Konferencës Episkopale të Nikaraguas..