Çelësi i fjalëve të Kishës: Eukaristia në "Besojmën" e Palit VI
R.SH. - Vatikan
Këto ditë, në Budapest të Hungarisë, mbahet Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar, i cili do të përfundojë të dielën me meshën e kryesuar nga Papa Françesku, në ditën e parë të udhëtimit të tij në Budapest e në Sllovaki. Prandaj, sot menduam të flasim pikërisht për Eukaristinë, duke marrë hua fjalët e Papës Pali VI, tashmë shenjt, i cili më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit, pati shqiptuar “Besojmën” e shkruar nga filozofi Jacques Maritain, mik i tij, me pak ndryshime. Në të, Ati i Shenjtë merr në dorë Simbolin e Nikesë, duke e zgjeruar me komente, që u prenë rrugën prirjeve të viteve rreth 1968-ës, që synonin ndryshime në Kishë sipas frymës së botës. Sot, marrim pikërisht pjesën kur shën Pali VI flet për Eukaristinë.
“Krishti nuk mund të jetë i pranishëm në këtë Sakrament – thotë për Eukaristinë, Papa Pali VI – veçse përmes shndërrimit të bukës në Korpin e Tij e përmes shndërrimit të verës në Gjakun e Tij, ndërsa mbeten të pandryshuara vetëm cilësitë e bukës e të verës, që i perceptojmë me anë të shqisave. Ky shndërrim i mistershëm quhet nga Kisha, me plot të drejtë, transubstanciacion (pra shndërrim i substancës, i thelbit të lëndës).Çdo shpjegim teologjik, që përpiqet ta shqyrtojë në një farë mënyre këtë mister, për të qenë në përkim me fenë katolike, duhet të ngulë këmbë në faktin se në realitetin objektiv, pavarësisht nga ne, buka e vera nuk ekzistojnë më pas shugurimit, pasi, që nga ai çast kemi përpara Korpin dhe Gjakun e adhurueshëm të Zotit tonë Jezu Krisht, në formën e lëndëve sakramentore të bukës e të verës (shih Dz.-Sch. 1642, 1651-1654; Pali VI, Litt. Enc. “Mysterium Fidei”), pikërisht ashtu si deshi Zoti, për të na u dhuruar neve si ushqim e për të na bashkuar me Korpin e Tij Mistik (shih S. Th. III, 73, 3).
Ekzistenca e vetme dhe e pandashme e Hyjit të lavdishëm në Qiell nuk shumëfishohet, por bëhet e pranishme nga Sakramenti në vende të shumta të tokës, ku kremtohet Mesha. Pas Flijimit, kjo prani mbetet në të Shenjtnueshmin Sakrament, në tabernakull, zemra e gjallë e secilës prej kishave tona. E është për ne detyrë jashtëzakonisht e ëmbël të nderojmë e të adhurojmë në Hosten Shenjte, që na shohin sytë, Fjalën e Mishëruar, që s’mund të shihet e që, pa zbritur nga Qielli, bëhet e pranishme para nesh.
Ne rrëfejmë se Mbretëria e Zotit, filluar këtu poshtë në Kishën e Krishtit, nuk është e kësaj bote, e cila kalon; e zhvillimi i saj i vërtetë nuk mund të ngatërrohet me përparimin e qytetërimit, të shkencës e të teknikës njerëzore, por ka të bëjë me njohjen gjithnjë e më të thellë të trashëgimisë së pashqyrtueshme të Krishtit, me shpresën gjithnjë e më të madhe në pasuritë e amshuara, me përgjigjen gjithnjë e më të zjarrtë ndaj dashurisë së Zotit dhe, në dëshmimin gjithnjë e më të plotë të hirit e të shenjtërisë ndërmjet njerëzve. Por është pikërisht kjo dashuri, që e bën Kishën të shqetësohet vazhdimisht për pasuritë e vërteta tokësore të njerëzve. Ndërsa nuk pushon s’u kujtuari bijve të vet, se nuk kanë banesë të përhershme këtu poshtë, ajo i nxit edhe të kontribuojnë – secili, sipas thirrjes dhe mjeteve të veta – për të mirën e qytetit të tyre tokësor, të promovojnë drejtësinë, paqen, vëllazërimin ndërmjet njerëzve, të ndihmojnë vëllezërit, sidomos më të varfërit dhe më nevojtarët. Kujdesi i veçantë i Kishës, Nuses së Krishtit, për nevojat e njerëzve, për gëzimet e shpresat e tyre, për përpjekjet e travajët e tyre, nuk është tjetër, veçse dëshira e saj e madhe për të qenë e pranishme, për t’i shndritur me dritën e Krishtit e për t’i mbledhur rreth Tij, Shëlbyesit të tyre të vetëm. Ky kujdes nuk do të thotë kurrë se Kisha pajtohet me gjërat e kësaj bote, apo se e pret me më pak zjarr Zotin e Mbretërinë e amshuar”.