Samiti Afrikan për Klimën: sfida për të dëgjuar fëmijët e kontinentit
R.SH. – Vatikan
Janë fytyra e padrejtësive klimatike. Të mbështetur nga disa organizata si “Save the Children”, fëmijët shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet në Samitin e dytë afrikan për klimën, që zhvillohet në kryeqytetin etiopas, Adis Abeba, nga 8 deri më 10 shtator. Në një deklaratë në ditën e dytë të Takimit, një duzinë organizatash joqeveritare, që impenjohen për të drejtat e fëmijëve në të gjithë Afrikën, ngritën zërin në emër të brezave të rinj, duke u bërë thirrje krerëve të shteteve t'i dëgjojnë ata me përparësi.
Fëmijët janë të parët që preken nga uria
"Fëmijët kanë një organizëm të brishtë, për shkak të moshës, prandaj, mënyra se si ndryshimi i klimës ndikon në shëndetin e tyre është e ndryshme nga mënyra se si ndikon në shëndetin e një të rrituri", pohon Valérie Sorgho Koutou, specialiste e politikave për të drejtat e fëmijëve në organizatën ndërkombëtare “Save the Children”. Në rast përmbytjesh, për shembull, fëmijët janë të parët që preken nga uria, por edhe nga shkatërrimi i infrastrukturës shkollore, shkaktuar prej tyre.
Në Afrikë, një ndër tre fëmijë nën moshën pesë vjeç, ose afërsisht 64 milionë, vuajnë nga varfëri të rënda ushqimore. Kërkesat e tyre për krerët e shteteve, që do të marrin vendime në këtë samit, kanë të bëjnë me mbrojtjen e pyjeve dhe të hapësirave të gjelbra, me përcaktimin e programeve edukative për ruajtjen e natyrës, me përmirësimin e infrastrukturës për administrimin e ujërave të shiut dhe me përfshirjen e tyre në zhvillimin e politikave klimatike.
Gratë në zonat rurale vuajnë edhe më shumë
Të drejtat e të gjithë fëmijëve cënohen nga pasojat e ndryshimeve klimatike, por vajzat dhe gratë, që jetojnë në zonat rurale vuajnë edhe më shumë prej tyre. Në përgjithësi, ato kanë për detyrë të sjellin ujin në shtëpi. Në kohë thatësire, kërkimi i burimeve të ujit bëhet më i gjatë dhe më i vështirë. "Vajzat ecin me kilometra dhe mungojnë në shkollë", vë në dukje këshilltarja e “Save the Children”, një udhëtim gjatë të cilit ato janë "të ekspozuara ndaj lloj-lloj formash ngacmimi, përfshirë ngacmimin seksual", shton ajo.
Për më tepër, shpjegon Valérie Sorgho Koutou, në rastin e korrjeve të pamjaftueshme, ose të prindërve që nuk janë në gjendje të kujdesen për fëmijët e tyre, "vajzat jepen për martesë shumë herët, para moshës 18 vjeç, pasi kështu ka një gojë më pak për të ushqyer".