ÐÓMAPµ¼º½

Shën Egjidi Abat Shën Egjidi Abat

Më 1 shtator kalendari kujton Shën Egjidin, Abat

Gjurmët e shenjtorëve të Mesjetës shpesh janë "fshehur" pas tregimeve popullore me karakter legjendar. Megjithatë, ato flasin për një Evropë të mbushur me dëshmitarë të fesë së krishterë që kanë kontribuar në ndërtimin e një kulture fetare dhe humaniste të çmuar për të gjithë Kontinentin e Vjetër. Ndër këta është Egjidi, eremit dhe abat i shenjtë, jeta e të cilit vendoset midis shekullit të VI dhe të VIII në Camargue.

R.SH. - Vatikan

Gjurmët e shenjtorëve të Mesjetës shpesh janë "fshehur" pas tregimeve popullore me karakter legjendar. Megjithatë, ato flasin për një Evropë të mbushur me dëshmitarë të fesë së krishterë që kanë kontribuar në ndërtimin e një kulture fetare dhe humaniste të çmuar për të gjithë Kontinentin e Vjetër. Ndër këta është Egjidi, eremit dhe abat i shenjtë, jeta e të cilit vendoset midis shekullit të VI dhe të VIII në Camargue, në jug të Arles, në Francë.

Epoka në të cilën jetoi Egjidi, Abat (në frëngjsht Zhil), nuk njihet me saktësi. Disa mendojnë se është fjala për Egjidin që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë se jetoi një shekull e gjysmë më vonë dhe e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720 e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së tij.

E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë.  Në vetratat, Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes së një mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari tjetër. Por duhet të kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814. 

Varri i Shenjtit, që nderohet në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi të jetë i epokës merovingike, ndonëse shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty nga shekulli X, kur u shkrua edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është një përmbledhje gojëdhënash, që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i përforcuar besimtarët në fe. Të shumta - dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë, Belgjikë e Holandë.

Shën Egjidi është pajtor qiellor i vetmitarëve, nënave dhe kuajve. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor e të drenushës. E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit një drenushë për ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vetmuar, larg çdo fytyre njerëzore, në mes të një pylli të dendur. Në familjen françeskane emri Egjid është shumë i dashur, sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri, është shoku i tretë i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend e verë’, që kremtohet më 23 prill.

01 shtator 2025, 10:14