5 shtator Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë në përkujtim të Shenjtës Nënë Terezë
R.SH. / Vatikan
Sot më 5 shtator bie Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë (datë fikse). Dita u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2012 për të pohuar se "bamirësia mund të kontribuojë në promovimin e dialogut midis njerëzve të kulturave dhe feve të ndryshme, si dhe solidaritetit e mirëkuptimit të ndërsjellë". Data e zgjedhur, 5 shtatori, përkujton përvjetorin e vdekjes në vitin 1997 të Shenjtës Nënë Terezë të Kalkutës, Ganxhe Bojaxhiu fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979.
Kremtimi, i themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me rezolutën e miratuar më 17 dhjetor 2012, e kujton shprehimisht Nënë Terezën si model i dashurisë për nevojtarët. Duke pasur parasysh se bamirësia është në shërbim të unitetit shoqëror e të paqes Kombet e Bashkuara duan të sensibilizojnë njerëz e organizata për t’i ndihmuar të tjerët me vepra filantropike.
Për Kishën është shumë domethënës fakti që Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë kremtohet më 5 shtator, në datën e vdekjes së Nënë Terezës, gruas së njohur në mbarë botën si Engjëlli i të varfërve, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, por që kishte si mision kryesor t’i shërbente Zotit në të varfrit më të varfër. Në rrugët e Kalkutës Nënë Tereza u bë instrument në duart e Zotit dhe themeloi kongregatën rregulltare të Motrave Misionare të Bamirësisë, të njohura nga Kisha në vitin 1950. Ndërroi jetë më 5 shtator 1997 dhe është shenjte që nga viti 2016.
Në gjestet e saj të vogla dashuria e pafundme e Zotit
Ftesa për të "bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe" është vetëm një nga mësimet e shumta që Shën Tereza e Kalkutës na ka lënë përmes fjalëve të saj dhe dëshmisë së jetës së saj. Ajo grua e brishtë, e përkulur mbi plagët e të varfërve dhe të të fundmëve të shoqërisë, hyri në zemrën e botës pikërisht kështu, duke bërë çdo ditë, njëra pas tjetrës, shumë gjeste të vogla dhe në fund ajo që Nënë Tereza diti dhe arriti të komunikonte ishte dashuria e pafundme e Zotit për njerëzimin.
Zemra e spiritualitetit të Nënë Terezës përmblidhej në një ftesë të thjeshtë dhe të thellë: "bëj gjëra të vogla me dashuri të madhe". Trashëgimia e saj vazhdon përmes Misionareve të Bamirësisë dhe përmes atyre që, në botë, zgjedhin të jetojnë konkretisht dhembshurinë dhe solidaritetin.