ÐÓMAPµ¼º½

Më 15 gusht takimi mes Trumpit dhe Putinit Më 15 gusht takimi mes Trumpit dhe Putinit

Trump e Putin do të takohen në Alaska, më 15 gusht

Presidenti i SHBA-së dhe Kremlini njoftuan dhe konfirmuan takimin. Volodymyr Zelensky: "Asnjë vendim, pa ne"

R.SH. / Vatikan

Donald Trump me Vladimir Putin do të takohen në Alaska, më 15 gusht, për të kërkuar e arritur, më në fund, marrëveshjen, që çon në zgjidhje paqësore afatgjatë të konfliktit në Ukrainë. Ishte vetë Presidenti i SHBA-së ai që e njoftoi takimin në rrjetin social Truth. Këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov konfirmoi Alaskën si vendin e takimit, duke e përshkruar ngjarjen e shumëpritur nga të katër anët e botës - siç raportohet nga agjencia e lajmeve Tass - si "samit të rëndësishëm, të pritur me padurim nga prijësit e të dy vendeve", të cilët do të diskutojnë gjithashtu edhe për interesat e tyre përkatëse ekonomike, “që kryqëzohen në Alaska dhe Arktik". Kremlini pret që takimi i ardhshëm Putin-Trump, pas Alaskës, të mbahet në tokën ruse: "Ftesa përkatëse për Presidentin e SHBA-së është dorëzuar tashmë", deklaroi Ushakov.

Diplomacia e Witkoff

I dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili ditët e fundit u prit në Kremlin nga Presidenti rus Vladimir Putin, i përshpejtoi ndjeshëm përpjekjet diplomatike. Moska tashmë fliste, ditën e enjte, për "marrëveshje në parim", domethënë, për një samit të ardhshëm të dy udhëheqësve. Trump, i cili ka premtuar vazhdimisht t'i japë fund konfliktit, muajt e fundit foli disa herë në telefon me homologun e tij rus, pa e takuar ende personalisht qëkur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar. Të dy prijësit nuk janë parë ballë për ballë që nga qershori 2019 në samitin e G20 në Osaka të Japonisë, ndërsa Putin nuk ka shkelur në tokën amerikane që nga shtatori 2015, nën Presidentin Barack Obama.

Zelensky: asnjë vendim pa ne

Samiti i 15 gushtit në Alaska do të zhvillohet pa Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar vazhdimisht, e me të drejtë, të flasë. Moska po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga katër rajone pjesërisht të pushtuara (Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson), si dhe nga Krimea, e aneksuar në vitin 2014, si dhe nga furnizimet perëndimore me armë e nga çdo anëtarësim në NATO. Këto propozime janë të papranueshme për Kievin, i cili kërkon tërheqjen e trupave ruse nga territori i saj dhe garancitë perëndimore të sigurisë, duke përfshirë furnizimet e vazhdueshme me armë dhe vendosjen e një kontingjenti evropian, të cilin Rusia e kundërshton.

"Ukrainasit po mbrojnë atë që është gjëja e tyre. Natyrisht, nuk do t'i japim Rusisë asnjë shpërblim për atë që ka bërë. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës është tashmë në Kushtetutën tonë. Ukrainasit nuk do t'ia japin tokën e tyre pushtuesit", shkruan Zelensky në Telegram, duke përsëritur: "Çdo vendim i marrë kundër nesh, pa Ukrainën, do të ishte vendim kundër paqes".

Ndërkohë pasditën e 9 gushtit, në Mbretërinë e Bashkuar u mbajt një samit i zyrtarëve të lartë të Shtetet e Bashkuara, Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe vendeve të tjera evropiane, për përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët përpara samitit të 15-tës.

Sulmet ruse vazhdojnë.

Sikur njofton Wall Street Journal, Presidenti rus Putin i paraqiti administratës Trump propozimin për armëpushim, që përfshin lëshime të rëndësishme territoriale nga Kievi (kalim i rajonit lindor të Donbasit) dhe angazhimin për njohjen globale të pretendimeve të tij. Ndërsa në deklaratat e këtyre ditëve ngarkuar me ngjarje, Trump lë të kuptohet se "shkëmbimet territoriale që përfitojnë të dyja palët" do të ishin pjesë e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

"Populli ukrainas meriton paqe, por të gjithë partnerët duhet të kuptojnë se çfarë është paqja dinjitoze", vërejti Presidenti Zelensky në Telegram, duke theksuar se "kjo luftë duhet të përfundojë, e atë duhet ta përfundojë Rusia! Ishte Rusia që e filloi dhe e zvarriti, duke injoruar të gjitha afatet. Ky është problemi, asgjë tjetër".

Ndërkohë, sulmet e armatosura ruse në territorin ukrainas vazhdojnë pa u pakësuar. Këto ditë disa raketa lundrimi dhe dyzet e shtatë dronë të llojeve të ndryshme - njoftuan Forcat Ajrore të Kievit - goditën zonat kufitare të rajoneve Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Donetsk, si dhe qytetin e Dnipro. Shumë nga pajisjet u rrëzuan ose u neutralizuan nga mbrojtja ajrore ukrainase. Bomba të tjera po shkaktojnë lëndime në distriktet Nikopol dhe Synelnykove dhe në Chuhuiv.

Në një deklaratë, UNICEF raportoi se "në Ukrainë, gjatë javës së parë të gushtit, sipas raportimeve, një fëmijë u vra e të paktën katërmbëdhjetë u plagosën. Sulmet e vazhdueshme që synojnë zonat e populluara kanë  efekt shkatërrimtarë tek fëmijët dhe familjet. Ndalojini sulmet. Mbrojeni çdo fëmijë", përfundon deklarata.

10 gusht 2025, 15:27