MAP

Krishterimi, Judaizmi, Islami Krishterimi, Judaizmi, Islami

Të krishterë, myslimanë dhe hebrenj për paqen: "Duhet ta zhdukim urrejtjen"

Nga Roma, një thirrje e fuqishme jehon deri në Lindjen e Mesme, teatër konflikti dhe tensioni, me propozimin për takimin "e drejtpërdrejtë, jokonvencional dhe jo-denominacional, për të dëshmuar përgjegjësinë e përbashkët" të ipeshkvijve, rabinëve dhe imamëve përballë një situate, që vijon ta kthejë mbarë botën në gërmadhë!

R.SH. / Vatikan

"Kjo thirrje lind nga bindja e nevojës urgjente për takim, që të zhduket urrejtja, të mbrohet bashkëjetesa, të pastrohet gjuha dhe të vendoset paqja. Përgjegjësia është e individëve, e ipeshkvijve, e rabinëve, imamëve dhe e kolektivave!". Këto, fjalët e para të thirrjes ndërfetare, që ushtuan sot në Romë e që u ndoqën edhe nga përfaqësues të komuniteteve hebraike, të krishtera dhe myslimane në të gjithë Italinë.

Nënshkrimet e dokumentit

Thirrja, e nënshkruar nga Noemi Di Segni (Unioni i Komuniteteve Hebraike Italiane), Yassine Lafram (Unioni i Komuniteteve Islame të Italisë), Abu Bakr Moretta dhe Yahya Pallavicini (Komuniteti Fetar Islamik Italian), Naim Nasrollah (President i Xhamisë së Romës) dhe Kardinali Matteo Maria Zuppi, President i Konferencës Episkopale Italiane, kërkon "të gjinden zgjidhje për atë që poshtëron besimet dhe rezistencën tonë".

Vëmendje ndaj Lindjes së Mesme

Këto fjalë kushtuar Lindjes së Mesme, teatër konfliktesh dhe tensionesh gjithnjë e më tragjike, jehojnë veçanërisht:

"Ndërgjegjësimi për kohërat e errëta, që po përjetojmë dhe për fuqinë e iluzionit, që ndikon edhe në tragjedinë e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, na bën thirrje, si udhëheqës të bashkësive fetare, si besimtarë dhe si qytetarë, të denoncojmë përfshirjen e përgjithësimeve të rrezikshme dhe konfuzioneve të dëmshme ndërmjet identiteteve politike, kombëtare dhe fetare".

Nënshkruesit denoncojnë edhe "ligësinë e propagandës që, duke shfrytëzuar naivitetin dhe visheralitetin, errëson gjykimin e shëndetshëm dhe banalizon kuptimin e thellë të vetë njerëzimit tonë", duke nxitur antisemitizmin, islamofobinë dhe neverinë ndaj krishterimit katolik e feve në përgjithësi”.

"Asnjë siguri nuk do të mund ndërtohet kurrë mbi urrejtjen. Si drejtësia për popullin palestinez, ashtu edhe siguria për popullin izraelit, mund të arrihen vetëm përmes njohjes së anasjelltë, respektit për të drejtat themelore dhe gatishmërisë për të komunikuar".

Një propozim konkret

Prej këndej, propozimi konkret për një takim të ipeshkvijve, peshkopëve, rabinëve dhe imamëve në Itali: "Një takim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, jokonvencional dhe jo-denominacional, për të dëshmuar njëzëri përgjegjësinë e përbashkët", me shpresën se bashkësitë fetare mund të organizojnë aktivitete lokale dhe kombëtare me përfshirjen e institucioneve.

"Detyra për të punuar për bashkëjetesë të përgjegjshme na thërret, si fetarë, për nevojën e mbrojtjes së përbashkët, të vlerave të përbashkëta"- vazhdon thirrja, që përfundon me falënderime për dëshmitë e mbledhura javët e fundit në Bolonjë, Milano dhe Torino, në shenjë shprese, në një kohë të dërmuar nga dhuna.

29 gusht 2025, 15:38