Pakistan: në Mariamabad të krishterët e myslimanët, bashkë për t'iu lutur Marisë
R.SH. / Vatikan
Në "shpellën mariane" të Shenjtërores Mariamabad, në provincën pakistaneze të Punjabit, po kremtohet një Jubile i veçantë: të shumtë besimtarët që vijnë këtu në Shtegtim jubilar për ta jetuar me besim të thellë një çast shpirtërisht prekës përkushtimor për kthimin e zemrës dhe lutjeve për hire. Nuk janë vetëm të krishterët që luten në atë vend mrekullish: janë edhe shumë besimtarë myslimanë, që bashkohen për t'ia besuar shqetësimet familjare dhe qëllimet e lutjes Marisë, figurë tejet e mirëpritur dhe shumë e respektuar edhe në Islam. "Në fund të fundit, në Mariamabad - thotë Ati Jahanzeb Iqbal, prift që erdhi këtu nga Karaçi, qytet në jug të vendit - Zoja jonë e Mëshirës nderohet nga të gjithë! Këtu, tek këmbët e shtatores së Marisë, frymëzuar nga shpella e Zojës sonë të Lurdës, besimtarë të çdo feje, kulture dhe etnie, i lënë aty ankthet dhe shpresat e tyre, të sigurt se Nëna jonë Mari do t'i dëgjojë.
Shtegtimi i 8 shtatorit
Në zemër të Punjabit, që nga fundi i viteve 1800, misionarët françeskanë donin të ndërtonin një fshat kushtuar Zojës sonë. Që atëherë, ishte viti 1898, lindi Mariamabadi ("Qyteti i Marisë") për të mirëpritur familjet katolike, si vend kushtuar Zojës, drejtuar nga fretërit kapuçinë të cilët, në vitet pasuese, filluan të ndërtonin një vend adhurimi. Siç kujton agjencia e lajmeve Fides, pas shenjtoreve të para, Mariamabad u ndërtua në vitin 1949 nga frati kapuçin belg Frank Joseph, i cili në vitin 1953 humbi jetën në Mariamabad.
Tani kjo kishë është faltore kombëtare, një nga vendet më të frekuentuara të Marisë në Pakistan, e vizituar nga besimtarë të krishterë dhe myslimanë, të cilët vazhdimisht i kërkojnë Virgjërës hire të veçanta. Në fshatin Mariamabad, misionarët donin të ndërtonin edhe një shpellë të frymëzuar nga Zoja e Lurdës. Në këtë vendndodhje, 90 kilometra nga Lahore, kryeqytet i Punjabit, më 8 shtator organizohet një shtegtim masiv kombëtar në festën e Lindjes të Zojës së Bekuar, që tërheq qindra mijëra njerëz nga i gjithë Pakistani.
Solidaritet dhe afërsi shpirtërore
"Mijëra besimtarë kanë ardhur këtu edhe gjatë Vitit Shenjt dhe vazhdojnë të vijnë për të rizbuluar shpresën", thotë Ati Tariq George, rektor i shenjtërores, që mobilizon të gjitha burimet e mundshme për të mirëpritur shtegtarët, të cilët ngrenë mijëra kampe në natyrë ose strehohen në tenda, në sheshin përpara kishës. Me rastin e Jubileut për katolikët, "një mesazh dashurie, tolerance dhe harmonie rrezaton nga Mariamabadi", thotë James Channan, dominikan nga Lahore, organizator i Qendrës së Paqes, që drejton dialogun myslimano-kristian. Në fjalimet e tij para audiencave ndërfetare, Channan-it i pëlqen të përmendë faltoren Mariane si vend ku realizohet solidariteti dhe afërsia shpirtërore ndërmjet myslimanëve e të krishterëve.
Kjo afërsi është e dukshme edhe në përmbushjen e nevojave materiale: në faltore, qindra vullnetarë dhe bamirës ofrojnë ushqim dhe pije freskuese për shtegtarët që ndërmarrin udhëtime të gjata, ndonjëherë në këmbë për ditë të tëra, për të prekur dhe për të ndjerë shtatoren e Zojës ose për të vendosur një lule rrëzë saj. Mikpritja dhe kujdesi për të tjerët janë të dukshme edhe në mjediset mjekësore, kushtuar atyre që vuajnë nga dehidratimi, tensioni i lartë i gjakut dhe dëmtimet në këmbë. Të pajisur me mjekë dhe infermierë, janë themelorë në ditë të veçanta, si Solemniteti i Ngjitjes së Virgjërës Mari në Qiell (15 gusht) ose festa e 8 shtatorit, kur numri i shtegtarëve i kalon 400,000 vetë.
Njoftim për paqe e dashuri
"Mesazhi i vendosur në hyrje të faltores kujton se të gjitha fetë japin mësime për paqen dhe dashurinë", kujton Ati Channan, duke theksuar kuptimin dhe rëndësinë e shtegtimit, që e shndërron Jubileun për besimtarët katolikë të Pakistanit në ngjarje me aspekte dhe konture ndërfetare: "Çasti i lutjes në Mariamabad është ai i kthimit shpirtëror personal dhe shërimit të brendshëm. Sigurisht është rast për të kërkuar mëshirë për veten dhe familjen, por edhe për t'iu drejtuar Zotit dhe Marisë, duke ia besuar kombin tonë, në përbërjen e tij ndërfetare, dhe për t'u lutur për Papën dhe për paqen në botë".
Leoni XIV, në përfundim të muajit maj kushtuar Zojës sonë, duke thënë rruzaren në Kopshtet e Vatikanit, e përcaktoi si "gjest besimi me të cilin, në një mënyrë të thjeshtë dhe të devotshme, mblidhemi nën mantelin amëtar të Marisë". Ky vit, shtoi Papa Prevost, "na kujton disa aspekte të rëndësishme të Jubileut që po festojmë: lavdinë, udhëtimin, shpresën dhe, mbi të gjitha, fenë e medituar e të manifestuar në kor”. Fenë që, nga Mariamabadi - kumtohet në Pakistan - e në botën mbarë!