MAP

Palestinezët e Gazës në pritje të ushqimit (Reuters) Palestinezët e Gazës në pritje të ushqimit (Reuters)

OKB: "640,000 vetë në rrezik urie deri në fund të vitit, në Gaza”

Në Këshillin e Sigurimit, Zëvendës Shefi i Çështjeve Humanitare i OKB-së bëri një paralajmërim të ri në lidhje me rrezikun e urisë në Gaza, që mund të prekë mbi 640,000 njerëz deri në fund të vitit. Kardinali Pizzaballa e shpalli transferimin e popullatave “imorale". Ndërkohë, dje, një samit i Shtëpisë së Bardhë mbi të ardhmen e Rripit u kryesua nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump: i pranishëm, edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

R.SH. / Vatikan

"Më shumë se gjysmë milioni nga banorët e Gazës, aktualisht vuajnë nga uria, varfëria dhe rreziku i vdekjes. Deri në fund të shtatorit, ky numër mund të arrijë në 640,000 vetë. Praktikisht të gjithë rrezikohen nga uria e të paktën 132,000 fëmijë nën moshën 5 vjeç pritet të vuajnë nga uria  që tani e deri në mes të vitit 2026". Këtë theksoi Joyce Msuya, Zëvendës Shefe e Çështjeve Humanitare të OKB-së, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, ku përsëriti se "kjo zi buke nuk është rezultat i thatësirës, as i ndonjë forme fatkeqësie natyrore. Është katastrofë e prodhuar e, gjithashtu, rezultat i 22 muajve të shpërndarjes së kufizuar dhe të kompromentuar të furnizimeve themelore humanitare dhe tregtare". Dje, autoritetet e Gazës dhanë njoftimin për vdekjen e katër të uriturve të tjerë. Kriza rëndohet, vazhdojnë Kombet e Bashkuara, për shkak të bllokadës së Izraelit, duke përfshirë edhe shpërndarjen e tendave për refugjatët.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) kërkon riaktivizimin e rrjetit ushqimor

Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se Gaza është "në pikën e fundit". Ndaj bën thirrje për të riaktivizuar urgjentisht rrjetin e saj prej 200 pikash shpërndarjeje ushqimi, për të parandaluar përhapjen e urisë. "Dëshpërimi po rritet ndjeshëm e  shihet nga afër", theksoi Drejtoresha Ekzekutive e WFP-së, Cindy McCain, pasi takoi fëmijë palestinezë që po vdisnin nga uria, "të panjohur" në fotografitë e bëra kur ishin të shëndetshëm. Në orët e ardhshme pritet të mbërrijë një karvan prej 25 kamionësh që transportojnë ndihma ushqimore nga Jordania.

Kard. Pizzaballa: "Zhvendosja e popullatave është imorale"

Dje, "urdhri i evakuimit" i ushtrisë izraelite për Qytetin e Gazës arriti te besimtarët e famullisë ortodokse të Shën Porfirit. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, i cili një ditë më parë, së bashku me Patriarkun Ortodoks Theofilos III, kishte shprehur dëshirën që bashkësitë fetare dhe besimtare të mos largoheshin nga Gaza, përsëriti, në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në Kishën e Karminës në Pavia, se "zhvendosja e popullatave është imorale, e edhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare". Situata sot "është shumë serioze", shtoi.

"Pjesa jugore e qytetit është pothuajse tërësisht e rrafshuar me tokë; në veri, ku ndodhet famullia jonë, 80 përqind është shkatërruar. Nuk ka ushqim". Pastaj është problemi i arsimit. "Askush nuk po flet për këtë", theksoi Patriarku Latin, ndonëse "për të tretin vit, fëmijët nuk do të jenë në gjendje të ulën në bankat e shkollës".Së fundi, "ilaçet nuk po mbërrijnë: pa antibiotikë, është e vështirë të shërohen të plagosurit. Shumë jetojnë në tenda, pa asgjë mbas shpirtit".

Në Shtëpinë e Bardhë, Trump kryeson një takim për Gazën

Në Shtëpinë e Bardhë, u organizua një takim për situatën në enklavën palestineze,  kryesuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Në takim, së bashku me zyrtarët e politikës së jashtme të SHBA-së, mori pjesë ish-kryeministri britanik Tony Blair. Samiti u përqendrua mbi ndihmën humanitare, krizën e pengjeve dhe planet e pasluftës. Sipas "The Times of Israel", plani i diskutuar - tashmë i kritikuar ndërkombëtarisht për zhvendosjen e dyshuar me forcë të miliona palestinezëve - do të përfshinte një "marrëveshje të përkohshme", për të lejuar që rindërtimi të mund të nisë një ditë pas përfundimit të luftës.

Përsëri vdekje nga bombardimet në enklavën palestineze

Ndërkohë, në terren, bombardimet dhe sulmet vazhdojnë në - dhe përreth Qytetit të Gazës, duke shkatërruar disa lagje. Të paktën dymbëdhjetë vetë humbën jetën që nga agimi i këtij mëngjesi, pas bastisjeve të rënda izraelite pranë Rafah, në Rripin jugor.

30 gusht 2025, 12:03