MAP

Nënë Tereza në përvjetorin e lindjes, ikonë shqiptare e dashurisë së Zotit

Për Nёnё Terezёn të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfërit ishin edhe miliona njerëz të përjashtuar, të braktisur, njerëz pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë. Ky qe mesazhi i vetëm i Shenjtës Nënë Terezë: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

R.SH. - Vatikan

Më datën 26 gusht bie përvjetori i lindjes së Shenjtës shqiptare Nënë Terezës, një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar.

Kështu, me mirënjohje të thellë ndaj Zotit sot e kujtojmë Shenjtën Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes. E kujtojmë, e nderojmë ikonën e dashurisë së Zotit, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës, të shqiptarëve dhe të njerëzimit mbarë që e shndërroi botën e mjerimit me shërbimin e pakursyer dhe me buzëqeshjen e saj, e si besimtarë edhe e lusim të ndërmjetësojë pranë Zotit për paqen e familjeve dhe të njerëzimit mbarë.

Shenjtja Nënë Terezё, Ganxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin Osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume, në Vatikan, nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte, po në Vatikan, nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Nënë Tereza e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

E gjithë jeta dhe vepra e Shenjtës Nënë Terezës është një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë dhe dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri dhe me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin Jezus, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Pikërisht këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin, në dritën e dashurisë së Zotit.

Jeta e saj është vërtetë dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur ofruar skamnorëve. Për Nёnё Terezёn, të varfrit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfrit janë edhe miliona njerëz të përjashtuar, të braktisur, pa familje, që kanë etje për jetë, dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur dhe për t’u dashur.

E sot, mënyra më e mirë për të kremtuar e uruar përvjetorin e Lindjes së Nënës sonë të dashur, Ganxhe Bojaxhiut, është të vazhdojmë ta ndjekim dhe imitojmë shembullin e saj, të jemi gjithkund mjete të dashurisë së Zotit për të afërmin e për çdo njeri.

Në përvjetorin e lindjes së Ganxhe Bojaxhiut, zgjodhëm këtë rrëfim bazuar tek libri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime” i José Luis Gonzales-Balado, që tingëllon si testament:

Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten.
Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia dhe mungesat e mia.
Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.
Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.
Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.
Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.
Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.
Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.
Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.
Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.
Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.
Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.
Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.
Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Ju propozojmë njё nga porositё e shumta tё Nënё Terezёs, një nga ato qё pati shqipëruar nё mikrofonat e Radio Vatikanit, ta dёgjojmё zёrin e Nёnёs sonё..e pastaj shqipёrimin nga Drita Haxhiraj..:

Zëri Nënë Terezës
26 gusht 2025, 10:32