Moska njofton takimin ballë për ballë Putin-Trump, për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë
R.SH. - Vatikan
Përpjekja për të biseduar lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë do të përfshijë një samit ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, planifikuar paraprakisht nga të dyja palët për javën e ardhshme, në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Kremlini e njoftoi këtë, por ende nuk po vepron sipas kërkesave të përsëritura të Volodymyr Zelensky-t për të marrë pjesë në takim. Prijësi ukrainas e konsideron samitin "të vetmen mënyrë të gjetjes së zgjidhjes konkrete për t'i dhënë fund konfliktit".
Ndërmjetësimi i SHBA-së
Biseda ndërmjet Rusisë e SHBA-së u nxit nga vizita e fundit në Moskë e të të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, gjatë së cilës thuhet se u fol për një ofertë e pranueshme, që t'i japë fund luftës. Miratimi i takimit nga Kremlini duket se i pezulloi përkohësisht sanksionet kundër Rusisë, shpallur nga Donald Trump, i cili pret qëndrimin e Vladimir Putinit.
Lufta në terren
Ndërkohë Rusia vazhdon përparimin e saj në terren, me një përpjekje të re për të pushtuar qytetin ukrainas të Khersonit, kryeqytetin e rajonit me të njëjtin emër, nga i cili forcat ruse u tërhoqën në fund të vitit 2022. Bombardimet e përsëritura të infrastrukturës dhe të rrugëve kryesore të komunikimit, u përpoqën ta ndajnë në dy pjesë qytetin, i cili shtrihet në bregun e djathtë të grykëderdhjes së lumit Dnjepër. Ura që lidh ishullin e Khersonit, Korabelin, me kontinentin, u godit të dielën e kaluar nga një seri sulmesh ajrore, duke shkaktuar evakuimin e afërsisht 1,800 civilëve të mbetur në ishull.