MAP

Profesor Flamur Gashi para bustit të Shenjtës Nënë Terezë në Sarajevë Profesor Flamur Gashi para bustit të Shenjtës Nënë Terezë në Sarajevë

Prof. Flamur Gashi: Nënë Tereza pasaporta më e mirë evropiane e perëndimore e kombit tonë

Flamur Gashi: "Nënë Tereza figurë emblematike e shqiptarëve, me jetën e veprën e saj duke i dhuruar botës pjesën më humane, ajo tregoi se njeriu për njeriun duhet të jetë njeri. Nënë Tereza me emrin, me veprën dhe me jetën e saj emrin e shqiptarin e çojë kudo në botë"

R.SH. / Vatikan

Sot më 26 gusht kujtojmë 115-vjetorin e lindjes së Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiu, një nga figurat më të ndritura të Kishës dhe të popullit shqiptar.

Po e kujtojmë sot ditën e lindjes së saj, me krenari e frymëzim për jetën, me Profesor Flamur Gashin, intelektual, diplomat e atdhetar, sipas të cilit, "Nënë Tereza me emrin, me veprën dhe jetën e saj emrin e shqiptarin e çojë kudo në botë". 

Profesor Flamur Gashi, cili është njëri ndër themeluesin e shoqatës 'Nënë Tereza' në Kosovë’ në vitin 1990 dhe kryetari i parë i shoqatës 'Nënë Tereza dega Pejë', e konsideron Ganxhe Bojaxhiun si "një simbol të veçantë në rrugëtimin dhe frymëzimin e tij e jo vetëm. Nënë Tereza është pasaporta më e mirë Evropiane, perëndimore e kombit tonë. Nënë Tereza, Ibrahim Rugova dhe Gjergj Kastrioti Skenderbeu janë fytyra jonë, indetiteti ynë dhe pasaporta jonë perëndimore, prandaj kudo të mundemi, këto tri figura duhet lartësohen e të shkojnë në piedistalin e tyre, sepse i bëjnë nder Kombit shqiptar", pohon Flamur Gashi në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News. Ta dëgjojmë bisedën e dom David Xhuxhës me prof. Flamur Gashin:

Flamur Gashi

Prof. Flamur Gashi, pse është mirë të kujtohet përvjetori i lindjes së një personaliteti si Ganxhe Bojaxhiu?

Sa herë kujtohet përvjetori i lindjes së një personaliteti të madh me përmasave botërore siç është Ganxhe Bojaxhiu, çdo njeri të reflektojë nga jeta, nga vepra, nga puna, nga emri dhe nga figura e Shenjtës Nënë Terezë. Sepse datëlindja e Nënë Terezës nuk është datëlindje e një njeriu të thjeshtë, por është datëlindja e një njeriu që botën e bëri ndryshe, që botës i dha pjesën humane, që botës i tregojë se njeriu për njeriun duhet të jetë njeri. Nënë Tereza duhet të kujtohet në datën e lindjes së saj, mbi të gjitha nga ne bashkëkombasit e saj, sepse me emrin,  me veprën dhe me jetën e saj, emrin e shqiptarit e çojë kudo në botë.

Kur jeni njohur me figurën e Ganxhe Bojaxhiut?

Me figurën e Nënë Terezës më thënë të drejtën, unë kame filluar të njihem diku në vitet 80,  79-80, pasi kishte marrë Çmimin Nobel për Paqe. Por, për herë të parë nga afër Nënë Terezën e kam takuar besoj në vitin 1986, kur ka vizituar Shtëpinë e Motrave Bamirësisë në Pejë. Aty, unë si nxënës i shkollës së mesme, kisha një afërsi me priftin e Kishës katolike të Shën Katarinës në Pejë, (tashmë të ndjerin Don Gjergj Gjergji Gashi), qe ishte një humanist i jashtëzakonshëm, një shkencëtar por mbi të gjitha një prijës fetar, i cili, tre kater nxënësve të shkollës së mesme të gjimnazit të Pejës, na tha se do të vije Nënë Tereza në vizitë, por mos e bëni shumë të madhe, dhe ejani ta shihni nga afër. Unë dhe  tre katër shokë e shoqe, kemi shkuar dhe e kemi parë nga afër Nënë Terezën. Nuk e kemi takuar dorë për dore, por e kemi pare nga afër, po themi,rreth dy metra tre metra.  Ndërsa dy takimet tjera me Nënë Terezën, përsëri falë  don Gjergj Gjergji Gashi, ka qenë në vitin 1992 në Tirane, kur Nënë Tereza mbajti një takim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, dhe takimi më i gjatë ka qenë në vitin 1993 kur Nënë Tereza erdhi për të pritur në vizitën e tij baritore në Shqipëri Papën Gjon Palin II. Dhe këtu, kam pas fatin dhe nderin që të rri shumë ma gjatë me Nënë Terezën, nën organizimin e don Gjergj Gjergji Gashit, së bashku me një etnomuzikolog të shquar shqiptar  Prof. Ramadan Sokolin.  Nënë Tereza në të tria takimet, mua më ka frymëzuar, me ka dhënë një lloj energjie të paparë. Me thanë të drejtën, pas vitit 1996, kur e takova nga afër për herë të parë në Pejë, unë u lidha emotivisht me të. Pastaj në vitin 1990 me një grup intelektualesh nga Kosova me në krye don Lush Gjergjin dhe shumë të tjerë, themeluam Shoqatën ‘Nënë Tereza’ dhe fati deshi që unë të isha Kryetari i parë i Shoqatës Nënë Tereza dega në Pejë.  Lidhja ime emocionale ka vazhduar gjatë me Nënë Terezën, deri në ditët e sotme. Kështu që për mua Nënë Tereza është një simbol i veçantë në rrugëtimin tim dhe në frymëzimin tim.

Ju keni njohur nga afër Presidentin Rugova, i cili pati një afërsi të veçantë me Nenën Terezë, çfarë i lidhte?

Po është e vërtet që kam njohur nga afër Presidentin Rugova. Çfarë kanë të përbashkët? Një gjë është jashtëzakonisht e rëndësishme që kanë të përbashkët këto dy personalitete, Presidenti Rugova dhe Shën Nënë Tereza. Në pamje të parë të dy ishin të butë, por në qëndrime, në veprime dhe në sjellje të tyre, ishin granit. Edhe Nënë Tereza edhe Presidenti Rugova vërtet ishin humanist, por ishin këmbëngulës dhe të pathyeshëm në ato që ata donin të bënin. Pra Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova për mua janë një binom i Shenjtë që i ka lindur Kombi shqiptar.

Në veprimtarinë tuaj shumëdimensionale në nivel ndërkombëtar e kombëtar, ju keni shpalosur mesazhin e Nënë Terezës dhe kudo që keni vepruar, keni vendosur një përmendore të saj, nga Bosnja deri, pak ditë më parë, në Guci, pse ?

Po. Unë kur kam qenë në Bosnje e Hercegovinë si Ambasador i Republikës së Shqipërisë, në përfundim të mandatit si Ambasador, kamë kërkuar nga kryetari i kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë, që të më lejohet një shesh a një vende ku mund të vendosi Shtatoren e Nënë Terezës. Dhe pas përfundimit të mandatit me disa miq të mi, kemi realizuar vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në qendër të Sarajevës, në ditën e ardhjes së vizitës baritore në Sarajevë të Papa Françeskut. Ka qenë një akt i jashtëzakonshëm, një gjë e jashtëzakonshme e cila ka pasur jehonë  tepër të madhe, jo vetëm ne opinionin e Bosnje Hercegovinës por edhe në opinionin ndërkombëtar. Shumë media shkruanin së vëllezërit e Nënë Terezës në Sarajevë, sot po e presin Papa Françeskun me shtatoren e Nënë Terezës.

Para  disa ditëve në Guci u vendos një bust i Nënë Terezës, ku unë, me shumë kënaqësi, shkova të marrë pjesë me ftesën e mikut tim  don Gabriel Grabonica dhe të zotit Kolë Zagrada, i cili ishte donator i këtij busti të Nënë Terezës. Dhe them se Nënë Tereza shkojë aty ku shqiptarët kanë më së shumti nevojë. Aty ku shqiptarët ndjehen të përbuzur, ndjehen të anashkaluar, ndjehen të anatemuar në trojet e tyre si në Plavë e Guci. Nënë Tereza i dha ngjyre tjetër, i dha një atmosferë të jashtëzakonshme Plavës e Gucisë. 

Unë kamë marrë pjesë  në dhjetëra vende ku është vendosur shtatorja e Nënë Terezës. Kam dhanë kontributin tim modest në vendosje të këtyre shtatoreve, dhe do të vazhdojë me këtë kontribut timin modest, sepse Nënë Tereza është pasaporta më e mirë evropiane-perëndimore e kombit tonë. Nënë Tereza, Ibrahim Rugova e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, janë fytyra jonë, identiteti ynë dhe pasaporta e jonë perëndimore. Prandaj kudo mundemi, këto tri figura duhet të lartësohen dhe të shkojnë në piedestalin e tyre, sepse i bëjnë nder Kombit shqiptar.

Si popull i saj, çfarë do të duhej të ruanim e mishëronim nga vepra e mësimet e saj në jetën tonë përditshme shoqërore?

Shumë çka, shumë çka. Ne si komb kemi nevojë të shkojmë në rrugën e Nënë Terezës, së parit me njëri tjetrin, pastaj edhe me të tjerët. Sepse Nënë Tereza na ka mësuar dhe na ka lanë postulatin e saj jetësor: “ne nuk mund të bëjmë gjera të mëdha, por mund të bëjmë gjera të vogla me dashuri të madhe”. Dhe mbi të gjitha, gjërat e vogla me dashuri të madhe t’i bëjmë për vete, për familjet tona, për kombin tonë, për njerëzit që na rrethojnë, por edhe për mbarë botën. Në këtë kohë kaq të trazuar dhe në këtë kohë luftërash, Nënë Tereza, shërbimi i Nënë Terezës dhe lajtmotivi i Nënë Terezës për paqe dhe dashuri, do të ishin mesazhi më i madh edhe për botën mbarë.

Ju falënderojmë e ju urojmë gjitha të mirat

Ju faleminderit shumë

 

26 gusht 2025, 14:01