Shenjtorët e javës 27 korrik – 3 gusht
R.SH. – Vatikan
Sot, në të dielën XVII të vitit kishtar C, Kisha Katolike kremton Ditën Botërore të gjyshërve dhe të moshuarve. Gjithashtu, ajo përkujton shën Pantaleun, mjek e martir; shën Çelestinin I, papë; shën Aurelin, martir i Kordovës e shën Simeonin Stilita.
Nesër, më 28 korrik, ndër shumë të tjerë, përkujtohet shën Viktori I, papë. U zgjodh në selinë e Shën Pjetrit më 189 dhe vdiq dhjetë vjet më vonë. Gjatë pesë viteve të para të papnisë së tij, perandor i Romës ishte Komodi, i cili nuk e vijoi përndjekjen e të krishterëve falë ndërmjetësimit të Marcjes, e cila kishte simpati për besmtarët në Krishtin dhe për të cilën perandori kishte dobësi. Papa Viktori mbrojti me vendosmëri fenë e pastër dhe dënoi lëvizjet e ndryshme heretike, që sulmonin doktrinën e Trinisë. Nuk ka të dhëna të sakta për vdekjen e tij, por duke qenë se gjysmën e dytë të papnimit e ushtroi nën përndjekjen e ashpër të perandorit Septimius Severius, që herët u krijua bindja se vdiq i martirizuar. Po nesër, Kisha përkujton shën Urbanin II, papë; si edhe martirët milanezë, shenjtorët Nazario e Celio.
Më 29 korrik përkujtohet Shën Marta. Është motra e Marisë dhe Lazrit nga Betania, që e kanë po sot festën e tyre liturgjike. Në shtëpinë e tyre mikpritëse ndalej Jezusi, kur gjendej në Jude për të predikuar. Ungjilli na e paraqet Martën si gruan shtëpiake, të kujdesshme dhe të përkushtuar për të pritur si duhet bujtësin hyjnor. Marta shfaqet përsëri në Ungjillin sipas Gjonit, në ngjarjen dramatike të ringjalljes së Lazrit, ku kërkon mrekullinë e madhe, duke shpallur, me thjeshtësi e në mënyrë të mahnitshme, besimin në gjithpushtetësinë e Shpëtimtarit, në ringjalljen prej të vdekurve dhe në hyjninë e Krishtit. Po të martën e ardhshme, përkujtohen edhe shën Simpliçi, shën Faustini, shën Beatriçe e shën Rufo, martirë; shën Feliçi martir e shën Louis Martin, punëtor laik, baba i shën Terezës së Lisieux.
Më 30 korrik, ditën e mërkurë, përkujtohet shën Pjetër Krizologu (Fjalarti). Më 433 u shugurua ipeshkëv i Ravenës nga Papa Siksti III. Nga 180 predikimet që janë ruajtur, del figura dhe personaliteti njerëzor e baritor i Pjetrit, kultura e tij e gjerë, karakteri i tij i ngrohtë dhe qartësia e fesë. Ravena e kohës së tij është udhëkryq i të gjitha lëvizjeve fetare e politike. Kur nga Kostandinopoja e pyetën për mendimin që kishte në lidhje me dy natyrët e Krishtit, Pjetri u përgjigj me pranimin e vendimit të Papës. Përgjigjja e tij e shkruar është e përpiktë dhe gjuha që përdor miqësore dhe e përzemërt.
Më 31 korrik, të enjten e ardhshme, përkujtohet Shën Injaci i Lojolës, meshtar. Protagonisti i madh i reformës katolike të shekullit XVI u lind në Azpeitia (zona bake e Spanjës), më 1491. Filloi karrierën kalorsiake, por përjetoi kthimin rrënjësor në fe, duke lexuar jetët e shenjtorëve, gjatë një periudhe pushimi për shërimin e një plage në gju. Rrëfeu mëkatet e tërë jetës në manastirin benediktin të Monserratit, hoqi rrobat kalorsiake dhe premtoi pastërti të përjetshme. Kaloi më se një vit në lutje në qytezën e Manrezës, ku vendosi të themelonte Shoqërinë e rregulltarëve. Në vetminë e një shpelle, filloi të shkruante një sërë meditimesh dhe normash, të cilat i përpunoi më vonë dhe i paraqiti si Ushtrimet Shpirtërore. Priftërinjtë shtegtarë, që iu bashkuan misionit të tij, u quajtën që në fillim jezuitë dhe u përhapën në mbarë botën. Më 27 shtator 1540 Papa Pali II miratoi Shoqërinë e Jezusit. Injaci vdiq më 31 korrik 1556.
Një tjetër shenjt i madh, Shën Alfons Maria de Liguori, përkujtohet të premten, më 1 gusht. U lind në Napoli, më 27 shtator 1696, në një familje fisnike e qytetit. Studioi filozofi dhe drejtësi. Pas disa vitesh si avokat, vendosi t’i kushtohej krejtësisht Zotit dhe u shugurua meshtar më 1726. Punoi me përkushtim me banorët e lagjeve më të varfra të Napolit. Në maj 1730 u takua me disa barinj të maleve të Amalfit dhe, pasi u njoh me gjendjen e tyre të rëndë njerëzore e fetare, vendosi të shkojë e të jetojë mes tyre, duke themeluar kongregatën e Redemptoristëve. Më 1760 u emërua ipeshkëv i Shën Agatës dhe udhëhoqi me devotshmëri grigjën e Krishtit deri kur ai i Lumi e thirri në qiell, më 1 gusht 1787.
Më 2 gusht, ditën e shtunë, përkujtohet Shën Euzebi, ipeshkvi i parë i Verçelit (Piemont). Përforcoi Kishën këndej Alpeve dhe i qëndroi besnik doktrinës së Nikesë, gjë për të cilën u dëbua në Kapadoki. U kthye në selinë e vet ipeshkvnore pas tetë vitesh dëbim dhe iu kushtua plotësisht mbrojtjes së rajonit nga përhapja e herezisë ariane.
Më 3 gusht është e diela XVIII e vitit kishtar C, festa e Zotit. Kisha Katolike përkujton shën Lidien, dishepulle e shën Palit, e cila përmendet në Veprat e Apostujve. Nga pagane, ajo u bë e krishterë, pasi dëgjoi predikimin e shën Palit apostull, duke arritur ta kthejë në udhën e Krishtit edhe familjen. Pali e Sila, thuhet në Veprat e Apostujve, shkuan në shtëpinë e Lidies, kur dolën nga burgu. Lidia përshkruhet si grua e përshpirtshme, mikpritëse dhe e gatshme për bamirësi jo vetëm ndaj shën Palit, por edhe ndaj shumë nevojtarëve.