Një luan për Papën, dhuratë e Urdhrit të Maltës
R.SH. / Vatikan
Në zemër të Romës, një luan madhështor prej bronzi duket në kopshtet e Vilës Magjistrale të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, në Aventin., në Romë. Krijon një dialog të heshtur ndërmjet artit, natyrës dhe përshpirtërisë! Skulptura, e vendosur nga Urdhri dhe Galeria Kombëtare e Artit Modern e Bashkëkohor të Romës, është dhuratë për Papën, që zgjodhi emrin Leon, (në shqip, Luan). Vepra, pjesë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore dhe fetare, e pasuron pamjen e Qytetit të Amshuar - Romëm me një simbol force e mbrojtjeje të kujdesshme.
Zgjedhja për ta vendosur skulpturën madhështore në një vend përplot me vlera historike dhe fetare, lidhet me qëllimin për të krijuar një urë ndërmjet përmasave të ndryshme të përvojës njerëzore: artistikes, natyrores dhe shpirtërores.
Luani përparon me kokë poshtë e me bisht të lakuar lart, duke u interesuar ndaj ambientit përreth, sipas gjuhës së trupit të luanëve. Nuk shfrenohet, as nuk ka qëndrim agresiv: të shikon paqësisht.
Një dhuratë e heshtur për Papën Leoni XIV
Luani, që mund të shikohet fare mirë përmes "vrimës së çelësit" të Sheshit të Kalorësve të Maltës (Piazza dei Cavalieri di Malta), është pjesë e një konteksti që lidh qytetin e Romës me historinë e tij shpirtërore. Prania e këtij bronzi, u krijua nga artisti romak Davide Rivalta si dhuratë e heshtur për nder të Papës. Zgjedhja e një simboli kaq të fuqishëm, si mbreti i pyllit, të kujton menjëherë mesazhin e forcës dhe kundrimin e qetë, elementë-bazë të misionit të Urdhrit dhe marrëdhënies me përshpirtërinë!
Arti, urë lidhëse ndërmjet natyrës dhe përshpirtërisë
Davide Rivalta, i njohur për veprat e tij monumentale të kafshëve, arrin edhe këtë herë të kapë thelbin e krijesave që duken si të ishin pezull ndërmjet realizmit e simbolizmit. Skulpturat e tij, shpesh të vendosura në hapësira publike dhe institucionale, si nën portikun e Cortile d'Onore të Quirinale-s, dallohen për intensitetin e tyre shprehës dhe elegancën e matur. Luani, në veçanti, skalitet si prani solemne, e aftë të komunikojë pa ulëritur, si figurë fisnike që është.
Një urë lidhëse midis të kaluarës dhe të tashmes
Vendosja e luanit në kopshtet e Vilës Magistral të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës përfaqëson edhe lidhjen ndërmjet rrënjëve historike të Romës dhe interpretimeve bashkëkohore të simboleve universale. Prania e kësaj skulpture fton për një reflektim të heshtur mbi vazhdimësinë e vlerave të tilla si mbrojtja, forca dhe përshpirtëria.
"Luani flet pa ulëritur", pohon Fra' John T. Dunlap, Mjeshtër i Madh i Urdhrit Sovran të Maltës. "Është ftesë për të njohur fuqinë e qetësisë, mbrojtjen, që shprehet pa nevojën e fjalëve dhe përshpirtërinë, që duket në kundrim".