Gaza, masakrim i fëmijëve
R.SH. - Vatikan
Pyetja, që nuk mund të mos e bëjmë, është: pse? Pse kaq shumë jetë po shkurtohen, kur nuk janë ende gati të lulëzojnë në moshë madhore? Dje në Gaza, ndodhi një tjetër masakër fëmijësh. U sulmuan kur ishin të pambrojtur, ndoshta në çastin e tyre më të prekshëm: nëntë u vranë ndërsa prisnin në radhë për të marrë ushqim dhe ndihmë në Deir el-Balah. Po flasim për ushqime terapeutike, prandaj "shpëtuese jete" dhe dyfish të domosdoshme. Në një kohë kur numri i fëmijëve të vdekur që nga fillimi i luftës e ka kaluar numrin 20,000. Thua janë hapur njëzet mijë varre për trupa të njomë, që nga fillimi i luftës...???
Padija e UNICEF-it
Nuk ka asnjë përgjigje të besueshme, për këtë pyetje retorike. Është e qartë se mbetet pas vetëm zemërimi dhe dëshira për t’i dhënë fund gjakderdhjes! Është thjesht "e pakonceptueshme", deklaroi mbrëmë Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Në turmë ishin nëna që shpresonin për "shpëtimin e fëmijëve të tyre pas muajsh urie dhe dëshpërimi". Në vend të kësaj, të mbijetuarat që nuk ranë nën zjarrin e armëve, u detyruan t'i vajtonin fëmijët në shtretërit e spitalit. Ky është "realiteti mizor me të cilin ndeshen banorët e Gazës sot": së pari të uritur për shkak të mungesës së "ndihmës së pamjaftueshme të lejuar në territor", tani të vrarë në një konflikt ku "përgjegjësitë themelore për të mbrojtur civilët" po shpërfillen. E fëmijët "rrezikohen të vdesin nga uria, ndërsa rreziku i urisë rritet", përfundoi ajo.
Papën Leoni XIV e tmerron përdorimi i urisë si armë lufte
Papa Leoni XIV, në një mesazh drejtuar FAO-s disa ditë më parë, shprehu zhgënjimin e tij kundër "përdorimit të padrejtë të urisë si armë lufte". Të vrasësh fëmijët do të thotë të vrasësh të ardhmen, e kështu edhe shpresën e paqes së vërtetë për Gazën dhe Palestinën. Me rrezikun që të paktët, të cilët do të mbijetojnë, të rriten duke u dehur nga fanatizmi dhe urrejtja, që deshën ta zhdukin.
OKB: pas 130 ditësh, hyrja e karburantit në Rrip
Ndërkohë, për herë të parë gjatë 130 ditësh, OKB-ja ia doli mbanesh të realizonte hyrjen e karburantit në Rripin e Gazës, ndonëse, thotë një zëdhënës i OKB-së, "nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar as nevojat e një dite për energji". E nga bisedimet nuk ka asnjë lajm përfundimtar: bisedimet vazhdojnë në Doha, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netahyanu largohet nga Uashingtoni.
Por edhe sa duhet pritur, para se të marrë fund "humnera e poshtërimit?”.