ÐÓMAPµ¼º½

Darfur, drama e fëmijëve në konfliktin sudanez (AFP ose licensues) Darfur, drama e fëmijëve në konfliktin sudanez (AFP ose licensues)

Darfuri, drama e fëmijëve në konfliktin sudanez

Lufta në Sudan e ka tronditur thellësisht vendin, duke shkaktuar një krizë humanitare të përhapur në të katër anët. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Sudan (UNMISS) kujton të paktën 739 të vdekur ndërmjet janarit dhe marsit, 679 plagosje, 149 rrëmbime. Sot, 30.4 milionë njerëz, mëse gjysma e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë humanitare, por sistemi i kujdesit shëndetësor po shembet: më shumë se një ndër tre spitale nuk funksionon më

R.SH. / Vatikan

Lufta civile e ushtrisë sudaneze me Forcat e ndihmës së shpejtë (RSF), që shpërtheu në prill 2023, vazhdoi, pa u pakësuar aspak, për më shumë se dy vjet, duke detyruar afërsisht 14 milionë njerëz të largohen nga atdheu i tyre. Sipas OKB-së, mbi 30 milionë sudanezë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare. Në Darfur, konflikti ka pasur pasoja veçanërisht shkatërruese. E fëmijët janë ndër viktimat më të ligshta: mes traumave, shpërdorimeve, humbjes së familjes.

Fëmijëri e "vjedhur" nga terrori

Dëshmitë e mbledhura nga Save the Children në rajonet më të prekura të Darfurit, ta këpusin shpirtin! Çdo histori flet për fëmijë që e panë botën e tyre të shkatërruar nga grupet e armatosura, të detyruar të ikin, të largohen nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar veten nga vdekja e sigurt. Fëmijë që panë, të tmerruar, ekzekutimet publike, panë trupat e fqinjëve të tyre në rrugë dhe vdekjen që afrohej pa mëshirë. Kampi i refugjatëve Zamzam, një nga më të mëdhenjtë në vend, u shkatërrua. Atje jetonin më shumë se 500,000 njerëz, 260,000 prej të cilëve, fëmijë.

Pranverën e kaluar, një valë e re dhune preku drejtpërdrejt kampin Zamzam dhe detyroi pothuajse të gjithë popullsinë të ikte në Tawila, ku shpresa për të gjetur një strehë të sigurt u shndërrua në një iluzion tjetër. Kushtet në kampe nuk janë përmirësuar kurrë dhe vuajtjet vazhdojnë të rriten.

Vajzat, viktima të një lufte çnjerëzore

Nëse lufta ka qenë gjithmonë dhunë mizore, në Darfur ka një përmasë edhe më shkatërruese për vajzat. Dhuna seksuale është përdorur si  mjet shtypjeje, si armë që shkatërron shpirtrat dhe dinjitetin njerëzor. Vajzat janë viktimat më të cenueshme dhe vuajtja e tyre, shpesh e padukshme,  fshihet në hijet e dhimbjes. Më shumë se gjysma e vajzave të intervistuara nga Save the Children - 53% të moshës 12 e 18 vjeç - pohuan se ishin shpërdoruar seksualisht, ndërsa përpiqeshin të mbijetonin. Duke ecur kilometra të tëra në kërkim të ujit ose një vendi të sigurt, këto vajza u bllokuan në një makth të pafund. Në çdo hap që hedhin, i pret rreziku i dhunës, i abuzimit, i poshtërimit.

Ndarja nga familjet

Dhimbja e këtyre fëmijëve nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale. Shumë prej tyre janë bërë jetimë në një çast, duke parë familjet e tyre të shndërruar në një grumbull eshtrash e gjaku në mes të konfliktit. Disa kanë humbur nënat nga uria, sëmundjet ose dhuna; të tjerë kanë parë baballarët e tyre të vdesin në duart e ushtarëve. Të tjerë janë ndarë nga të dashurit e tyre gjatë ikjes, të detyruar të enden pa qëllim, të pasigurt nëse do t’i shihnin ndonjëherë përsëri prindërit. I tillë është rasti i një djali 12-vjeçar, një nga jetimët e shumtë të konfliktit: gjatë sulmit në kampin Zamzam, u përpoq më kot të gjente siguri, por familja e tij u shpërnda. Ai iku me shpresën se do t’i takonte prindërit, por kërkimi qe i kotë. Mbërriti në Tawila, po gjeti vetëm boshllëk. Vetëm vetmi, pa familjen e tij, pa asnjë siguri, pa të ardhme...

14 korrik 2025, 14:51