Më 10 korrik kalendari kujton shën Rufinën e Shën Sekondën, martire
R.SH. - Vatikan
Duke shfletuar kalendarin, me 10 korrik Kisha përkujton Shën Rufinën e Shën Sekondën, martire romake. Motra në jetë, në fe dhe në martirizim: shenjtoret Rufina dhe Sekonda na flasin për një Ungjill që forcon lidhjet dhe na shndërron në dëshmitarë të dashurisë së Zotit. Sipas traditës, të dyja ishin të fejuara, por bashkëshortët e tyre të ardhshëm, të krishterë, kishin braktisur fenë nga frika e persekutimeve të ashpra të asaj kohe (kjo ngjarje ndodhi rreth vitit 260).
Të dhënat që kemi për martirizimin e Rufinës e të Sekondës përkojnë plotësisht. Të dënuara, nën Valerianin e Galenin, nga prefekti Gjunio Donati, u martirizuan në Romë në miljen e dhjetë të rrugës Cornelia. Sipas traditës, shenjtoret ishin motra e të fejuara me dy të rinj të krishterë.
Pasi të fejuarit e mohuan fenë, vashat bënë kushtin e virgjërisë së përjetshme, gjë që të rinjtë nuk deshën ta pranojnë në asnjë mënyrë. Si nuk ia dolën mbanesh t’i bënin për të hequr dorë nga feja, e aq më pak nga kushti i virgjërisë, të rinjtë i paditën ish-të fejuarat si të krishtera. E ato e pranuan publikisht fenë në Krishtin. I çuan, atëherë, në miljen e dhjetë të rrugës Kornelia, në një zonë të quajtur Buxo (sot Boçea), ku Rufinës i prenë kokën, ndërsa Sekondën e rrahën për vdekje.
Kjo skenë, e pikturuar nga tre piktorë të shquar, ruhet në Pinakotekën e Brerës, në Milano. Trupat e virgjërave u lanë mbi dhe që të shqyheshin nga egërsirat, por një matronë romake, me emrin Plautila, si i pa në ëndërr martiret, të cilat i treguan vendin e martirizimit, i mori reliket e tyre e i varrosi me nderim të thellë, duke u kthyer menjëherë në fenë e virgjërave –martire.
Mbi varrin e tyre që në shekullin IV Papa Juli I (341-353) lartoi një bazilikë, që u rindreq më pas nga Papa Adriani I (772-795), ndërsa Papa Leoni IV (847-855) e pasuroi me dhurata artistike të denja për emrin e martireve.