ÐÓMAPµ¼º½

Elena Beccalli, presidentja e re e Federatës Evropiane të Universiteteve Katolike (FUCE) Elena Beccalli, presidentja e re e Federatës Evropiane të Universiteteve Katolike (FUCE)

Rektorja Beccalli do të drejtojë Federatën Evropiane të Universiteteve Katolike

Zgjedhja e rektores së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit u zhvillua dje, më 6 qershor, në Leuven. Do të jetë italianja e parë dhe gruaja e parë e cila do të koordinojë rrjetin akademik që bashkon 62 universitete katolike, nga të cilat 56 të pranishme në 17 vende evropiane dhe 6 në Liban

R.SH. - Vatikan

Elena Beccalli, rektore e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, u zgjodh dje, më 6 qershor, në Leuven, presidente e Federatës të Universiteteve Katolike Evropiane (FUCE), seksion evropian i "Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike" (IFCU). Profesoresha Beccalli do të drejtojë rrjetin akademik të 62 universiteteve katolike, nga të cilat 56 janë të pranishme në 17 vende evropiane, 6 në Liban. Presidentja e re pason Profesorin Michael Mullaney, president i Kolegjit të Shën Patrikut në Maynooth, Irlandë. Elena Beccalli është italianja e parë e edhe gruaja e parë që do të kryejë këtë detyrë tejet të rëndësishme, e cila do të zgjasë tre vjet.

Pikë referimi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor

Federata e Universiteteve Katolike Evropiane (FUCE), e themeluar në vitin 1991, me seli në Francë, në Universitetin Katolik të Lionit, është pikë e rëndësishme referimi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në kontekstin arsimor evropian dhe ndërkombëtar. Profesoresha Beccalli në programin e saj strategjik kujton disa përparësi për të konsoliduar praninë e FUCE në Evropë dhe në botë. Ndër to, forcimi i partneriteteve dhe aleancave strategjike ndërmjet universiteteve katolike evropiane; nxitja e programeve të diplomave të dyfishta; krijimi i programeve të lëvizshmërisë për mësuesit, studiuesit e rinj dhe stafi tekniko-administrativ; zhvillimi i programeve të përbashkëta kërkimore dhe propozimi periodik i projekteve të përqëndruara në çështjet kryesore të kohës sonë.

Qëllimi është që universitetet katolike të kontribuojnë në mënyrë aktive në ringjalljen e identitetit evropian dhe rrënjëve të tij. Kjo do të riafirmojë rolin qendror të arsimit dhe të kulturës, të cilat kanë qenë gjithmonë gurët e themelit të qytetërimit evropian. Sipas Rektorit të Universitetit Katolik, ky proces, i bazuar mbi dialogun dhe vlerësimin e diversitetit ndërmjet universiteteve të Federatës, mund t'u japë shtytje projekteve të afta për të siguruar përfitime brenda federatës, por edhe jashtë institucioneve dhe shoqërisë. "Nëse njihen dhe mbështeten në mënyrë të mjaftueshme brenda politikave të BE-së, universitetet katolike mund ta forcojnë idenë e Evropës dhe të ndihmojnë në realizimin e saj konkret, duke rikthyer shpirtin e Bashkimit", kujton presidentja e re e FUCE.

Rektorja e re

Rektore e re e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit që nga data 1 korrik 2024, Elena Beccalli është profesoreshë e Ekonomisë së Ndërmjetësve Financiarë në Fakultetin e Shkencave Bankare, Financiare dhe të Sigurimeve, ku shërbeu si dekane për një dekadë. Është bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën për Analizën e Rrezikut dhe Rregullimit në Shkollën e Ekonomisë në Londër (MB), ku më parë ishte bashkëpunëtore, lektore dhe profesoreshë vizitore. Është bashkëpunëtore akademike në Qendrën për Banka dhe Financa të Përgjegjshme në Universitetin e St Andrews.

Ka pasur e ka edhe shumë detyra të tjera të rëndësishme, ndërmjet të cilave, detyrën e bashkëredaktores të Revistës së menaxhimit financiar, tregjeve dhe institucioneve. E, së fundi, është edhe autore e artikujve dhe monografive të shumta në revista dhe botues të njohur ndërkombëtarisht, me vëmendje të veçantë në çështjet e teknologjisë, efikasitetit, bashkëpunimit, biodiversitetit financiar. Në vitet e fundit, studimet e saj u përqendruan në çështjet e etikës dhe  përfshirjes, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit, inteligjencës artificiale dhe lidershipit femëror.

07 qershor 2025, 11:18