Më 21 maj kalendari kujton Shën Viktorin e shokët e tij martirë
R.SH. / Vatikan
Më 21 maj kalendari kishtar përkujton Shën Viktorin e shokët e tij martirë. Ushtarak romak dhe i krishterë që jetoi në shekullin III, martir në Cezare, kulti i nderimit të shën Viktorit u përhap në të gjithë Evropën, përfshirë Italinë.
Për shenjtin dimë pak e aspak. Dihet vetëm se u martirizua në Çezare të Kapdoçies e se ishte romak. Nga ‘Martiriologu Jeronimian’ që e vendos festën e tij më 21 maj, së bashku me dy martirë të tjerë, Polieutin e Donatin, kaloi në ‘Martirologun Romak’. Gjë tjetër nuk dihet. Megjithatë grupi i martirëve nuk mungon asnjëherë në martiriologët historikë perëndimorë. Mungesa e njoftimeve, në kundërshtim me rregullat, nuk e mbuloi shenjtin me pluhurin e harresës. Përkundrazi: Viktori kujtohet e njihet më tepër në histori sesa kujtohej e njihej sa ishte gjallë.
Viktor do të thotë fitimtar e simboli i shenjtit, ashtu si i gjithë martirëve, është palma, të cilën ai e fitoi duke u martirizuar për Krishtin. Emri Viktor është shumë i përhapur në mbarë botën. Ndër shqiptarë pagëzohen me këtë emër djem e vajza, që quhen Viktor, Vitor, Vitore a Viktorí. Në Angli me këtë emër qe pagëzuar mbretëresha e famshme Viktoria, emri i të cilës shënoi një epokë, një stil: epokën e stilin viktorian. Në Itali me emrin Viktor u quajtën shumë princër e mbretër të Shtëpisë Savoja. Shenjti është pajtor qiellor i njerëzve që rrezikohen nga rrufetë, nga breshëri e nga shpirtrat e këqij