ÐÓMAPµ¼º½

Më 16 maj kalendari kujton të Lumin Vladimir Gjika, martir, me origjinë shqiptare

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare. I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato, ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare.

Vladimir Gjika, meshtar rumun, me origjinë shqiptare, u shpall i Lum më 31 gusht 2013.  Ai u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.

Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Atë Gjika u arrestua nga regjimi komunist në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë dhe i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.

Me 31 gusht 2013, në Bukuresht, u kremtua Mesha solemne me ritin e Lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, asokohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve.

 

16 maj 2025, 10:29