MAP

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Ukrainë, paqja kalon nëpër Shën Pjetër. Takohen Trump dhe Zelensky

Funerali i Papës Françesku, në Bazilikën e Vatikanit, u bë rast për një takim ndërmjet presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës, mbi të ardhmen e vendit evropian të martirizuar nga më se 3 vjet luftë, i përmendur vazhdimisht në lutjet e Papës së ndjerë. Një takim, sipas Zelensky-t, që ka potencialin të “bëhet historik” nëse do të arrihen “rezultate të përbashkëta”

R.SH. – Vatikan

Ndërmjet shumë pamjeve, që do të mbeten nga lamtumira e fundit për Papën Françesku – natyrisht, përveç atyre të funeralit - sigurisht që do të jetë edhe një, në të cilën shihen presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ulur përballë njëri-tjetrit, në një cep të Bazilikës së Shën Pjetrit. Një takim, që fillimisht u njoftua, pastaj, u vu në dyshim nga mungesa e mundshme e të dytit, por që, më në fund, u realizua. Është takimi i parë ballë për ballë ndërmjet dy krerëve të shteteve, që zgjati 15 minuta, pas atij – dramatik - që u zhvillua në lidhje televizive botërore, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, nga i cili Zelensky u largua pa marrë pjesë në konferencë për shtyp.

Një bisedë "shumë e frytshme"

Takimi, sipas drejtorit të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steve Cheung, ishte "shumë i frytshëm". Edhe presidenca ukrainase publikoi fotografinë e një bisede tjetër të shkurtër ndërmjet Trump dhe Zelensky në Vatikan, këtë herë, duke përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Sipas zëdhënësit të presidentit ukrainas, Serhii Nikiforov, Zelensky dhe Trump ranë dakord të vazhdojnë negociatat. Zelensky, në një postim në platformën X, foli për një “takim të mirë”, që “mund të bëhet historik, nëse arrihen rezultate të përbashkëta”. Presidenti ukrainas uroi, në veçanti, të arrihet “një armëpushim i plotë dhe pa kushte”, si edhe “një paqe e besueshme dhe e qëndrueshme, që të parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër”.

Biseds tjetër e shkurtër ndërmjet Trump dhe Zelensky në Vatikan, këtë herë, duke përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron
Biseds tjetër e shkurtër ndërmjet Trump dhe Zelensky në Vatikan, këtë herë, duke përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron   (ANSA)

Kundëroferta ukrainase

Sipas gazetës amerikane “New York Times”, në takim u diskutua edhe kundëroferta e Ukrainës ndaj propozimit të Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës. Një plan, që do të përfshinte vendosjen e një “kontingjenti evropian të sigurisë” të mbështetur nga SHBA-të, pa përmendur kthimin e plotë të territoreve të pushtuara nga Rusia, as anëtarësimin e Kievit në NATO - dy çështje, që Zelensky i ka deklaruar prej kohësh të panegociueshme. Ndërkohë, nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se kreu i Shtatmadhorisë ruse e informoi presidentin Putin mbi “përfundimin e operacionit” për çlirimin e rajonit rus të Kurskut, i cili është pjesërisht i pushtuar nga ukrainasit që nga gushti i vitit 2024.

Sot, u zhvilluan shumë takime të tjera të shkurtra dypalëshe, në kuadrin e funeralit të Françeskut. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i shtrëngoi dorën presidentit amerikan Donald Trump. Gjatë përshëndetjes së tyre të shkurtër në Sheshin e Shën Pjetrit, ranë dakord të takohen përsëri, deklaroi zëdhënësja e Von der Leyen, Paula Pinho. Sinjale inkurajuese për një rrugë dialogu, veçanërisht të rëndësishme në kuadrin aktual botëror, ndikuar nga vendosja e taksave doganore nga ana e SHBA-së dhe nga tensione ndërkombëtare.

26 prill 2025, 15:32