MAP

Z. Nikollë Camaj i uron Papës shërim të shpejtë e lutet për të

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Zoti Nikollë Camaj i uron "Papës shëndet, lutet për shërimin e tij që të vazhdojë misionin që ka, sepse mesazhet e Papës janë më kuptimplote për brezat që vijnë”

R.SH. / Vatikan

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Zoti Nikollë Camaj viziton redaksinë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News, me rastin e pjesëmarrjen së tij në punimet e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), që mbahem sot dhe nesër në Romë.

Me këtë rast, në bisedë me dom David Xhuxhën, Nikollë Camaj i uron "Papës shëndet, lutet për shërimin e tij që t'i kthehet misionit të shenjtë që ka, sepse mesazhet e Papës janë  kuptimplote jo vetëm për ne, por edhe për brezat që vijnë”.

Në këtë bisedë me z. Camaj flitet për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Malit të Zi, për marrëdhëniet e Shtetit me Komunitetet Fetare të vendit dhe për rolin e tyre në shoqërinë e sotme.

Po para se të dëgjojmë bisedën e dom David Xhuxhës me Nënkryetarin e Parlamentit Malit të Zi, Zotin Nikollë Camaj, po kujtojmë se Sesioni i 19-të Plenar i Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), mbahet në Romë, pranë Parlamentit italian, në datat 20-21 shkurt, me pjesëmarrjen e delegacioneve parlamentare të 31 vendeve anëtare të Bregut të Veriut dhe Bregut Jugor të Mesdheut, ndër to edhe Mali i Zi. Punimet u hapën sot në Dhomën e Grupeve Parlamentare të Dhomës së Deputetëve të Italisë, nga Presidenti Lorenzo Fontana. Tema e këtij viti është ambienti.

PAM është një organizatë ndërparlamentare rajonale e themeluar në vitin 2006 dhe e njohur nga OKB-ja, objektivi kryesor i së cilës është bashkëpunimi si bazë për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat e rajonit, në mënyrë që të garantohet paqja dhe një prosperitet i qëndrueshëm për të gjithë popujt euro-mesdhetarë dhe për ata të Gjirit Persik. Në këtë drejtim, parlamentarët luajnë një rol kyç në mbrojtjen dhe zhvillimin e gjithë Mesdheut.

Në mbledhje, do të mbahen edhe zgjedhjet e Kryesisë së re të kësaj Asambleje, që, në përputhje me parimin e rotacionit ndërmjet vendeve të Mesdheut, për periudhën dyvjeçare 2025-2026, do t'ia kalojnë përgjegjësinë një vendi verior.

Po më hollësisht për këtë dhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Malit të Zi, të dëgjojmë Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Zotin Nikollë Camaj, në mikrofonin e dom David Xhuxhës:

Zoti Nikolë Camaj në mikrofonin e dom David Xhuxhës
20 shkurt 2025, 14:09