Ukraina tre vjet më vonë, në kërkim të një horizonti paqeje
R.SH. / Vatikan
Larg nga interpretimi përmes lenteve të pacifizmit universal, ndryshimi i paradigmës, imponuar nga administrata Trump për luftën në Ukrainë, pasqyron mënyrën e re të lidhjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me pjesën tjetër të botës. E kjo u duk qartë në Riad, ku këtë javë dy delegacione, të zyrtarëve amerikanë dhe rusë, u takuan jo vetëm për të nisur bisedimet për paqen në Ukrainë por, sidomos, për të rifilluar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.
Normalizimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi
Normalizimi i marrëdhënieve hap mundësinë e ligështimit të boshtit Moskë-Pekin, konkurrues kryesorë të supremacisë amerikane. Kështu, presidenti Trump do të kishte mundësinë të konfirmonte supermacinë amerikane në botë dhe "ta bënte Amerikën përsëri të madhe", siç thotë parulla e njohur republikane. Gatishmëria e rusëve për dialog duhet inkuadruar në një logjikë të mirëpërcaktuar gjeopolitike: biseda me Uashingtonin i jep mundësi Moskës të jetë më e fortë në tryezën e negociatave, të përfshijë në bisedime të paktën Krimenë dhe Donbasin, si edhe të rifitojë besueshmëri para perëndimorëve - me të cilët rusët kanë bërë gjithmonë tregti, sidomos në fushën e energjisë, tani, ndërprerë pjesërisht, për shkak të sanksioneve. Moska fiton besueshmëri edhe para Kinës, që, pavarësisht nga deklratat e aleancës “pa kufij”, është shumë e kujdesshme në mbështetjen e operacionit ushtarak të Moskës dhe vijon t’i thërrasë palët në dialog, në emër të multilateralizmit.
Tensionet me Zelensky-n
Nga ana tjetër, tensioni në rritje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky synon t’i frenojë përpjekjet ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së në Ukrainë, të cilat, tri vjet pas pushtimit në shkallë të gjerë të vendit nga Federata Ruse, arrijnë në mbi 65 miliardë dollarë, shpenzuar për sistemet e mbrojtjes ajrore, artilerinë, helikopterët dhe tanket. Kjo do t'i jepte Uashingtonit mundësinë për të përqendruar përpjekjet e tij në ato skena botërore, që konsiderohen përparësi!
Para së gjithash, në zonën e Indo-Paqësorit, strategjike për frenimin e Kinës, përpunimin e lëndëve të para me kosto të ulët dhe përshpejtimin e garës së përparimit teknologjik. Pastaj vjen Lindja e Mesme dhe, bashkë me të, Vendet e Gjirit Persik, centraliteti i të cilave u riafirmua nga zgjedhja e Riadit si vend për dialog ndërmjet fuqive. Por, duket se ka pak hapësirë për Evropën.
Pavarësisht nga dy samitet e organizuara nga presidenti francez Emmanuel Macron, në Paris, ku u takuan disa vende, evropiane dhe jo-evropiane, përveç SHBA-së, për të diskutuar rolin e tyre në luftën kundër Ukrainës, Evropa nuk arriti të mbajë qëndrim të bashkuar. Trump do të presë Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer ndërmjet së hënës dhe së enjtes, por presidenti amerikan ka deklaruar tashmë se as njëri e as tjetri "nuk kanë bërë asgjë" për t'i dhënë fund luftës.
Vështirësitë evropiane
Gjithashtu, pavarësisht nga fakti se Bashkimi Evropian krenohet për tregtinë dypalëshe prej mbi 900 miliardë dollarësh me SHBA-në dhe fronti jugor i Kontinentit të Vjetër ndodhet përballë një zone të paqëndrueshme si Afrika e Veriut, në të cilën kanë synime rusët dhe turqit, mungesa e një strategjie unitare i bën të njëzet e shtatët të paaftë për t'i ofruar diçka konkrete Trumpit. Megjithatë, kjo “do ut des” – “më jep, të jap” - është një nga aspektet kryesore të mënyrës së re amerikane të konceptimit të botës.
Kjo u duk qartë këtë javë, kur presidenti Trump përsëriti nevojën për marrëveshje me Kievin lidhur me administrimin e mineraleve të rralla. Në këtë mënyrë, SHBA-ja po e bën të qartë se nuk do të angazhohet më pa pagesë, ose thjesht për drejtësi, por do të paraqesë gjithnjë një faturë ekonomike a strategjike për t’u paguar. Një paradoks, nëse mendohet agresioni i pësuar nga ukrainasit, si edhe përkrahja e ofruar deri pak muaj më parë nga ish-presidenti Joe Biden, por edhe një shembull që tregon qartë se si po ndryshon bota. E kjo i detyron evropianët të kuptojnë çka mund t'i ofrojnë SHBA-së, pasi ka rrezik që jo vetëm të ligështohen më tej, por edhe të humbasin një aleat historik.