MAP

Popullsia kongoleze është dëshmitare e largimit të trupave të viktimave të dhunës së fundit të ushtruar në Goma Popullsia kongoleze është dëshmitare e largimit të trupave të viktimave të dhunës së fundit të ushtruar në Goma

RD Kongos, Nunci: situatë e rëndë. Ta dëgjojmë Papën, duhet dialog dhe bisedime

Rajoni i Kivu-së Veriore u shkatërrua nga rrethimi i rebelëve të mbështetur nga Ruanda dhe një krize të pashoqe humanitare. Në përvjetorin e dytë të shtegtimit të Françeskut në vendin afrikan, përfaqësuesi papnor në Kinshasa, imzot Leskovar, përshkruan situatën dhe mënyrat e mundshme për të dalë nga kriza: "Bashkësia ndërkombëtare dhe kombëtare duhet të punojnë urgjentisht për të forcuar strukturat shtetërore, duke u përpjekur të luftojnë korrupsionin”

R.SH. / Vatikan

“Mbroni popullsinë civile të Gomës dhe lutuni për rivendosjen e shpejtë të paqes e të sigurisë në Republikën Demokratike të Kongos!”. Dy vjet pas shtegtimit të tij apostolik në vendin më të madh katolik frëngjishtfolës në Afrikë, thirrja e Papës Françesku, e rinisur gjatë audiencës së përgjithshme, më 29 janar, pati jehonë të gjerë në mesin e popullatës vendase. Disa ipeshkvij kongolezë dhe kryeministri i vendit e falënderuan Françeskun për ndërhyrjen e tij, kujton Nunci Apostolik në RDK, Imzot Mitja Leskovar. Duke folur për mediat e Vatikanit, përfaqësuesi i Papës kujtoi se në shkurt 2023, Nunciatura Apostolike në Kinshasa ishte skenë e një takimi, në të cilin prania e Papës e bëri popullsinë e vuajtur t’i harrojë për pak çaste vuajtjet.

Çfarë mund të na thotni për keqësimin e situatës në pjesën lindore të vendit?

Situata në Kivu-në e Veriut është shumë serioze dhe delikate. Ka viktima, trupa të shtrirë në rrugë. Zhurma e armëve dëgjohet në të katër anët. Megjithatë, nuk u prekën të gjitha zonat e Gomës. Kjo e mundëson popullatën të plotësojë nevojat primare. Jemi në një situatë rrethimi, e cila mund të shtrihet në një konflikt më të gjerë. Nuk është vetëm Goma! Duhet menduar edhe për pjesën tjetër të territorit, ku luftimet vazhdojnë. Shpresojmë për një kthim në tyezën e bisedimeve, në kërkimin e zgjidhjeve diplomatike, në dialog me të gjitha palët e interesuara, për t'i dhënë fund dhunës.

Si u pritën fjalët e Papës në audiencën e përgjithshme, nga autoritetet dhe popullsia vendase?

Me mirënjohje. Kryeministri dhe disa ipeshkvij më falënderuan për fjalët e Françeskut. Arritën në një çast të vështirë, si për pjesën lindore të vendit, ashtu edhe për kryeqytetin, ku vijojnë trazirat. Kjo thirrje për t’i respektuar të gjithë, civilët dhe rendin publik, është me vend, ndaj u prit shumë mirë.

Si mund të kontribuojë Selia e Shenjtë për t'iu përgjigjur nevojave humanitare në Kivu-në e Veriut?

Ndihma nuk është spak e lehtë, e kjo, sepse mundësitë, veçanërisht për dërgimin e mallrave, janë shumë të kufizuara. Është zonë lufte, por gjithsesi do të ishte mjaft e vështirë për të marrë ndihma humanitare, pasi rrugët shpesh janë të pakalueshme për makina. Mund të shkosh atje vetëm me motoçikletë ose në këmbë. Për më tepër, nuk është e lehtë të dihet se cilat janë nevojat reale ose në cilën fushë janë më urgjente. Vështirësia e tretë, ndoshta më e madhja, është shkalla e nevojave: 6 ose 7 milionë njerëz të zhvendosur në RDK kanë nevojë për ndihmë. Kombet e Bashkuara, organizata të tjera dhe shumë OJQ po i ndihmojnë, por nevojat janë tejet të mëdha. Është pothuajse e pamundur të ndihmohen të gjithë. Nunciatura Apostolike përpiqet të ndihmojë përmes institucioneve të Kishës: Caritas-it, Dioqezave apo kongregacioneve fetare. Dërgojmë ndihma pavarësisht vështirësive logjistike.

Kisha Katolike Kongoleze është shumë aktive në shoqëri. Çfarë roli mund të luajë në ndërtimin e paqes?

Detyra e saj e menjëhershme është të sigurojë nevojat themelore të popullsisë, në masën e mundshme. Ne punojmë së bashku me institucione të tjera shëndetësore, përveç atyre të kishës. Kam marrë lajme për gjendjen alarmante të spitaleve pranë zonave të konfliktit. Janë plot me të plagosur, nuk ka më vend. Nga ana tjetër, është e gjithë puna që po bëhet për paqen. Këtu, si në shumë vende të tjera në botë, nuk bëhet fjalë për armë, por për një proces të nxitur nga dialogu dhe dëgjimi i të gjitha këndvështrimeve, duke kërkuar kompromis. Hapja ndaj kompromisit është shumë e rëndësishme. Pa të, për fat të keq, është e pamundur të arrihet paqja. Kisha Katolike po  përpiqet të bëjë gjithçka është e mundur për një dialog më të gjerë social

Po Selia e Shenjtë si mund ta mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur një rruge paqësore, që të dilet nga kriza, pa iu dorëzuar impotencës apo indiferencës?

Selia e Shenjtë tashmë është angazhuar në këtë drejtim. Papa po tërheq vëmendjen ndërkombëtare për vështirësitë ndonjëherë të harruara të vendit. Pastaj është puna e diplomacisë dypalëshe dhe shumëpalëshe. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është angazhuar për këtë qëllim. Në nivel dypalësh, në kontaktet e saj me vendet e tjera, Selia e Shenjtë nuk ka munguar të nënvizojë rëndësinë e kërkimit të një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut.

Dy vjet më parë, gjatë shtegtimit të tij të 40-të apostolik në Republikën Demokratike të Kongos, Papa u takua me viktimat e dhunës në lindje të vendit, në Nunciaturën Apostolike në Kinshasa. Po situata u keqësua që atëherë. Thua u harruan fjalët e Papës?

Pasi mbërrita në RD të Kongos në qershor 2024, ndoqa dëshmitë e viktimave të luftës dhe të dhunës, ndonjëherë etnike. Kur i lexoj këto dëshmi, prekem thellë për dy arsye: nga njëra anë është dhuna, kafshëria e saj dhe urrejtja e njerëzve të caktuar. Nga ana tjetër, aftësia e viktimave për të falur. Jo me fjalë të bukura, por duke i dhënë fund luftës. Është e tmerrshme.

Dy vjet më parë, Papa nisi një thirrje për pajtim dhe ndryshim në vend, duke filluar nga vetë kongolezët. Çfarë përshtypjeje mendoni se la udhëtimi në zemrat e njerëzve? E çfarë mbolli?

Mesazhi i Papës është më i rëndësishëm se kurrë. Ky rreth vicioz duhet të ndalet, por pa hapje për kompromis do të jetë e pamundur të gjindet paqja në këtë tokë, e cila është torturuar nga konflikte të shumta, ndonjëherë edhe të nxitura nga interesa personale…

Po jetojmë Jubileun e Shpresës. E ku mund të gjendet kjo shpresë në Republikën Demokratike të Kongos?

Ka shpresë, sepse qeniet njerëzore janë gjithnjë të afta të kthehen dhe të angazhohen për paqen. Për mendimin tim, nuk ekziston një situatë e humbur që në fillim dhe pa rrugëdalje. Përkundrazi, ka shumë punë për të bërë, e edhe sakrifica. E megjithatë, gjërat mund të përmirësohen! Mendoni arsimin, për shembull: më se 40% dhe 50% e institucioneve arsimore drejtohen nga Kisha Katolike. Nismat për paqe e dialog ekzistojnë, por duhen shtuar, duhen intensifikuar, duhen zhvilluar e zgjeruar. Lutja, mbi të gjitha, është e rëndësishme. U kërkoj të gjithë atyre që na lexojnë, të luten për paqen në Republikën Demokratike të Kongos.

01 shkurt 2025, 14:07