MAP

20 shkurti i vitit 1991 data e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës 20 shkurti i vitit 1991 data e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës

34 vjet nga rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha

Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbej të kryeqytetit monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e copëtoi. Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”.

R.SH. - Vatikan

Më 20 shkurt kujtojmë përvjetorin e rrëzimit të përmendores së diktatorit komunist Enver Hoxha në Tiranë, që shënoi mbarimin e regjimit të diktaturës komuniste ateiste në Shqipëri.

Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia dhe regjimi komunist që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë. Edhe sot, mbi popullin shqiptar rëndojnë pasojat e tij negative. Kështu data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetet ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme.  Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet e ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ata njerëz, që atë ditë të 20 shkurtit 1991 ishin në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte përdhe dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh, ashtu si ideologjia e indoktrinimit bosh, që regjimi komunist përhapi me terror për vite të tëra. Tashmë, e vërteta doli në dritë.

E pastaj, shfrimi i lotëve e përqafimi ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata qytetarë që regjimi komunist i kishte mësuar të ruheshin e të druheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun e armik. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan, pavarësisht nga përparimet e mëdha. Natyrisht, sot Shqipëria nuk është më në gjendjen e atyre viteve.

Për të mos harruar atë çka përjetuan shqiptarët gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, vite më parë, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist, ku janë  ekspozuar fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit.

Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Kurrë nuk duhen harruar krimet, terrori, përndjekjet, viktimat, gjaku i pafajshëm që u derdh, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.

20 shkurt 2025, 12:12