MAP

Albert Bisaku Albert Bisaku

Kristiano-demokratët fitojnë zgjedhjet në Gjermani

CDU fiton zgjedhjet gjermane dhe Friedrich Merz do të jetë kancelari i ri. Ndërkaq, e djathta ekstreme fiton pikë: Partia “Alternative fur Deutschland” e Alice Weidel merr mbi 20 përqind të votave, duke dyfishuar rezultatin e saj në vitin 2021

R.SH. – Vatikan

“Një fitore historike”: ky është komenti i kreut të demokristianëve, Friedrich Merz, i cili do të pasojë Olaf Scholz në krye të Kancelarisë në Gjermani. Koalicioni CDU-CSU (koalicioni ndërmjet Bashkimit Kristiano-Demokrat të Gjermanisë dhe Bashkimit Kristiano-Social në Bavierë), i kryesuar nga Merz, fitoi 28.6 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të së dielës, 23 shkurt. Nga ana tjetër, fituan tepër pak Socialdemokratët (SPD) e Olaf Scholz-it, të cilët humbën 9 pikë nga konsensusi popullor, duke kaluar nga 25.7 në 16.5% të votave. Ndër të dhënat që bie në sy është ajo e pjesëmarrjes rekord në votime: 84% e atyre, që kanë të drejtë vote.

Përparimi i së djathtës ekstreme

Rezultat me rëndësi i këtyre zgjedhjeve është edhe ai i afirmimit të së djathtës ekstreme: Partia “Alternative für Deutschland” (Afd) e Alice Weidel mori mbi 20% të votave, duke dyfishuar përqindjen e fituar në zgjedhjet 2021. Sipas analistëve, kjo ndodhi pas valës valës së frikës, që pushtoi disa qytete gjermane, si pasojë e një seri atentatesh. Por cila do të jetë qeveria në krye të politikës gjermane, pas këtyre zgjedhjeve? Të dëgjojmë gazetarin Albert Bisaku, nga Gjermania

Dëgjoni Albert Bisakun...

Unioni CDU/CSU fiton zgjedhjet në Gjermani.

Friedrich Merz fillon negociatat për formimin e qeverisë së re.

Në Gjermani janë mbajtur zgjedhjet e parakohëshme për Bundestagun e ri. Vetëm pak orë pas mbylljes së vendvotimeve, është konfirmuar rezultati zyrtar i këtyre zgjedhjeve, duke u qartësuar shumë shpejtë se kush janë fituesit dhe humbësit kryesorë, në një pjesmarrje të lartë prej 82,5 % të votuesve në zgjedhje.

Unioni Kristian Demokrat/ Kristian Social, CDU/CSU me kandidat për kancelar, Friedrich Merz ka dal partia më e votuar në zgjedhje, duke fituar 28,5 % të votave, rreth 4,4 % më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021.

Në vend të dytë ndodhet Alternativa për Gjermani (AFD), një parti e cila në Gjermani konsiderohet si e ekstremit të djathtë, me kandidat për kancelare, Alice Weidel. AFD në zgjedhje fitoi 20,8 %, duke e dyfishuar rezultatin për 10,4 % më shumë se në vitin 2021.

Socialdemokratet e kancelarit Olaf Scholz janë humbësit më të medhenj në këto zgjedhje. SPD-ja mori 9,3 % vota më pak se para katër viteve dhe radhitet në vendin e tretë me 16,4 %.

Partia ekologjiste, që në Gjermani njihet me emrin Die Grünen, me kandidat për kancelar, Robert Habeck, që është poashtu pjesë e qeverisë aktuale ka pësuar gjithashtu rënie. Ata fituan 11,6 % apo rreth 3,1 % më pak se në zgjedhjet e vitit 2021.

Të përfaqësuar në Bundestag do të jenë edhe spektri i majtë politik në Gjermani. Die Linke, partia e cila deri para disa ditëve nuk figuronte shume në sondazhe, në zgjedhje fitoi 8,77 % apo 3,9 % me shumë se në vitin 2021.

FDP-ja me në krye Christian Lindner, partia e demokratëve të lirë, e cila në nëntor me tërheqjen nga qeveria e Scholz-it e qoj Gjermaninë drejt zgjedhjeve të parakoheshme, në zgjedhje mori vetëm 4,33 % të votave duke mos e kaluar pragun prej 5 % për të hyrë në parlament. Jashtë Bundestagut ka mbetur edhe Aleanca Sahra Wagenknecht, e cila me 4,97 % për pak nuk e kaloi pragun.

Kancelari Olaf Scholz e ka pranuar humbjen dhe e ka uruar Friedrich Merz për fitoren. Ashtu si Scholz edhe Robert Habeck nga Grüne nuk do të jetë më në postet drejtuese të partisë apo të shtetit. Ndërkohë që edhe Christian Lindner ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet pas humbjes së thellë që pësoi partia e tij, FDP. Me largimin e tyre nga postet drejtuese, ata kanë dëshmuar kulturë të lartë politike duke u hapur rrugën emrave të rinjë që do ta drejtojnë Gjermaninë në katër vitet e ardhshme.

Fituesi i zgjedhjeve Friedrich Merz ka shprehur respekt për kundërshtarët politik. Merz deklaroi se është i gatshëm të fillojë negociatat me socialdemokratët për formimin e koalicionit qeverisës. Sipas Merzit, qeveria e re në Gjermani duhet të fillojë punën e saj më së largu deri festës së Pashkëve dhe se sfidat që e presin qeverinë e tij, janë të shumta.

Pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani janë deklaruar edhe drejtuesit e Kishës katolike. të vendit

Kryetari i Konferencës Ipeshkvore, Ipeshkvi imzot Georg Bätzing, ka thënë se shpreson të ketë së shpejti një qeveri stabile, e cila fillon me zgjidhjen e problemeve. „Forcat demokratike duhet të bashkëpunojnë për të mirën e qyteterëve. Do të thotë, të dëgjojnë, të kuptojnë njëri tjetrin dhe në mënyrë konstruktive të punojnë në zgjidhjet e drejta dhe të jenë të gatshëm për kompromise“, ka kujtuar imzot Bätzing.

24 shkurt 2025, 11:32