Fëmijët i shkruajnë Papës, faleminderit për atë që bën për ne
R.SH. / Vatikan
"I dashur Papa Françesku, po të shkruajmë në emër të fëmijëve të mbarë Tokës, duam të të falënderojmë sepse kujdesesh për ne dhe të ardhmen tonë, na do dhe na mbro. Faleminderit për gjithçka që bën për ne! Faleminderit që dëgjove pyetjet tona dhe gjete kohë për t'iu përgjigjur atyre, si në Ditën Botërore të Fëmijëve, atë ditë, mësuam kaq shumë gjëra dhe ishte mirë të dëgjonim dhe kuptonim fjalët që na i drejtove. Kështu lexojmë në letrën e shkruar nga disa fëmijë drejtuar Papa Françeskut me rastin e Samitit Ndërkombëtar për të Drejtat e Fëmijëve.
"Atë ditë - thuhet përsëri në letër - kuptuam se ti dëshiron ndihmën tonë për të ndryshuar botën: siç është tani, ty nuk të pëlqen dhe as neve nuk na pëlqen! Shumë fëmijë vuajnë nga uria, nga lufta, nga ngjyrat e ndryshme të lëkurës, nga fatkeqësitë mjedisore.
Ne do të donim një botë më të drejtë, pa ndarje midis popujve, midis të pasurve dhe të varfërve, midis të rinjve dhe të moshuarve. Një botë që është gjithashtu edhe më e pastër, në të cilën ndotja nuk shkatërron pyjet, nuk ndot detin dhe nuk vret kaq shumë kafshë, ne kemi kuptuar se është më e rëndësishme të shpëtojmë Tokën sesa të kemi më shumë para.
Ne do të donim një botë për të gjithë, pa përjashtuar askënd!Një botë ku të gjithë fëmijët (por absolutisht të gjithë!) mund të rriten mirë, të studiojnë, të luajnë, të jetojnë të qetë. Ne duam paqe! Ne nuk duam të jetojmë në një botë me luftë.
Lufta nuk duhet bërë, ajo nuk sjell dobi: shkatërron, vret dhe i trishton të gjithë, por disa të rritur ende nuk e dinë këtë! Së bashku me ty duam ta pastrojmë botën nga gjërat e këqija, ta ngjyrosim me miqësi e respekt dhe të të ndihmojmë të ndërtimin e një të ardhme të bukur për të gjithë! Është e vështirë? Por nëse ti na ndihmon bëhet më e lehtë!”