Çmimi Zayed, Patricia Scotland: vëllazëria njerëzore shkon përtej tolerancës së thjeshtë
R.SH. / Vatikan
Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore u jepet çdo vit individëve ose grupeve nga e gjithë bota, që “punojnë me vetëmohim dhe pa u lodhur për t’i mbushur boshllëqet e botës dhe për të krijuar lidhje të vërteta njerëzore”. Çmimi u krijua në vitin 2019, pas nënshkrimit të Dokumentit të përbashkët mbi Vëllazërinë Njerëzore nga Papa Françesku dhe Sheikh Ahmed al-Tayyeb, Imam i Madh i Al Azharit. Çmimi i këtij viti do të jepet të martën, më 4 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërisë Njerëzore të njohur nga Kombet e Bashkuara, gjatë një ceremonie në Abu Dhabi. Fituesit u zgjodhën nga një juri e pavarur, ndërmjet anëtarëve të së cilës është edhe Patricia Scotland, Sekretare e Përgjithshme e Komonuelthit të Kombeve, që u takua me median e Vatikanit në përfundim të një konference për shtyp në Abu Dhabi.
Ju bëni pjesë në jurinë e çmimit Zayed. Si u zhvillua procesi i zgjedhjes?
U ndjeva shumë e nderuar, kur më kërkuan të bëja pjesë në juri. Siç e dini, Komonuelthi përfaqëson 56 vende. Domethënë afërsisht 2.7 miliardë njerëz, 60% e të cilëve janë nën 30 vjeç. Ne vëmë në dukje vlerat dhe varemi nga një statut, i cili i pasqyron shumë ato, që mishërohen nga Çmimi Zayed. Ishte nder i madh që mora pjesë, ndërsa jemi përpjekur të gjejmë ata që e demonstrojnë realisht vëllazërinë njerëzore, barazinë dhe gjithëpërfshirjen.
Dhe sa kohë zgjati në përgjithësi?
Zgjati disa muaj. Kur u takuam si juri, na u desh të analizonim qindra kandidatura dhe më pas ta thellonim më tej çështjen. Ndoqëm një proces përzgjedhjeje të kandidatëve në lista të veçanta, duke i kushtuar vëmendje të madhe, duke u përpjekur të kuptojmë ndikimin që patën këta kandidatë në njerëzimin. Çfarë bënë? Si e bënë jetën më të mirë, më të pasur, më kuptimplote? A ishin ata vërtet fenerë shprese, që do t'i lejonin të tjerët t'i imitonin?
Edhe Selia e Shenjtë përfshihet në çmimin Zayed, e sivjet Kardinali Peter Turkson është anëtar i jurisë. Ju jeni katolike e mund të na thoni çfarë roli luajti feja juaj në gjithë këtë?
Feja ime luajti një rol tejet të rëndësishëm dhe jo vetëm sepse një nga fituesit e parë të këtij çmimi ishte Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, së bashku me Imamin e Madh. Është shumë e rëndësishme që këta dy burra të shenjtë u mblodhën për të theksuar rëndësinë e dashurisë në botën tonë, dashurinë për njëri-tjetrin, mirëkuptimin, respektin edhe përtej tolerancës së thjeshtë. Vëllazëria njerëzore nuk vlerëson tolerancën, por aftësinë për të kuptuar se jemi një familje, se humanizmi ynë është më themelor se çdo gjë tjetër. Nëse jeni katolik, do të thoni se çdo qenie njerëzore është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit dhe se shenjtëria, bukuria e jetës duhet të ruhet, ashtu siç duhet ruajtur planeti, ku jetojmë. Prandaj, kur më caktuan gjykatëse, u gëzova, sepse, natyrisht, Shenjtëria e Tij e bën gjithnjë të qartë se ne duhet ta duam çdo njeri mbi tokë, pavarësisht nga besimi, ngjyra a forma e tij. Është natyra njerëzore që kumbon në zemrat tona.
Kohët e fundit jeni takuar me Papën, për çfarë biseduat?
Ishte nder i madh për mua. E gjithë juria shkoi për të vizituar Shenjtërinë e Tij, për të folur për çmimin dhe punën tonë. Madje ne mundëm t'i urojmë edhe ditëlindjen! Pra, ishte një çast shumë i veçantë. Për mua, veçanërisht, që munda ta takoj përsëri Papën dhe të thithja urtinë e tij. Është gjithmonë një rast për riafirmim e për gëzim. Ka punuar rëndë! Është ai vetë, besoj, mishërim i asaj, që shumë njerëz aspirojnë të jenë.