BE: “i rregullt votimi në Kosovë, përpara me reformat e dialogun me Serbinë”
R.SH. – Vatikan
“Presim me padurim formimin e Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re, duke vazhduar të impenjohemi me autoritetet, për të mbështetur afrimin e Kosovës me BE-në, ku mund të përfitojë plotësisht nga mundësi të rëndësishme siç është Plani i Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor”. Kështu deklaroi sot (12 shkurt) Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Kosovë të dielën, më 9 shkurt. Sipas rezultateve paraprake të misionit evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, ato “ishin paqësore”, “me pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive”. Gjithsesi kryetarja e Misionit të Vëzhguesve, Nathalie Loiseau, në një intervistë për KosovaPress, denoncon se disa “funksionarë serbë mbështetën” haptazi Listën Serbe, duke kërkuar të votohej për të, gjë që shënon ndërhyrje të Serbisë në procesin zgjedhor.
Kosova, pohojnë ndërkaq, dy funksionaret e larta të BE-së, Kallas dhe Kos, në notën e tyre, duhet “të impenjohet tani në një bashkëpunim rajonal të përgjegjshëm dhe të shtojë përpjekjet për të përforcuar shtetin ligjor dhe administratën publike, si edhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes". "Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë që Kosova të përparojë në rrugën e saj evropiane", theksojnë në deklaratën e përbashkët Kallas dhe Kos, duke i kërkuar Prishtinës të përmbushë detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet e dialogut, "pa vonesa apo parakushte të mëtejshme" dhe duke kujtuar se "nuk ka alternativa për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja". “Komisioni – përfundojnë ato – është gati të përgatisë një opinion për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës”, paraqitur në dhjetor të vitit 2022, “sapo Këshilli Evropian ta kërkojë këtë”. Me 99,5% të skedave të numëruara, rezultati jopërfundimtar i zgjedhjeve në Kosovë konfirmon suksesin e Partisë “Vetëvendosje” të kryeministrit aktual Albin Kurti, që merr 40,87% të votave.