MAP

Më 8 shkurt kalendari kujton shën Gjyzepina Bakhitën, afrikane

Shën Jozefina Bakhitën, virgjër, rritur nën një skllavëri të tmerrshme, pajtore qiellore e viktimave të trafikut të njerëzve, një skllave që na mëson rrugën drejt lirisë

R.SH. - Vatikan

Me 8 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Jozefina Bakhitën, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte në vitin 2000, tani pajtore qiellore e viktimave të trafikut, një skllave që na mëson rrugën drejt lirisë.

Ne të gjithë i kemi “zinxhirët” tonë, e të gjithë disi kërkojmë një rrugë që na çon drejt lirisë së vërtetë. Miliona njerëz në mbarë botën e përjetojnë këtë tension mbi lëkurën e vet , si një kërkim autentik për arratisjen nga skllavëria. Në këtë rrugë çlirimi kemi një mbrojtëse qiellore të veçantë, një skllave që u bë dëshmitare e lirisë më të madhe, Shën Jozefina Bakhita, një motër rregulltare kanosiane që vdiq në Schio (Vicenza) në 1947.

Gjyzepina Bakita lindi në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte motrave rregulltare: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve?  E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”.

Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin.  U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”. Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.

Kisha katolike i lutet pajtores qiellore të viktimave të trafikut, shën Jozefina Bakitës, skllavëruar që e vogël, shitur e blerë, por pastaj, liruar e ‘lulëzuar’ plotësisht si bijë e Zotit, e kujton 'viktimat e pafajshme të trafikut', që kthehen në mall, dhe inkurajon të gjithe ata që ndihmojnë viktimat e trafikut ta vijojnë misionin e tyre, shpesh të rrezikshëm e anonim, por të nevojshëm për t’i dhënë fund kësaj plage të tmerrshme.

08 shkurt 2025, 10:18