Kard. Koovakad lider?ve fetar?: n? "koh? t? err?ta" p?r njer?zimin, shp?tojm? vet?m s? bashku
R.SH. – Vatikan
Njerëzimi dhe bota, në këtë "moment vendimtar", mund të bien "lehtësisht" pre e një "ndjenje të mungesës së shprese". Nga çdo anë vijnë tregime për "konflikte, luftëra, dhunë, shkatërrim, beteja tregtare dhe fatkeqësi natyrore". Nga ana tjetër, vatrat e shpresës që duhet të ndriçonin këto "kohë të errëta" duken të mbytura: "multikulturalizmi është dobësuar", "organizatat globale janë heshtur". Kështu fillon fjalimi që kardinali George Jacob Koovakad, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar, mbajti në sesionin plenar të Kongresit të VIII-të të Liderëve të Feve Botërore dhe Tradicionale, me titull: Dialogu i feve: sinergji për të ardhmen, që fillon sot, më 17 shtator, deri nesër, në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.
Forumi ndërfetar bashkon rreth njëqind delegacione nga rreth 60 vende, duke përfshirë liderë të shquar shpirtërorë të Islamit, Krishterimit, Budizmit, Judaizmit, Hinduizmit, Taoizmit, Zoroastrizmit dhe Shintoizmit, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, studiues dhe personalitete publike.
Pasi përshkroi realitetin ku ndodhen aktualisht si "historia e njerëzimit" ashtu edhe "planeti Tokë, shtëpia jonë e përbashkët", kardinali Koovakad iu drejtua liderëve fetarë që e dëgjonin: "Si mund të sjellim dritë? Cila duhet të jetë qasja jonë?" "Ne jemi këtu – u përgjigj menjëherë pas kësaj kardinali – për të reflektuar mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët: të ndryshojmë rrjedhën e historisë nga dhuna në paqe; të sjellim shpresë në një botë të dëshpëruar; të ruajmë mjedisin".
Zhvillim dhe paqe për të gjithë
Kardinali Koovakad propozoi të reflektohet mbi tre faktorë "thelbësorë për ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimin ndërfetar". I pari, argumentoi kardinali, "është nevoja për zhvillim social, ekonomik, kulturor dhe shpirtëror të çdo personi". Një referim ndaj enciklikës së Palit VI, Popolorum progressio, sipas së cilës "zhvillimi është emri i ri i paqes". "Zhvillimi – theksoi kard. Koovakad – është një kusht paraprak që u mundëson njerëzve të jetojnë me dinjitet, të lirë nga presione të padrejta, me mundësinë për të qenë të lumtur. Kjo mirëqenie nuk mund të rezervohet vetëm për disa dhe të përjashtohet për të tjerët. Duhet të jetë një e drejtë, përndryshe nuk do të zgjasë".
Nuk ka shpresë pa Zotin
Faktori i dytë është se "dialogu vertikal" me Zotin "hap një vizion të ri shprese për njerëzimin dhe për Tokën". "Nuk ka shpresë pa Zotin, që është e vërteta supreme", theksoi kardinali Koovakad, i cili kujtoi gjithashtu se "traditat tona fetare kanë gjeneruar kultura dhe civilizime, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat dhe respektin për dinjitetin njerëzor dhe Tokën". Dhjetë Urdhërimet e Zotit janë një shembull se si "etika globale mund të rrënjoset në traditat fetare". "Nëse interpretohen në kontekstin e sotëm – shtoi kreu i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar – Urdhërimet e Zotit mund të frymëzojnë rrugë paqeje dhe pajtimi". Nga këtu rrjedh misioni i liderëve fetarë përballë botës: "Është detyra jonë – paralajmëroi kardinali Koovakad, – si liderë fetarë, të injektojmë në shoqërinë tokësore vlerat universale të pranishme në traditat tona fetare për të ridrejtuar historinë drejt një bote harmonike".
Të qëndrojmë të bashkuar
Faktori i tretë, i identifikuar nga prefekti i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për t'i kthyer shpresën njerëzimit dhe botës, është se "nuk shpëtojmë vetëm, jemi të ndërlidhur dhe të ndërvarur". "Fetë tona – theksoi kard. Koovakad, duke cituar këtë herë enciklikën Fratelli tutti të Papa Françeskut – na mësojnë se jemi një familje e vetme njerëzore, vëllezër e motra për njëri-tjetrin". Bashkëpunimi pra ndërmjet feve të botës nuk është opsional, por "është i domosdoshëm".
Një shenjë shprese
Gjithnjë nga Papa Françesku, kardinali Koovakad merr paralajmërimin e shprehur gjatë periudhës së vështirë të pandemisë Covid-19: "Nuk shpëtojmë vetëm". Edhe vetë qëndrimi ynë së bashku në kongresin e Astanës "është një shenjë shprese", shtoi Koovakad. Dhe e përfundoi fjalimin e tij me fjalët e Papa Leonit XIV drejtuar pjesëmarrësve të Takimit Ndërfetar të zhvilluar në Bangladesh nga 6 deri më 12 shtator: "Të qëndrojmë të bashkuar kundër forcave të ndarjes, urrejtjes dhe dhunës që shumë shpesh kanë pllakosur njerëzimin".