Ato plane p?r nj? "Lindje t? Mesme t? re" pa popullin palestinez
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
Konflikti izraelito-palestinez ka qenë gjithmonë burim debatesh e polarizimesh. Konflikti i vazhdueshëm në Gaza dhe polemikat, që e shoqërojnë, e kanë bërë këtë fenomen edhe më të skajshëm, sikur të mos mjaftonte niveli aktual. Polarizimet e ashpra, ndonjëherë edhe ekstreme, përshkojnë pjesën më të madhe të shoqërisë civile në shumë vende të botës. Si gjithmonë, nuk mungojnë instrumentalizimet, thjeshtimet dhe përafrimet që, në këtë kuadër të ndërlikuar, ka rrezik të çorientojnë dhe të shkaktojnë dëme. E gjejmë këtë fenomen në gjuhën e përdorur, në diskutimet tejet të ndezura dhe në paaftësinë për të dëgjuar të tjerët, ose së paku, për të bërë një përpjekje në këtë drejtim.
Tmerri i ngjarjeve të dy vjetëve më parë, sulmi i kryer nga Hamasi, i cili mbetet një akt terrorist çnjerëzor, që duhet dënuar pa rezerva, u pasua nga reagimi i parashikueshëm izraelit. Një reagim joproporcional, që shkoi shumë përtej çdo kufiri etikisht të pranueshëm, siç pohohet jo vetëm nga autoritete të shumta ndërkombëtare, por edhe nga shumë zëra brenda vetë Izraelit dhe botës hebraike në përgjithësi.
Nëse analizojmë luftën e shpërthyer në Gaza, duke marrë parasysh ç’po ndodh në pjesën tjetër të Palestinës, në atë që dikur quhej Cisjordani, nuk mund të mos mendojmë se, përtej reagimit ndaj masakrës së 7 tetorit, ka edhe objektiva të tjerë. Zgjerimi i vendbanimeve, sulmet e vazhdueshme dhe të pandëshkuara të kolonëve dhe deklaratat publike të disa ministrave të qeverisë izraelite, që bëjnë thirrje për fundin e Autoritetit Palestinez, aneksimin e të gjitha territoreve dhe largimin e palestinezëve, të bëjnë të besosh se qëllimi shkon shumë përtej eliminimit të Hamasit, ose garantimit të sigurisë për Shtetin e Izraelit. Lajmet e fundit përfshijnë miratimin e një vendbanimi të ri në Zonën E1, e cila, në thelb, e ndan atë territor në dy pjesë, si dhe kërcënimin për aneksimin e Zonës C të Territoreve Palestineze, e cila është tashmë nën kontrollin e plotë të Izraelit, pa qenë kurrë e aneksuar zyrtarisht.
Në këtë kontekst gjithnjë e më të tensionuar, njëri pas tjetrit, fillimisht në heshtje dhe tani gjithnjë e më haptazi, po publikohen "plane" për një "Lindje të Mesme të re", për një lloj rendi të ri, në të cilin duket se nuk ka vend për popullin palestinez. I fundit është plani i propozuar për zhvillimin e ardhshëm të Gazës, në qendër të vëmendjes këto ditë. Një plan, që kërkon ndërtimin e qyteteve "smart" (inteligjente) dhe vendpushimeve luksoze. Natyrisht, ai parashikon atë që quhet, jo rastësisht, "evakuim vullnetar" i palestinezëve. Ata, nëse dëshirojnë, do të mund të kthehen një ditë (sic!). Ndërsa, për ata që nuk duan të largohen, po planifikohen "zona të veçanta"... Është plan, që flet vetë. Duket si ndonjë histori fantastiko-shkencore, komploti i një filmi fantay. Por, fatkeqësisht, është e vërtetë. Është e trishtë kur sheh dobësinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të organizmave shumëpalëshe, të paafta për ta ndaluar këtë prirje, së cilës i shtohet shpërfillja e qëllimshme e çdo konvente ndërkombëtare, të çdo respekti për rregullat dhe moralin. E vetmja gjuhë që ka mbetur është ajo e forcës, e shprehur me fjalë para se me veprimeve ushtarake.
Kisha nuk ka armë dhe as fuqi për të imponuar asgjë. Arma e saj e vetme është lutja dhe forca e Ungjillit, e cila, pa dyshim, na detyron ta themi qartë fjalën e së vërtetës për njeriun dhe për jetën e botës. Nuk mund të ndërtohet asnjë e ardhme, duke u bazuar në forcën, në mungesën e respektit për jetën njerëzore, në nëpërkëmbjen e aspiratës për një ekzistencë dinjitoze dhe të sigurt. E dëshirojmë këtë - dhe e përsërisim me bindje - për izraelitët, duke vazhduar të bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve ende të bllokuara në tunelet e Gazës, siç bënë fillimisht Papa Françesku dhe, më pas, Papa Leoni XIV në thirrjet e tyre. Por, e dëshirojmë po aq edhe për palestinezët. Kërkojmë që pengjet të trajtohen me dinjitet dhe njerëzi e, njëkohësisht, që palestinezët e Gazës të trajtohen me dinjitet dhe njerëzi. Shpresojmë që të krijohen zona pa luftime në të gjithë Rripin e Gazës, zona vërtet të lira nën mbrojtjen ndërkombëtare, ku të mirëpriten të sëmurët, të brishtët dhe civilët e pambrojtur.
"Evakuimet vullnetare", pra, zhvendosjet e detyruara; shkatërrimi i plotë; vdekjet pa fund; spitalet e bombarduara; vrasjet e përditshme të atyre që presin në radhë për një kore bukë; bllokimi i çdo perspektive të qartë politike për t'i dhënë popullit palestinez dinjitet dhe një shtëpi në tokën e vet - këto nuk do ta ndërtojnë kurrë ekuilibrin e së ardhmes në Lindjen e Mesme. Ajo që po ndodh, për fat të keq, është e destinuar të krijojë brezin e ardhshëm të urrejtësve dhe rrezikon të jetë një tjetër paradhomë për një valë të re dhune në të ardhmen.
Disa propozime zhvillimi, që u imponojnë palestinezëve një të ardhme të vendosur nga të tjerët për ta, ose më keq, kundër tyre, janë thjesht prova të mëtejshme të arrogancës dhe verbërisë. E ardhmja e palestinezëve mund dhe duhet të vendoset vetëm me ta, kurrë pa ta.
Kisha, siç po bën tashmë, do të vazhdojë të përkulet mbi plagët e të gjithëve. Do të vazhdojë t'ia shtrijë dorën kujtdo, që dëshiron të bashkëpunojë në krijimin e konteksteve alternative për jetën dhe dinjitetin. Do t'i ketë gjithmonë dyert e hapura për ata, që nuk i dorëzohen logjikës së urrejtjes dhe luftës, por kërkojnë rrugë të qëndrueshme drejt paqes. Selia e Shenjtë e njohu zyrtarisht Shtetin e Palestinës disa vite më parë, prandaj, nuk mund të heshtim përballë asaj që po ndodh. I bëjmë edhe një herë tonat fjalët e Papës Leoni XIV, duke bërë thirrje për t'i dhënë fund barbarisë së luftës, që të arrihet një zgjidhje paqësore e konfliktit, të respektohet ligji humanitar, detyrimi për të mbrojtur popullsinë civile dhe të ndalohet ndëshkimi kolektiv, përdorimi pa dallim i forcës dhe zhvendosja e detyruar e popullsisë.