杏MAP导航

K?rko

Pjes?marr?sit n? Konferenc?n e Stokholmit p?r Jav?n Ekumenike 2025 (18-24 gusht) Pjes?marr?sit n? Konferenc?n e Stokholmit p?r Jav?n Ekumenike 2025 (18-24 gusht)

Imzot Pace: t? krishter?t e bashkuar, d?shmi p?r plag?t e njer?zimit t? p?r?ar?

Java Ekumenike n? Stokholm p?rfundoi dje, m? 24 gusht, me pjes?marrjen e disa udh?heq?sve t? Kishave t? Krishtera mbledhur p?r t? p?rkujtuar 100-vjetorin e takimit n? vitin 1925. Ngjarjen e p?rmblodhi kryeipeshkvi Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit p?r Nxitjen e Bashkimit t? t? Krishter?ve.

R.SH. / Vatikan

Thirrje për t'i "shërbyer botës së bashku" në kërkim të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Kjo ishte ftesa që i bëri në vitin 1925 Nathan Söderblom, asokohe Kryepeshkop Luteran i Upsalës, 600 udhëheqësve ortodoksë, anglikanë dhe protestantë që u mblodhën në Stokholm. Njëqind vjet më vonë, udhëheqësit e Kishave të Krishtera, pjesëmarrës në Javën Ekumenike në Stokholm, e cila përfundoi të dielën, më 24 gusht, iu përgjigjën të njëjtës ftesë. Kryeipeshkvi Imzot Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Unitetit të Krishterëve, foli për mediat e Vatikanit. Shprehu gëzimin e tij për pjesëmarrjen në këtë ngjarje dhe rëndësinë e saj për dialogun ekumenik në këtë vit të veçantë, kur kujtohet 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë.

Gjatë Javës Ekumenike, pati thirrje të përsëritur për bashkimin e Kishave. Bashkimi është thirrje, por edhe mister, ndonjëherë i vështirë për t'u kuptuar. Çfarë na tregojnë Shkrimet Shenjte për të?

Ato na çojnë rishtas te lutja e Jezusit, në Darkën e Mbrame, drejtuar Atit në çastin më tronditës të jetës së tij, para dorëzimit të plotë në kryq. Nuk mendon për vete, por për  ata, e i lutet Atit që të jenë një “si ti dhe unë, o Atë, jemi një". Prandaj, thirrja për bashkim është thirrje për jetë Trinitare. Dhe ne, me pagëzimin dhe rrëfimin e besimit Trinitar, jemi të pranishëm në këtë mister bashkimi dhe nuk mund ta jetojmë jetën e krishterë pa lutjen e Jezusit. Për ne, bashkimi ndërmjet gjithë besimtarëve në Krishtin nuk është zgjedhje strategjike. Përkundrazi! Është bindja ndaj lutjes së Jezusit, dëgjimi i zemrës së tij.

Papa Leoni XIV dërgoi një mesazh për këtë Javë Ekumenike dhe që nga çasti i zgjedhjes së tij foli për temën e unitetit. Sa e rëndësishme është kjo temë për Kishat në këtë çast historik?

Themelore sepse, në një botë që është e përçarë dhe vijon të përçahet  gjithnjë në shumë nivele - më të dukshmet, konfliktet e vazhdueshme, ashtu si dhe shumë fusha të tjera ku fryma e përçarjes është në veprim - fakti që Kishat dhe bashkësitë e krishtera, të cilat për fat të keq përjetojnë skandalin e përçarjes, e ndiejnë fort thirrjen për të përtërirë udhëtimin e tyre drejt unitetit të dukshëm, që bëhet dëshmi e shërim. Është si "të derdhësh vajin dhe verën e Samaritanit të Mirë" mbi plagët e një njerëzimi të përçarë.

Si ishte atmosfera ndërmjet jush, pjesëmarrësve, në këtë Javë Ekumenike, si dhe frytet e saj?

Atmosfera ishte vërtet shumë pozitive, duke pasur parasysh mënyrën se si u përgatit takimi, fryt i bashkëpunimit të Këshillit të Krishterë të Kishave këtu në Suedi, i cili më pas i zgjeroi horizontet e tij për të përfshirë partnerë të tjerë ndërkombëtarë, siç janë Ati i Shenjtë Leoni XIV dhe Selia e Shenjtë, por edhe Këshilli Botëror i Kishave. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe individë e komunitete, jo vetëm udhëheqës.

Në rrugët e Stokholmit, u vunë në dukje disa vende, ku u mbajtën takimet. Pati edhe një festival në shesh, për të theksuar se kjo thirrje synon t’i tejkalojë kishat dhe sakristitë tona e të bëhet mesazh i fortë në gjirin e shoqërisë. Prania e familjes mbretërore suedeze dhe e kryeministrit në një nga kremtimet e mbylljes, si dhe takimi që ministri përgjegjës për çështjet fetare kërkoi me udhëheqësit, flet për dëshirën e një shoqërie që nuk e sheh përmasën fetare si diçka private, por si diçka që kontribuon në qytetarinë dhe në qytetërimin e dashurisë dhe të paqes.

Si mund ta përhapin këtë thirrje për unitet udhëheqësit e krishterë që morën pjesë në Javën Ekumenike të Stokholmit, ndërmjet njerëzve në mbarë botën?

Kur dikush ka një përvojë të bukur, përvojë me bukuri të mirëfilltë, nuk e mban për vete. Dëshiron ta ndajë atë, siç ndodhi në fillim të predikimit të Ungjillit. Përvoja e këtyre ditëve ishte përvojë e Shpirtit dhe në Shpirt. Prandaj, të gjithë kthehemi me gëzim të madh dhe dëshirë për ta ndarë atë. Dimensioni ekumenik ndonjëherë rrezikon të bëhet disi elitist, sepse udhëheqësit takohen, por komunitetet nuk janë gjithmonë në gjendje ta perceptojnë bukurinë dhe realitetin e këtij dialogu, që ka vazhduar prej dekadash, varësisht nga Kishat e ndryshme. Prandaj, ne duhet të përpiqemi të nxisim takime edhe në të ardhmen, ku udhëheqësit e bëjnë të dukshëm bashkimin e tyre.  

Viti 2025 na kujton edhe 1700-vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë. Çfarë mësimesh mund të jenë të dobishme nga Koncili i parë - për Kishat tona sot?

Gjëja më prekëse është se Koncili u thirr nga Perandori Kostandin në një kohë kur dëshmia e besimit në Krishtin rrezikonte të bëhej burim përçarjeje për shkak të interpretimeve të ndryshme. Ishte një Koncil që kërkoi ta sqaronte rrëfimin e besimit në Krishtin, në mënyrë që të mund të jetohej në unitet. Kështu, trashëgimia e Nikesë na kujton se në raste të caktuara Shpirti na thërret të mblidhemi së bashku për të riafirmuar të vërtetat e fesë, por edhe për të gjetur një shtysë të ripërtërirë për unitet. Është vërtet një çast prekës ai i pranisë së Nikesë në Stokholm, si 100 vjet më parë, ashtu edhe gjatë kësaj Jave Ekumenike. Në Konferencën e vitit 1925, Patriarku Ortodoks Grek i Aleksandrisë shpalli besojmen e Nikesë në greqisht.

Dje, në Katedralen e Upsalës, katedrale e Primatit Luteran të Suedisë, ishte Patriarku Ekumenik Bartolomeu ai që shpalli Besojmen e Nikesë në greqisht, në emër të të gjithëve.

25 gusht 2025, 18:11