Kard. Grech ipeshkvijve t? Perus?: jini Kish? me krah? hapur p?r t? gjith?
R.SH. – Vatikan
“Të bisedosh sipas Shpirtit Shenjt”, do të thotë të bashkëbisedosh në mënyrë të ndërgjegjshme të sinqertë, ndihmon për të “dalluar atë zë që vjen nga Lart, nga Zoti, që orienton kthimet personale dhe komunitare, frymëzon praktika të reja baritore dhe sugjeron struktura të nevojshme në mënyrë që sinodaliteti të zërë rrënjë në Kishat tuaja lokale”. Ky është mendimi që kardinali Mario Grech, Sekretar i përgjithshëm i Sinodit, u drejtoi ipeshkvijve të Perusë me rastin e asamblesë së 129-të të zakonshëm plenar të konferencës ipeshkvore të vendit, e cila filloi më 18 gusht në kryeqytetin Lima dhe do të vazhdojë deri nesër, 21 gusht.
Shpirti Shenjt flet në zemrën e Kishës përmes zemrës së barinjve
Në audiomesazhin e transmetuar dje, më 19 gusht, kardinali Grech shprehu gëzimin e tij që ipeshkvijtë peruanë kanë zgjedhur “si rregull të artë” për takimin e tyre metodën sinodale të “bisedës sipas Shpirtit Shenjt”, të bazuar në dëgjim e dialog dhe “të rrënjosur në lutje dhe në hapjen ndaj frymës së Shpirtit Shenjt Zot”. “Takimi juaj merr karakterin e një riti të vërtetë shpirtëror, që shkon përtej një takimi të thjesht. Është një kohë hiri, në të cilën Shpirti Shenjt flet në zemrën e Kishës përmes zemrës së barinjve të saj”, theksoi kardinali Grech. Të bashkëbisedosh sipas frymëzimit të Shpirtit Shenjt, tha ai, “do të thotë të lejosh veten të sfidohesh nga lëvizjet e brendshme që Shpirti Shenjt ngjall në secilin dhe mes jush, duke i kushtuar vëmendje jo vetëm fjalëve, por edhe heshtjeve, intuitave, emocioneve shpirtërore që shfaqen në ballafaqimin vëllazëror”.
Prania e dialogut dhe dashurisë
Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit kujtoi gjithashtu edhe inkurajimin e Papës Prevost, pak orë pas zgjedhjes së tij më 8 maj të kaluar, për të qenë “një Kishë misionare, një Kishë që ndërton ura, dialog, gjithmonë e hapur për të mirëpritur (...) me krahë hapur të gjithë, një Kishë e hapur për të gjithë ata që kanë nevojë për dashurinë tonë, praninë tonë, dialogun dhe dashurinë”.
Duke mirëpritur me gëzim faktin që ipeshkvijtë peruanë gjatë takimit të tyre po thellojnë Dokumentin Përfundimtar të Sinodit , kardinali Grech i ftoi gjithashtu të reflektojnë edhe mbi dokumentin Gjurmët për fazën zbatuese të Sinodit, që “mund të ofrojë horizontin me të cilin duhet të përballen, në mënyrë që frytet e punës suaj të mund të kontribuojnë në dallimin kishtar më të gjerë”, për të mirën e popullit të Zotit që u është besuar.